E Shtunë, 31 Tetor 2026

I arrestuari denoncon policinë për dhunë

Gjirokastër-Ndërsa ka nisur seanca gjyqësore në ngarkim të tre shtetasve të arrestuar me 98 kg lëndë narkotike, njëri prej të pandehurve i ka treguar gjyqtarit dhe prokurorit se është rrahur nga policët në birucat e paraburgimit. 29-vjeçari Gentian Miho, ka treguar shenjat e keqtrajtimit fizik, të cilat ishin të dukshme në pjesë të ndryshme të fytyrës dhe veçanërisht në syrin e majtë i cili ishte i ënjtur dhe i nxirë tërësisht.

Ai ka deklaruar se pas dhunës së ushtruar mbi të, është dërguar në urgjencën e spitalit rajonal “Omer Nishani” për të marrë ndihmën mjekësore. Ndërsa, avokati mbrojtës i tij, Arjan Sotiri, ka kërkuar një konstatim nga një mjek ligjor për dhunën e ushtruar në sy dhe pjesë të tjera të trupit. Kallëzimi penal për këtë ngjarje i është depozituar prokurorit të çështjes, Spartak Çoçoli.

Pas denoncimit të njërit prej të pandehurve në gjykatë, për ushtrim dhune ndaj tij nga një oficer policie, ka reaguar edhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Në një deklaratë zyrtare për shtyp mohohet kategorikisht fakti se në ambientet e policisë është ushtruar dhunë. Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se në momentin e ndalimit 29-vjeçari Miho ka tentuar të largohej duke bërë rezistencë dhe duke kundërshtuar uniformat blu. “Në këto kushte forcat e policisë kanë qenë të detyruara ta shoqëronin të ndaluarin me dhunë drejt mjediseve të komisariatit të Gjirokastrës”, thuhet më tej në këtë deklaratë. Ky nuk është i pari rast kur avokatët denoncojnë raste të ngjashme ndaj klientëve të tyre.

Ndërkohë pas denoncimit të bërë nga i riu për shtrim dhune, seanca ka vazhduar normalisht. Trupi gjykues ka vendosur “Burg pa afat” për tri të ndaluarit me 98 kilogramë Mariuanë. Tre personat u ndaluan në orët e para të datës 4 janar në

rrugën nacionale Gjirokastër- Kakavijë, në vendin e quajtur Kafe Bora ndërsa transportonin një sasi prej 98 kilogramësh Mariuanë, të fshehur në mjetin me targa të Korçës. “Trafik i lëndëve narkotike” është akuza që rëndon mbi tre të ndaluarit e nëse ajo vërtetohet ata rrezikojnë të dënohen me 7-15 vjet heqje lirie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›