Liderët e BE në Bruksel për superbuxhetin e ri
Liderët e vendeve të Bashkimit Europian nisën dje një takim dyditor në Bruksel, ku do të diskutojnë për buxhetin e ardhshëm të unionit, mes debatesh të ashpra dhe kërkesash të kundërta nga anëtarët. Disa prej tyre kërkojnë shkurtime në buxhet, të cilat duhet të ecin paralele me shkurtimet e vendeve anëtarëve në buxhetet kombëtare. Por, një pjesë e vendeve që i kanë sytë nga buxheti i BE-së, si Polonia dhe vende të tjera ish-komuniste, kërkojnë ruajtjen e nivelit të shpenzimeve, apo edhe rritjen e tij. Buxheti përfshin 937 miliardë euro dhe aktorë të fuqishëm të BE-së, si Britania, kërkojnë shkurtime. Por, Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, në fjalimin e tij u shpreh kundër kursimeve dhe pro investimeve. Plani i KE-së për buxhetin u pasua me shkurtime të mëdha nga presidenti i Këshillit Europian, Herman van Rompuj. Nëse takimi të premten mbyllet pa marrëveshje, do të mbahet edhe një tjetër takim.