E Diel, 1 Nëntor 2026

Liderët e BE-së, takim për të qetësuar tregjet financiare

Bruksel Shtohet frika se mos Spanja ndjek shembullin e Greqisë

Udhëheqësit e vendeve të BEsë, të mbledhur në Bruksel, po përpiqen të qetësojnë tregjet financiare me deklarimet se është ndaluar kriza me të cilën përballej euroja. Në axhendën e bisedimeve janë masat për një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik dhe sanksione më të ashpra për vendet e BE-së me deficite të larta buxhetore. Kryeministri i ri britanik, David Cameron, merr pjesë për herë të parë në një samit të BE-së. Takimi zhvillohet në një klimë shqetësimi se mos edhe Spanja ndjek shembullin e Greqisë për të kërkuar ndihmë financiare nga partnerët në BE. Korrespondentja e BBC-së për çështjet europiane, Oana Lungescu, kujton se vetëm disa orë para samitit Spanja ka njoftuar për shkurtime në buxhet dhe reforma jopopullore të tregut të punës, me qëllim shmangien e një krize si ajo e Greqisë. Udhëheqësit europianë pritet të përkrahin nevojën për një taksë bankare për t’u siguruar që edhe institucionet financiare të përgjigjen për koston e krizave të ardhshme. Në programin e samitit është edhe diskutimi i fillimit të bisedimeve me Islandën për anëtarësim në BE. Ishulli në Atlantikun e Veriut e paraqiti kërkesën për anëtarësim vitin e kaluar, pas shembjes së sistemit bankar të vendit. Atëherë euroja dhe Eurozona dukeshin krejt të sigurta, thotë Oana Lungescu e BBC-së.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›