E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderë të majtë në ekzil politik

Përjashtimi i befasishëm (por jo tërësisht i papritur) i njërit prej përfaqësuesve më tipikë të socialistëve shqiptarë dhe sigurisht, i një prej politikanëve më të formuar në fushën e politikave ekonomike dhe të financave në Shqipëri, Arben Malaj, nga kandidimi në radhët e forcës më të madhe të opozitës, më solli ndërmend një shkrimin tim të katër vjetëve më parë me titull “Edvini dhe Musolini”. Asokohe, uzurpatori i PS, me një arrogancë të pashembullt, ia mbylli derën e koalicionit të majtë partisë “Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet” (ADS), duke e detyruar këtë parti të re, që për mbijetesë politike të bashkohej dhe të përjetonte një ekzil të vërtetë politik brenda koalicionit të djathtë.
I dashur Luis,
Komunikimi ynë telefonik i para një jave më solli ndërmend tërë historinë time politike, më kujtoi të gjitha takimet tona, që nga takimi ynë i parë në Park Hotel ‘Bremen’ në maj 1991, ku unë, një nga socialdemokratët më të rinj të Europës, mbase që përfaqësoja një parti të sapokrijuar të një vendi të sapodalë nga izolimi dhe diktatura si Shqipëria, mora pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate Gjermane, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ayala, pata fatin e madh të takoja dhe të flisja me presidentin e IS, njeriun e madh të globit, Willy Brandt, kancelarin dhe Nobelistin e paharruar të Paqes dhe OstPolitik-ës.
Pas këtyre takimeve me ju të dy, në ato netë maji në Bremen “u intervistova” nga drejtuesit e “Friedrich Ebert” Foundation, provim që e kalova me sukses dhe më pas u hap rruga e komunikimit zyrtar të PSD të Shqipërisë me PSD gjermane, pranimi i socialdemokratëve shqiptarë në Internacionalen Socialiste. Pjesëmarrjet e mia të shumta dhe takimet e panumërta me liderë botërorë, e sidomos takimet e vazhdueshme me ty në Kongreset e Internacionales Socialiste, në mbledhjet e Këshillit të IS, në Komitetin e Mesdheut të IS, në kongrese të partive motra të IS, duke përfshirë edhe publikimet e mia në ‘Socialist Affairs magazine’, kanë një kontribut vital në formimin tim politik, mbi të gjitha, përbëjnë kapitullin më të rëndësishëm në Universitetin tim Politik.
I kujtoj me shumë nostalgji e dhimbje këto evenimente të politikës së të majtës progresiste botërore edhe për faktin se, duke naviguar në faqen e internetit të IS, u informova se PSD e Shqipërisë ka zbritur në statusin e anëtarësisë së saj, nga anëtare me të drejta të plota, në anëtare vëzhguese, për arsye të mospagimit të kuotizacionit vjetor të anëtarësisë.
I dashur Luis,
Kërkoj ndjesë që po të marr kohë me kujtimet e mia, por në këto momente të rëndësishme të situatës paraelektorale, do të doja të të parashtroja shkurtimisht historinë e pozicionimit tim politik që nga viti 2004 e deri më sot dhe shkaqet e këtij pozicionimi:
1. Deri në Kongresin e 13-14 nëntorit 2004 kam qënë zv/kryetar i PSD të Shqipërisë dhe kryetar i grupit parlamentar të saj. Në këtë kongres mora pjesë në garën për kryetar të PSD përballë Skënder Gjinushit. Kundrejt fushatës sime shumë paqësore dhe platformës programatike për demokratizimin dhe rritjen e partisë, ai, së bashku me pasuesit e tij, u tregua shumë agresiv dhe njëkohësisht i frikësuar nga një humbje e mundshme, ndaj manipuloi gjerësisht zgjedhjen e delegatëve të kongresit, duke vazhduar më tej në shkeljen e tërë procedurave për organizimin e kongresit e me presionin ndaj anëtarëve në procesin e votimit dhe deri në manipulim të dukshëm të rezultatit të votimit.
