E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet kisha e Shën Gjergjit në Voskopojë

Shënohet vjedhja e radhës në kishat e Voskopojës. Objekte me vlera historike dhe kulturore janë grabitur në kishën e Shën Gjergjit të fshatit Shipskë, në Voskopojë të Korçës. Objekti i kultit ortodoks në këtë fshat thuajse të braktisur, por me një trashëgimi të pasur në kishën e tij ende funksionale, është bërë pre e grabitësve që kanë arritur të shtien në dorë vlera artistike dhe historike të afro katër shekujve më parë. Natën midis të dielës dhe së hënës, persona ende të panjohur kanë hyrë brenda kishës duke thyer dritaret e saj. Policia, që ende nuk ka arritur të zbulojë autorët, tha se nga hetimet paraprake del që vjedhësit janë njohës të vlerave të kësaj kishe dhe kanë përvetësuar nga kjo grabitje pikërisht objektet më me vlerë. Një kujdestar i kishës së Shën Gjergjit dhe banor i fshatit Shipskë, duke konstatuar vjedhjen e objektit të kultit ka dhënë sinjalizimin për mungesën e një kryqi qendror të kishës. Pas verifikimit në vendngjarje, policia tha se në kishën e Shën Gjergjit janë vjedhur Kryqi i Dragoit dhe pjesë të tij, si një shirit prej druri me ikona të vogla. Grabitësit kanë dëmtuar dhe përvetësuar edhe në pjesë të tjera të kishës. Bëhet fjalë për Sanktuarin (Ajodhima) dhe disa harqe prej druri. Policia tha se nga verifikimet paraprake, më me shumë vlerë rezulton të jetë Kryqi i Dragoit në kishën e Shën Gjergjit në Shipskë. Nga dëshmitë e banorëve të fshatit, por edhe të autoriteteve kishtare, është mësuar se Kryqi i Dragoit i përket shekullit XVII. Ky kryq i punuar prej druri, së bashku me pjesët përbërëse të tij si shiriti me ikona të vogla, ka vlera të rralla historike dhe kulturore. Për këtë arsye, pas disa dëmtimeve të pësuara ndër vite, ky kryq i është nënshtruar pak kohë më parë restaurimit nga specialistët e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, për t‘u rivendosur sërish në kishë. Dyshohet se këto objekte janë vjedhur për t‘u shitur apo trafikuar jashtë vendit. Sipas policisë, vjedhësit nuk kanë lënë shumë gjurmë me grabitjen e kishës së Shën Gjergjit, në fshatin Shipskë, që ndodhet rreth 24 kilometra larg qytetit të Korçës dhe afro 3 kilometra larg Voskopojës. Herë pas here, nga Mitropolia e Shenjtë në Korçë janë denoncuar raste të dhunimit dhe vjedhjes së kishave në rajonin Juglindor, ku janë marrë kryesisht vlera monetare të dhuruara nga besimtarët. Në Komunën e Voskopojës, ky është rasti i tretë më i rëndë i dhunimit të objekteve të kultit ortodoks. Rreth vitit 1995, në kishat e Voskopojës u dhunuan dy kisha, në të cilat u gërvishtën afresket dhe u shkruan parulla fondamentaliste në to, ndërsa pak vite më parë, kisha e Shën Thanasit u grabit për dy vite resht në të njëjtën periudhë të muajit gusht. Edhe në këtë kishë janë vjedhur objekte me vlera të rëndësishme historike dhe kulturore, ndërsa autorët nuk janë zbuluar nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›