Liderët kërkojnë nga Ashton zgjidhje brenda Kushtetutës

(E plotësuar) “Vizita e baroneshës Ashton është një mesazh i fuqishëm për progresin e arritur në Kosovë për zotimin e mbështetjes së plotë të BE-së për të arriturat në Kosovë dhe për bashkëpunimin tonë të ngushtë me BE-në”, ka thënë Thaçi pas takimit me Ashton.
Kryeministri Thaçi dhe liderët opozitarë i kanë shprehur edhe njëherë baroneshës Ashton, qëllimin dhe vizionin e Republikës së Kosovës për të ardhmen evropiane dhe anëtarësimin në BE dhe në NATO.
Ata kanë ripërsëritur se çdo zgjidhje në kontekst të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duhet të bëhet brenda kornizave kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.
“Shprehëm konkludimin e përbashkët se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore duhet të vazhdojë në suaza të respektimit të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe të standardeve evropiane”, ka nënvizuar Thaçi.
Kryeministri i vendit ritheksoi se bisedimet janë në fazat e fundit për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jemi në një fazë të fundit për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e plotë të gjendjes në veri, për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë”, ka thënë Thaçi pas takimit.
I pyetur për qëndrimin e Ashton rreth deklaratave kontraverze të Nikoliqit, Thaçi ka thënë se këto deklarata janë ‘befasi edhe për Brukselin'.
Ndërkaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar takimin si një përpjekje të fundit për zgjidhjet e duhura në mënyrë që të gjendet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
I pyetur nëse baronesha Ashton ka vendosur kushte apo presion për palën kosovare, Haradinaj ka thënë:
“Takimi është vazhdimësi e përpjekjeve për të gjetur zgjidhje adekuate në kuadër të legjislacionit dhe kushtetutës së Kosovë. Nuk ka zgjidhje jashtë pakos së Ahtisaarit. Nuk ka kushte të caktuara dhe as presion”, ka thënë Haradinaj para gazetarëve.
Menjëherë pas takimeve me krerët me të lartë shtetit dhe liderët opozitarë, baronesha Ashton, menjëherë, është nisur për në Beograd, ku do të takojë krerët institucional të Serbisë./Indeksonline/
...................................................................................
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, takuan Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baroneshën Catherine Ashton.
Në takim morën pjesë edhe ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku dhe koordinatori politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Blerim Shala.
Presidentja Jahjaga, e vlerësoi vizitën e zonjës Ashton të rëndësishme meqë kontribuon në kuptimin e rëndësisë së procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, i cili për synim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Presidentja Jahjaga theksoi se i ka dhënë mbështetje dialogut si e vetmja zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe për paqen e stabilitetin në gjithë rajonin.
Ajo theksoi se procesi i dialogut nuk ka hapur çështje të tjera që lidhen me statusin ose ato që mund të rrënojnë të arriturat e përbashkëta me bashkësinë ndërkombëtare, dhe vlerësoi se marrëveshjet e arritura deri tash janë një bazë e mirë për lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka hyrë në procesin e dialogut e përkushtuar për të përmirësuar pozitën e komunitetit serb në Kosovë dhe për t’i integruar ata në jetën institucionale dhe politike të Kosovës. Ajo tha se duhet të jemi të pakompromisë në insistimin tonë që qeveria e Serbisë duhet të shpërbëjë strukturat e saj ilegale dhe paralele në komunat në veri të territorit të Kosovës, sepse ato po mbajnë peng jetën e qytetarëve serbë.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka treguar se është konstruktive dhe fleksibile brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të saj dhe tha se është me rëndësi arritja e marrëveshjeve që mund të zbatohen me sukses.
Ajo theksoi se i jep mbështetje të plotë procesit të dialogut dhe tha se me rëndësi është që të arrihen zgjidhje afatgjata e përfundimtare që nuk do të cenojnë funksionalitetin e Kosovës.
Presidentja Jahjaga theksoi se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës nuk mund të negociohen dhe nuk ka kthim prapa. Ajo tha se Kosova dëshiron që të konsolidojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe që të përafrohen më shumë me BE-në.
Presidentja Jahjaga theksoi se me rëndësi është që Kosova të marrë sinjale pozitive nga BE-ja, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Ashton, theksoi rëndësinë e dialogut për gjetjen e zgjidhjeve dhe vlerësoi konstruktivitetin e palëve në këtë proces.
Ajo tha se është arritur një përparim i dukshëm në dialog dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura./Indeksonline/
......
Baronesha Katherin Ashton ka filluar takimin me liderët e partive politike kosovare në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Në këtë po marrin pjesë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ai i AKR-së, Behgjet Pacolli. Ndërkaq, pakicat po përfaqësohen nga Slobodan Petroviq që udhëheq liberalët serb dhe Mahir Yagcilar.
Aty nuk janë prezent lideri i partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa i cili gjendet në Bruksel dhe Albin Kurti i Vetëvendosjes. Këta të fundit më herët kanë paralajmëruar se se nuk do të marrin pjesë në këtë takim pasi që kundërshtojnë dialogun në mes Kosovës e Serbisë.
------------------------------------
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme e siguri, Katherin Ashton, ka filluar sot rreth orës 9 të mëngjesit takimin me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Ky takim që po mbahet në Presidencën e Kosovës ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm të meieve, ndonëse ato nuk u lejuan as të marrin pamje e të fotografojnë treshen.
Më pas, baronesha Ashton do të takohet me liderët e partive politike kosovare. Mospjesëmarrjen në këtë takim e kishte paralajmëruar vetëm Lëvizja Vetëvendosje.
Pas këtyre takimeve nuk janë planifikuar deklarata për medie, por vetëm komunikata për shtyp.
Ndërkaq, ende nuk është e sigurt nëse ndërmjetësuesja e BE-së në dialogun në mes Kosovës e Serbisë do të udhëtoi për në Beograd.
Zyrtarët në Bruksel thonë me kusht anonimiteti se varet nga rezultati i bisedimeve në Prishtinë, nëse Ashton do të vizitoi edhe kryeqytetin e Serbisë./Indeksonline/