E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse duhet të na e vënë kufirin tek “thana”

Një raport i Iniciativës për Stabilitetin Europian (ESI), me seli në Berlin, propozon që Brukseli të vendosë “vijat e kuqe” për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri. Ja se ç’thotë organizata, e cila i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të jetë shumë i qartë kësaj radhe me Shqipërinë, përsa u përket standardeve të zgjedhjeve. “Mesazhi kyç nga gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë, në veçanti nga Bashkimi Europian, duhet të jetë që të gjitha institucionet shqiptare duhet të respektojnë me rigorozitet ligjet që kanë miratuar ato vetë. Ka disa ‘vija të kuqe’ që nuk mund të kapërcehen. Udhëheqësit shqiptarë duhet ta dinë se bota po vëzhgon. Deklarimi paraprak i këtyre ‘vijave të kuqe’ e bën më të pamundur shkeljen e tyre”.
Por cilat janë disa prej këtyre vijave të kuqe?
1. Anëtarët e administratës zgjedhore nuk mund të hiqen për arsye të papërcaktuara në Kodin Zgjedhor.
2. Numërimi, si dhe gjykimi i ankesave dhe apelimeve duhet bërë nëpërmjet vëzhgimit të rreptë të procedurave të Kodit Zgjedhor.
Sugjerimet janë shumë të qarta se çfarë duhet të bëjë komuniteti ndërkombëtar, nëse qeveria dhe politika në tërësi do t’i shkelë sërish “kufijtë” që ndajnë demokracinë nga shteti autokrat. “Një gjë e tillë do të shkaktonte një krizë madhore politike në Shqipëri. Një tjetër rezultat do të ishte humbja e çdo perspektive të besueshme progresi drejt integrimit në Bashkimin Europian në të ardhmen e afërt dhe një spirale rrënimi politik, social dhe ekonomik në Shqipëri”.
Raporti, përveçse është një paralajmërim i fortë se çfarë mund të ndodhë në Shqipëri, në planin e brendshëm dhe të jashtëm, nëse bëhen zgjedhje jo të drejta, është edhe një tregues nervozimi dhe lodhjeje me Shqipërinë. Specialistët e kësaj organizate u kërkojnë politikanëve të Brukselit që të mos mjaftohen më me konstatime gjysmake si ato të tipit “zgjedhjet kishin probleme, por ishin më të mirat e bëra deri tani”. “Kishte parregullsi, por standardet në përgjithësi u arritën”. Jo, kësaj radhe duhen të bëhen zgjedhje të drejta, duhet të respektohet ligji dhe pikë. Europa nuk ka më nerva të merret me darka e dreka nëpër “Krokodilër”. Europa e di shumë mirë se mosgarantimi i një procesi zgjedhor të drejtë do të ndezë sërish një luftë apo krizë politike edhe me të egër se ajo që u mundua më kot ta shuante e zgjidhte Stefan Fyle për tre vjet me radhë.
Por ndërsa ekspertët e politikës europiane bëjnë sugjerime për t’ia vënë kufirin tek thana Shqipërisë, në Tiranë “vija e parë e kuqe” është shkelur tashmë. Raporti sugjeron që “Anëtarët e administratës zgjedhore nuk mund të hiqen për arsye të papërcaktuara në Kodin Zgjedhor”, por kjo tashmë ka ndodhur. KQZ është gjysmake tashmë dhe askush nuk po denjon ta plotësojë. Njëri prej anëtarëve u shkarkua për shkak të ndryshimeve politike që solli largimi i LSI-së nga koalicioni qeverisës dhe në shenjë hakmarrjeje, opozita i tërhoqi anëtarët e tjerë dhe KQZ është tashmë një farsë, siç e kanë cilësuar edhe diplomatët perëndimorë. Thirrjeve të vazhdueshme të tyre për ta plotësuar KQZ-në apo për të gjetur një zgjidhje kompromisi, duke e rikompozuar, asnjë palë nuk i është përgjigjur. Partitë kanë hyrë në fazën kulminante të fushatës pa e kthyer kokën pas tek KQZ, duke ia besuar vendimmarrjen Kolegjit Zgjedhor.
Kushtet në të cilat politika shqiptare po futet në zgjedhje janë vërtet dëshpëruese. Ndaj thirrjet për të na vendosur “vija të kuqe” apo të na e vënë kufirin tek “thana’ siç thotë një shprehje e jona, janë shumë të nevojshme. BE duhet me çdo kusht ta shtrëngojë qeverinë dhe klasën politike t’i japë fund epokës së kaosit elektoral, shkeljes së ligjit, vjedhjes së votës, thyerjeve të kutive të votimit, ndarjes së votave mes të fortëve në kurriz të të dobëtit, manipulimit të rezultatit në tavolinë etj., etj. 20 e ca vite pas vendosjes së sistemit politik pluralist, duhet më në fund të realizohen zgjedhje të drejta dhe mbi të gjitha të besueshme. Zgjedhje që të mos prodhojnë kontestime, greva urie, protesta për shkak të mosnjohjes së rezultatit dhe konflikte gjyqësore që zgjasin me muaj e vite.
Për këtë arsye, kërkesa që bën ESI duhet të bëhet në radhë të parë nga ne shqiptarët, sepse ne kemi nevojë për të ndarë dy epokat. Sepse pas zgjedhjeve, ne kemi nevoje që qeveria të merret me punët e vendit dhe jo me gjyqet e zgjedhjeve. Në kemi nevojë që pas zgjedhjeve, opozita të shkojë në parlament e të votojë ligjet që i shërbejnë vendit e jo të mbajë gjysmën e popullit në gjendje gatishmërie për protesta e demonstrata për shkak të rezultatit të zgjedhjeve. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›