Liderët e BE-së, marrëveshje për mbikqyrjen bankare

Liderët evropianë kanë rënë dakort që të krijojnë një mbikqyrje të vetme për bankat në vendet që përdorin euron, mekanizëm ky që do të fillojë të funksionojë vitin e ardhshëm.
Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy e bëri të ditur lajmin mëngjesin e sotëm në Bruksel, ku janë mbledhur liderët e 27 vendeve anëtare për samitin dy ditor, i cili i hapi punimet dje.
Presidenti i Francës, Francois Hollande tha se BE-ja e ka arritur një “pikë kthese” në krizë dhe se vendosja e një mekanizmi për ta shmangur krizën bankare është hapi i radhës për ta kthyer stabilitetin në rajon.
Ndërsa kancelarja Angela Merkel tha se rikapitalizimi bankar mund të ndodhë porsa të hyjë në fuqi mbikqyrja e plotë bankare, gjë që sipas saj, mund të marrë rreth dy muaj kohë.
UNIONI BANKAR, PLANI ME 3 FAZA I BRUKSELIT
1- Mekanizëm i Vetëm Monitorues
2- Skema e zgjidhjes së përbashkët për të ulur falimentimin e bankave
3- Skema e përbashkët e garantimit të depozitave