E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidera boterore nderojne Havelin

Disa prej liderave më të fuqishëm botëror ishin të pranishëm ditën e premte në Pragë, për të përshëndetur për herë të fundit simbolin e rezistencës çeke ndaj komunizmit, ish-presidentin Vaclav Havel.

Në ceremoninë mortore që u zhvillua në katedralen e “St. Vitus”, të gjitha vendet ishin të zëna, ndërsa një turmë prej dhjetëra mijëra qytetarësh qëndronte në hedhje në shenjë respekti në sheshin përballë.

Havel, i cili në vitin 1989 udhëhoqi revolucionin që solli demokracinë në vend, ndërroi jetë të dielën, në moshën 75-vjeçare.

Arqipeshkvi i Pragës, i cili drejtoi ceremoninë, lexoi një letër të dërguar nga Papa Benedikti XVI. Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dhe bashkëshorti i saj, ish-Presidenti Bill Clinton, ishin midis të prezentë në funeral.

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, ai i Gjermanisë, Christian Ëulff, Kryeministri i Britanisë, David Cameron, disidenti polak Lech Ëalesa dhe udhëheqës të tjerë shtetesh ishin midis të pranishmëve.

Midis personave që mbajtën një fjalim në katedrale ishte edhe ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Medeleine Albright, e cila ka lindur në Pragë, përpara se familja e saj të emigronte në SHBA.

”Shpresoj që të gjithë liderat e shteteve kudo në botë të ndjekin bindjen e tyre me të njëjtën kurajo dhe forcë si Vaclav Haveli”, u shpreh Presidenti i Çekisë, Vaclav Klaus.

Në një letër drejtuar atij, kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehej se “lufta e Havelit për liri dhe demokraci do të mbetet e paharrueshme përsa kohë do të jetojë njerëzimi”.

Vdekja e Havel, ngushëllim në ambasadën çeke në Tiranë

Në ambasadën e Republikës Çeke në Tiranë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësues të partive poltike kanë lënë shënime në librin e ngushëllimeve për ish-presidentin e Vasllav Havel, i ndarë nga jeta disa ditë më parë.

Kreu opozitës tha se “është nder i posacëm që të bëj një koment për një figurë frymëzuese e cila në distancë mua dhe të tjerët na udhëhoqi në rrugën e protestës, pastaj të revoltës ndaj regjimit totalitar. S’do ta harroj kurrë se me cfarë emocionesh fotokopjonim dhe përkëthenim fshehurazi tekstet e tij dhe pastaj i shpërndanim ato studentëve në Akademinë e Arteve”.

Ndërsa ish-kryeministri Fatos Nano u shpreh se “Kam patur fatin e madh të takohem me të gjatë viteve të detyrave që kam ushtruar. E gjithë historia e tij tashmë e përjetësisë të lidhur me simbolin e lirisë në këtë pjesë të Europës. Ishte me të vërtetë një njeri që mund të ndaje ndjenjat më të thella njerëzore të cilat ai mundi t’i kthente në të arta me një revolucion të kadifenjtë”.

Profil, kush ishte Vaslav Havel?

Për Vaslav Havelin dhe popullin e tij, gjithcka ndryshoi në vitin 1989, viti i Revolucionit të Kadifejtë, kur ai udhëhoqi rrëzimin e komunizmit. Bota vëzhgoi me habi, sesi, brenda javësh, dramaturgu disident u bë President.

Havel u lind më 1936, në një familje të pasur. Por kur komunistët morën pushtetin, ajo humbi gjithcka. Iu ndalua të kryente gjimnazin dhe ai mundi të bënte dicka për të ardhmen, të studionte në një shkollë nate, ndërsa ditën punonte si një teknik laboratori.

Por pushtimi sovjetik i Cekosllovakisë shëmbi ëndrrat e Havelit.

Veprat, kritike kundër gardës së vjetër staliniste u ndaluan në vendlindje. Por ai vazhdoi të krijonte drama me një akt që shfaqeshin në shtëpi private.

Vite më vonë ai themeloi “Kartën 77”,  një levizje që aspironte ndryshime demokratike. Në këto momente, Havel u shndërrua në disidentin më të famshëm të Cekosllovakisë.

I burgosur për aktivitet anti-shtetëror ai u mbajt nën mbikëqyrje të vecantë nga policia sekrete, edhe kur doli nga burgu. Në fund të vitit 1989, Havel e gjeti veten të diskutonte për të ardhmen e vendit, pikërisht me ata  njerëz që e kishin cuar në qeli.

Partia Komuniste po shpërbëhej dhe demokracia po zinte vend. Pas 18 ditë, protestash paqësore dhe grevash që u cilesuan “Revolucioni i Kadifejtë” qeveria komuniste u rrëzua.

Në një ceremoni solemne në Katedralen Katolike në Pragë, në dhjetor të 1989, Havel mori detyrën e Kreut të Shtetit. i burgosuri politik që u bë President tha se pas kësaj, kurrë nuk ishte ndjerë më absurd.

Nacionalistët sllovakë bënë gjithcka të mundur dhe arritën pavarësinë. Vendi i tij u nda në dy pjesë. Havel dha dorëheqjen si presidenti për t’u zgjedhur muaj më vonë, në janar të vitit 1993,  Presidenti i parë i Republikës Ceke.

Në fund të mandatit të tij të dytë në 2003, ai iu dedikua mbrojtjes së të drejtave të njeriut në të gjithë botën.

Do të kujtohet si një antikonfirmist, por asnjëherë një politikan i lindur. Njerëzit zgjodhën tek ai shkrimtarin, pa i hequr asnjë meritë e lëvdatë, për ndihmën që dha në rrëzimin e komunizmit, e që gjithcka ndodhi paqësisht, pa gjakderdhje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›