Lideri i Shtetit Islamik në Siri vritet nga një sulm me dron amerikan

Udhëheqësi i Shtetit Islamik në Siri , Maher al-Aghal, u vra nga një sulm me dron amerikan në Aleppo, në veriperëndim të vendit, njoftoi Pentagoni. Në sulm u plagos rëndë edhe zëvendësi i tij.
Maher al-Aghal, i cili ishte një nga pesë liderët më të vjetër të grupit të Shtetit Islamik, po udhëtonte me një motoçikletë pranë qytetit Jadayris me këshilltarin e tij më të afërt kur u plagos, tha zëdhënësi i Pentagonit, nënkoloneli Dave Eastburn.
“Al-Agal kishte për detyrë të zhvillonte në mënyrë agresive rrjetet e Shtetit Islamik jashtë Irakut dhe Sirisë dhe shkatërrimi i tij do të prishë aftësinë e organizatës terroriste për të përgatitur dhe kryer sulme në mbarë botën,” tha në një deklaratë koloneli amerikan, Joey Buçino.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut , organizata joqeveritare me një rrjet të gjerë burimesh në Siri, konfirmoi vdekjen e Maher al-Aghal.
Forcat Demokratike Siriane, koalicioni i luftëtarëve kurdë dhe arabë të mbështetur nga Uashingtoni, thanë se një person u vra dhe një tjetër u plagos në një sulm ajror në provincën Aleppo. Ata nuk specifikuan identitetin e viktimave.
Sipas Pentagonit, gjatë operacionit nuk ka pasur viktima civile. Shteti Islamik kapi zona të mëdha të Irakut dhe Sirisë në vitin 2014, por “kalifati” i tij u përmbys në të dyja këto vende respektivisht në vitin 2017 dhe 2019.
Në shkurt, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi vdekjen e ish-liderit të ISIS, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurasi , i cili u hodh në erë gjatë një operacioni nga forcat speciale amerikane në veriperëndim të Sirisë, një zonë që mbetet nën kontrollin e xhihadistëve.
Në qershor, forcat amerikane kapën Hani Ahmed al-Kurdi, një figurë e lartë e Shtetit Islamik në Siri./ CNN.gr
/rtsh.al/