2. Pavarësisht nga shkalla e lartë e manipulimit të rezultateve të kongresit, unë e pranova rezultatin e humbjes si kryetar, sepse nuk e kisha qëllim në vetvete zgjedhjen në këtë post. Më mjaftonte fakti që u zhvillua një garë e tillë në nivel të lartë të drejtimit të partisë, sepse kishte 12 vjet që Gjinushi ishte i vetmi kryetar partie në Shqipëri që konkurronte vetëm me vetveten dhe kjo reflektonte në tërë partinë, duke reduktuar përmasat e saj. Por unë nuk munda ta pranoja manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit Drejtues Kombëtar (KDK), përmes të cilit u eliminuan rreth 20 anëtarë që kishin fituar de facto, por që në mënyrë arbitrare ju hoqën votat nga Komisioni Zgjedhor i PSD i kontrolluar prej kryetarit.
3. Këtë fakt unë e denoncova që në mbledhjen e parë të KDK, ku si anëtar i zgjedhur, argumentova me fakte dhe emra manipulimin e kryer nga Komisioni Zgjedhor i Kongresit në shpalljen e anëtarëve të KDK dhe propozova që kolegët që kishin fituar, por që Gjinushi i eliminoi, të rivlerësoheshin si të tillë. Kërkesa ime nuk u pranua kurrsesi nga KDK, i cili ishte i manipuluar deri në zemrën e tij dhe kjo më detyroi që të mos pranoja asnjë nga propozimet për anëtar të kryesisë së partisë apo të tjera që mund të vazhdonin më tej. Këtë situatë të re, të padëgjuar ndonjëherë në PSD të Shqipërisë e denoncova përmes një deklarate që mbajta përpara tërë gazetarëve të televizioneve dhe të shtypit të shkruar, të cilët po prisnin në selinë e partisë, sepse ishin nxjerrë jashtë sallës së mbledhjes.
4. Në fakt, kjo që po ndodhte në PSD, ishte një parathënie e asaj që do të ndodhte më 3 korrik 2005 në Shqipëri, ku përmes manipulimit masiv të zgjedhjeve parlamentare, ku metoda “MegaDushk” e transferimit dhe njëkohësisht e vjedhjes së votave, e frymëzuar nga vetë e majta, e deformoi thuajse në masën 30 për qind përbërjen parlamentare dhe, veç të tjerash, ndryshoi drejtimin e fitores nga e majta, e cila kishte marrë afro 150 mijë vota më tepër tek e djathta që ishte minorancë, por që e zbatoi më mirë këtë proces manipulimi të zgjedhjeve.
5. Pasi dhashë dorëheqjen nga kryetar i grupit parlamentar të PSD në fund të janarit 2005, për shkak të ndryshimit antiligjor dhe të papritur të rregullores së parlamentit, që në fund të mandatit të tij ndryshoi rregullat e lojës dhe e rriti numrin minimal të anëtarëve për krijimin e Grupit Parlamentar nga 5 anëtarë në 7 anëtarë. Në kushtet e krijuara për të mbrojtur ekzistencën e Grupit Parlamentar, PSD duhet të merrte hua nga PS katër anëtarë, pra të krijonte një GP me maxhorancë socialiste, që përbënte një falsitet të dukshëm dhe të papranueshëm, të cilin për moralin tim politik dhe njerëzor nuk mund ta pranoja dhe për më tepër ta drejtoja.
6. Në prill të vitit 2005, në seancën parlamentare për miratimin e ndryshimeve të Kodit Elektoral të Republikës së Shqipërisë, kundërshtova me argumente të forta dhe evidente ndryshimet ligjore që po instalonin në procesin e zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005 metodën e manipulimit të zgjedhjeve, të ashtuquajtur “Meag-Dushk”. Në këtë seancë parlamentare, ku paralajmërova mundësinë e humbjes së të majtës në zgjedhje për shkak të manipulimit të votave dhe të deformimit të rezultatit, pavarësisht se do të përbënte shumicë, Gjinushi dhe disa deputetë socialistë m’u kundërvunë dhe thuajse të gjithë më kanë kërkuar ndjesë për paralajmërimin që nuk e konsideruan…. Përveç ndonjërit.
7. Më pas, duke qenë deputet socialdemokrat dhe vetëm anëtar i KDK, me gjithë propozimet e shumta të degëve të PSD të rretheve të vendit, që më propozonin të isha kandidat i tyre për deputet në Kuvendin e ri të Shqipërisë, kryetari i PSD nuk pranoi të firmoste kandidaturën time për deputet, bile në një nga degët që më propozoi me shkrim për kandidaturën time, ai shkeli përfundimisht dhe haptazi procedurat statutore, duke firmosur për kandidaturën e një të panjohuri në vend të kandidaturës sime dhe duke përjashtuar nga gara në mënyrë tërësisht arbitrare ish- sekretarin e përgjithshëm dhe zv/kryetarin e PSD, ish-Kryetarin e Grupit Parlamentar të saj dhe bashkëthemeluesin e PSD të Shqipërisë.
8. Ashtu “siç ishte shkruar” dhe paralajmëruar, Zgjedhjet parlamentare u manipuluan dhe parlamenti rezultoi tërësisht i përçudnuar, gjithashtu dhe e majta i humbi zgjedhjet në mënyrën më katastrofike të mundshme nga një proces elektoral “MegaDushk” që e inspiroi vetë. Duke mos u përfshirë në këtë proces tragjik dhe komik njëkohësisht, analizova përmes mbi 20 artikujve publicistikë në gazetat më kryesore në nivel kombëtar dhe komentova në televizionet më të rëndësishme të vendit këtë proces famëkeq elektoral dhe rezultatin e tij antikushtetues. Një analizë përfundimtare të procesit e publikova në të gjitha gazetat e vendit në trajtën e një letre të hapur me titull “Letër Shqiptarëve dhe Ndërkombëtarëve”, të cilën ua u drejtova edhe ambasadave kryesore të akredituara në Shqipëri, OSCE, ODIHR, etj.
9. Pas zgjedhjeve të dt. 3 korrik 2005, vazhdova të drejtoja Lëvizjen Socialdemokrate Reformatore (LSDR) pa u shkëputur nga PSD si anëtar i KDK të saj. Pas ftesës së kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, në qershor 2006 dhe mbi bazën e rezolutës së LSDR në Konventën Kombëtare të saj, kjo lëvizje u atashua në LSI si një korrent politik i socialdemokracisë në përputhje me statutin e saj. Kontributi i Socialdemokratëve Reformatorë brenda LSI u shfaq dukshëm, sidomos në zgjedhjet vendore të 2007, ku në shumë njësi administrative u disafishuan votat e LSI në krahasim me zgjedhjet e vitit 2005. Gjatë kësaj periudhe unë mbaja funksionet e anëtarit të kryesisë së LSI, të këshilltarit kryesor të kryetarit Ilir Meta, sidomos për çështje të Programit dhe të Statutit, drejtor i gazetës së LSI, “Integrimi”, si edhe kryekoordinator i saj në disa rrethe të vendit. Megjithatë, pas dy vjetësh punë në krah të Ilir Metës, i detyruar nga qëndrimi final i tij, kur ai papritur, duke shkelur premtimet e dhëna, ndryshoi qëndrim personal, organizativ dhe politik, duke zhgënjyer edhe pjesën kryesore të kryesisë së LSI, në nëntor 2008, unë i komunikova kërkesën për largim nga LSI.
10. Mbi bazën e anëtarësisë të Socialdemokratëve Reformatorë, themeluam brenda një kohe të shkurtër Partinë “Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet” (ADS), e cila u legalizua më 3 mars 2009. E ndërtuar si parti progresive mbi parimet e të majtës moderne europiane dhe të Internacionales Socialiste, ADS u rreshtua menjëherë në koalicionin e drejtuar nga Partia Socialiste (PS). Më 14 prill 2009, si kryetar i ADS u dërgova letër zyrtare kryetarëve të partive, ku argumentoja domosdoshmërinë e krijimit të një koalicioni të vetëm të partive kundër PS – Edi Rama; LSI – Ilir Meta; PSD – Skënder Gjinushi; PDS – Paskal Milo dhe G99 – Erjon Veliaj, si dhe ftesën përkatëse për organizimin e një tavoline të rrumbullakët për të diskutuar këtë çështje vitale për të majtën shqiptare. Për këto çështje, i dashur Luis, në ato kohë, ju kam drejtuar një letër Presidentit të Internacionales Socialiste, George Papandreu dhe juve, si Sekretar i Përgjithshëm i saj, të cilën po ua u ridërgoj për kujtesë bashkëngjitur.
