Qeveria forcon procedurat për kërkimin e naftës
Të gjitha kompanitë vendase apo të huaja që operojnë në Shqipëri në fushën e hidrokarbureve, që merren me kërkimin dhe prodhimin e tyre, me draftrregulloren e re që pritet të shkojë shumë shpejt në kuvend për miartim, do të kenë një kontratë të unifikuar me shtetin. Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës ka prezantuar dje në mjediset e saj, draft rregulloren për hidrokarburet e cila parashikon një kontratë të përbashkët të të gjitha kompanive me shtetin për këkrimin dhe prodhimin e hidrokarbureve. Gjithashtu, ajo synon vendosjen e rregullave dhe normave metodologjike e shkencore për shfrytëzimin dhe ruajtjen e mbi dhe të nëntokës në blloqet e kërkimit dhe në vendburimet e naftës dhe/ose të gazit, gjatë zhvillimit të operacioneve hidrokarbure nga ana e kompanive të huaja dhe vendase. Sipas ministri të Ekonomisë, Nasip Nacos, i cili prezantoi këtë projekt të ri, hartimi i një akti juridik për aktivitetin e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve ishte i dosmosdoshëm, pasi ai ka një karakter rregullator tekniko-administrativ dhe ka si qëllim saktësimin e rolit rregullator dhe kontrollues të shtetit nëpërmjet organeve, institucioneve dhe strukturave përkatëse, të cilat ngarkohen me ligj për administrimin e aktiviteve në sektorin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve. Në këtë mënyrë draft rregullorja parashikon ngritjen e një Enti Rregullator për këtë qëllim. Në të njëjtën kohë, rregullorja parashikon vendosjen e një disipline të plotë tekniko -shkencore, për një organizim e bashkërendim më të përsosur në kryerjen e Operacioneve Hidrokarbure, si dhe për ruajtjen e mbi e nëntokës dhe të mjedisit në tërësi, ushtrimin e së drejtës të kontrollit dhe auditimit ekonomik e financiar, nga organet që administrojnë në rrugë zyrtare aktivitetin në sektorin energjetik hidrokarbur, përcaktimin dhe marrjen e masave për parandalimin e ngjarjeve të pakontrolluara në këtë sektor dhe organizimin e funksionimin e njësive përkatëse, ngritjen dhe forcimin e rrjetit institucional të ekspertizës, studimit dhe monitorimit për shfrytëzimin efikas të rezervave hidrokarbure, përcaktimin e mënyrave dhe formave të organizimit dhe funksionimit të strukturave/njësive që mbajnë dhe administrojnë të dhënat parësore gjeologo-gjeofizike gjatë kryerjes së Operacioneve Hidrokarbure. Sipas Nacos, kjo rregullore vjen për të ndihmuar ligjin aktual ët ndryshuar, pasi aktiviteti i hidrokarbureve në vend ka pësuar një trend rritës. Në vitin 2008 u prodhuan rreth 577,5 mijë ton, nga të cilat rreth 361,7 mijë ton në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure. Në vitin 2009 u prodhuan rreth 576,6 mijë ton, nga të cilat rreth 397,9 mijë ton në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure. Në vitin 2010 u prodhuan rreth 737 mijë ton, nga të cilat rreth 605 mijë ton në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure. Ndërsa, për vitin 2011 prodhimi i naftës bruto pritet të arrije në rreth 850 mijë ton, nga të cilat rreth 800 mijë ton do të prodhohen në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure. (Në 6-mujorin e parë 2011 janë prodhuar rreth 428 mijë ton nafte brut, nga të cilat rreth 398 mijë janë prodhuar në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure.