Liderët kosovarë dhe ndërkombëtarë bien dakord për të ndërhyrë në Mitrovicë
Prishtinë-Ndërkombëtarët që veprojnë në Kosovë dhe qeveritarët e këtij shteti u takuan sot për zgjidhjen e konfliktit në Mitrovicë. Në takimin merrnin pjesë krerët më të lartë si Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramë Manaj, ministri i Jashtëm Skënder Hyseni dhe ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti. Ndërsa nga organizmat ndërkombëtarë ishin shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, komandanti i KFOR-it, gjenerali Gai, zëvendësi i përfaqësuesit civil ndërkombëtar, Fletçer Barton, si dhe përfaqësuesit e policisë së EULEX-it.
Ata ranë dakord të merren masa të shpejta ndaj provokimeve për të nxitur tensione dhe destabilitet në veri të Kosovës. Siç raporton media vendeve në takim u theksua se duhet të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme që aktet e tilla në të ardhmen të parandalohen paraprakisht nëpërmjet koordinimit të veprimeve të të gjithë aktorëve në fushën e sigurisë.
Po kështu liderët kosovarë dhe ata ndërkombëtarë konstatuan se është më se e nevojshme që të vazhdojë koordinimi i plotë i të gjithë mekanizmave të sigurisë dhe institucioneve të Kosovës, në mënyrë që situata në veriun e vendit të mbahet nën kontroll dhe të parandalohen veprimet e atyre që kanë për qëllim destabilizimin dhe krijimin e tensioneve në vend.
Deklarata që tregon se policia e Kosovës bashkëpunon me atë të EULEX. “Qytetarët që synojnë të prishin rendin dhe qetësinë në Kosovë do të përballen me policinë e Kosovës, me policinë e EULEX-it dhe me forcat e KFOR-it, të cilat janë aty për sigurinë e të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Ndërkohë presidenca e Kosovës përmes një deklarate për shtyp ka përsëritur thirrjen se të gjithë qytetarët e Kosovës të përmbahen ndaj provokimeve që mund të vijnë nga ata që kanë për qëllim ndaljen e ecjes së Kosovës drejt proceseve të zhvillimit dhe perspektivës së gjithanshme.