11. Në emër të partisë së sapokrijuar ADS, në fund të muajit prill 2009 u prita në selinë e PS nga Edi Rama, ku ai na ftoi në koalicionin elektoral të së majtës, duke rënë gjithashtu dakord me çështjet e shtruara në letrën e dërguar nga unë në emër të ADS, duke shprehur mospranim vetëm për pjesëmarrjen në koalicion të LSI, e cila, sipas tij, “kishte shkuar shumë larg PS me qëndrimet e saj politike”. Në fund të takimit, ku u përshëndetëm me entuziazëm me shumë miq dhe kolegë drejtues të PS, lideri i PS e pranoi me kënaqësi ftesën tonë për të marrë pjesë më 9 maj 2009 në Kongresin Elektoral të ADS pas ftesës ku, prezantoi përshëndetjen e tij, përmes Znj. Lindita Nikolla, anëtare e kryesisë së PS dhe kryetare e Bashkisë Nr. 1 të Tiranës.
12. Befas, në mënyrë krejt të papritur, vetëm disa ditë pas Kongresit Elektoral të ADS, pikërisht ditën e fundit të nënshkrimit të marrëveshjes së partive në koalicionin e së majtës shqiptare, kryetari Edi Rama nuk e fton partinë ADS për të firmosur marrëveshjen e koalicionit, duke e shkelur marrëveshjen e takimit të përbashkët si dhe deklaratën e tij përshëndetëse të mbajtur në kongresin elektoral të ADS, duke mashtruar dhe zhgënjyer tërë delegatët dhe anëtarësinë e ADS që e duartrokitën përshëndetjen e tij në kongres. Për më tepër, ai iu fsheh kontakteve me ne, që e kërkonim për të na dhënë shpjegime, duke lënë pas vetëm një justifikim famëkeq, shantazhin që i kishte bërë Z. Gjinushi, kryetar i PSD, i cili e paskësh shantazhuar, duke i thënë: “Po u pranua ADS e Apostolit në koalicion, PSD do të largohet nga koalicioni”.
13. Përpara kësaj lëvizjeje mashtruese të liderit të PS në momentin final të formimit të koalicioneve elektorale, të kërcënuar nga rreziku i mbetjes jashtë garës elektorale që do të ishte vdekjeprurës për një parti fare të re si ADS, vendosëm unanimisht që ADS e sapokrijuar të mbijetonte dhe të provohej në këto zgjedhje parlamentare në kushte të vështira, duke iu drejtuar koalicionit të djathtë, pavarësisht nga pagëzimi i saj politik si një parti e qendrës së majtë. Drejtuesit e koalicionit të djathtë, sigurisht dhe kryesisht për interesat e tyre politike, e pranuan në mënyrë të menjëhershme ADS në koalicion.
14. Vetë personalisht fillova fushatën për të sqaruar anëtarët dhe simpatizantët e shumtë të ADS dhe në tërësi elektoratin shqiptar, i cili në fakt u habit nga kjo ngjarje politike. Ajo që ishte më e rëndësishme në këto moment, ku vëmendja e medias ishte e përqendruar tek pozicionimi im politik dhe i ADS, konsistonte kryesisht në faktin që me shumë dhimbje paralajmëruam atë çka do të ndodhte, humbjen e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
15. Dhe i vetmi shkak dhe fakt i hidhur ishte që lidershipi i koalicionit të majtë nuk dinte të bashkohej dhe të maksimizonte votën. Dhe fatkeqësisht, ende nuk po e gjen rrugën e duhur që të garantojë një bashkim të gjerë dhe të suksesshëm, sasior dhe cilësor.
Duke përfunduar, sërish do ta vlerësoja jetike ndihmën tënde, sepse siç përmenda në fillim të kësaj letre të gjatë: “Një letër e jotja sugjeruese, i dashur Luis, drejtuar Edi Ramës, do të vlerësohej jashtëzakonisht shumë nga ana ime dhe e ADS, do ta bënte të pakthyeshëm rezultatin në fitoren e së majtës së bashkuar dhe të pathyeshëm besimin dhe shërbimin tim në këtë kauzë të madhe politike dhe elektorale, jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Mbetem në pritje të një përgjigjeje të shpejtë, duke shpresuar në ndihmën tënde të pazëvendësueshme.
I Juaji,
Gaqo APOSTOLI
* Në fakt, në këmbim të përgjigjes së kësaj letre pata 40 minuta bisedë telefonike Tiranë–Londër, një bashkëbisedim të gjatë me Luisin, ku ai shprehu tërë konsideratat e larta për kontributin tim në veprimtarinë politike në Shqipëri dhe në Internacionalen Socialiste.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›