Lideri i ri i Rusisë, Putin ripropozon një soc-realizëm për letërsinë
Për disa rusë kjo të kujton një paraardhës të shkëlqyeshëm kategorik. Stalini, gjithashtu, pati një interes personal në çështjet kulturore, shpesh duke u thënë autorëve, kompozitorëve dhe drejtorëve si të bëjnë punën e tyre
Nëse do të bëhej një njoftim nga presidenti Obama që Shtëpia e Bardhë ka për qëllim të hartojë një listë prej 100 librash, të cilët të gjithë amerikanët do të detyrohen t’i studiojnë dhe pastaj do të testohen në lidhje me to, pak vetë do ta merrnin këtë si një iniciative për të fituar vota. Por gjatë sezonit të fushatës presidenciale të këtij viti, një tjetër kandidat e mendoi kështu. Në janar, në prag të zgjedhjeve të 4 marsit në Rusisë, kandidati favorit i këtyre zgjedhjeve, Vladimir Putin, propozoi “një listë të shenjtë prej 100 librash rusë të cilët çdo personi që mbaron shkollën do t’i kërkohet t’i lexojë në shtëpi... dhe pastaj të shkruajë një ese në lidhje me secilin prej tyre. “Leximi, sipas Putinit, nuk është thjesht një aktivitet që i përket zgjedhjes individuale, por një aktivitet që sjell pasoja vendimtare për kombin”. “Politikat shtetërore në lidhje me kulturën duhet të japin udhëzimet e duhura”, shkruan ai në një ese në gazetën “Nezavisimaya” dhe kultura formëson “ndërgjegjësimin e publikut dhe. . . modelet e sjelljes”. Detyra e Kremlinit, shpjegon Putin, është të përballet me rënien e leximit dhe ta rikthejë Rusinë në “një komb që lexon”.
Për veshët e perëndimorëve, ky propozim mund të tingëllojë si i padëmshëm (naiv), në mos pak i çuditshëm. Akademia Franceze rrallë bën propozime të tilla për të mbështetur kulturën galike si kundërsulm ndaj anglo-saksonëve. Por letërsia në Rusi nuk është aq neutrale si ajo në Perëndim. Për shekuj me radhë artet në Rusi kanë shërbyer si një vulë e vlefshmërisë kombëtare, një vend takimi i përbashkët dhe një depo e vlerave të përbashkëta. Në kohën e censurës dhe shtypjes, letërsia ka ofruar forumet e vetme të vendit për diskursin publik. Kjo është një pasuri e çmuar, posedimi i së cilës është i barasvlershëm me pushtetin. Në vitet e hershme sovjetike një poemë mund të jetë një dënim me vdekje, siç vë në dukje edhe poeti Osip Mandelstam. “Vetëm në Rusi respektohet poezia”, i tha ai gruas së tij. “Ata madje të vrasin për të”. Shumë shpejt pas kësaj ai vdiq në një qendër pune. Ndërsa Aleksandr Solzhenitsyn deklaron se shkrimtarët e mëdhenj kanë qenë qeveria e dytë e Rusisë, sepse ata ushtronin autoritetin moral që politikanëve u mungon.
Vështirë të habitesh, pra, se propozimi i Putinit mund të provokojë britma çjerrëse “hiqi duart (nga letërsia)”. Për disa komentues anti-Putin, klubi presidencial i librit është një përpjekje e poshtër për të rivënë artin nën kontrollin shtetëror. “Një shkencë e aplikuar sociale nëpërmjet letërsisë së mandatuar nga shteti”, e quan editorialisti Alexander Nazarjan, i Daily News, “bashkimi sovjetik i zhveshur para dëshirës së tij për të manipuluar intelektin njerëzor deri në bindje”.
Alarm i ekzagjeruar? Ndoshta. Por shumë rusë nuk e kanë harruar të kaluarën. Nën komunizëm shteti ishte botuesi i vetëm i vendit. Atëherë prodhoheshin në masë librat e "miratuar", me tirazhe deri në një milion, duke mbytur shkrimtarët jozyrtare (jo të përzgjedhur) (normë kjo që thyhej nga një qarkullim fenomenal i botimeve në fshehtësi (në underground) të samizdateve dhe një listë ideosinkretike të autorëve të huaj të miratuar për konsum publik (Sinclair Lewis, Robert Burns dhe John Galsworthy ishin ata që promovoheshin; të tjerë, shkrimtarë më të mëdhenj ishin ndaluar). Për një gjysmë shekulli që kur Bashkimi i Shkrimtarëve Sovjetikë dekretoi se tema e vetme e pranueshëm për letërsinë do të ishte lufta e njeriut për përparimin socialist, publiku u ushqye forcërisht-me një dietë “ushqimi” heroik.
Në fakt, kontrolli shtetëror ka ndikuar në drejtimin e miliona lexuesve drejt letërsisë "serioze", duke lënë klasikët rusë dhe poezinë e shekujve 19 dhe 20 si alternativat e vetme në dispozicion. Si p.sh. kur isha student në Leningrad në 1970, shikoja bashkë udhëtarët e mi të metrosë që lexonin Pushkinin, Tolstoin apo Ahmatovën. Ndërsa në mbrëmje ata shkonin në Kirov ose Philharmoni dhe qëndronin në rresht për të parë shfaqje baleti apo koncerte klasike. Nuk ishte se rusët ishin më të zgjuar se ne, por thjesht sepse trillimet me gjepura, plehrat hollivudiane dhe çamçakëzët që bëheshin flluskë ishin përjashtuar nga universi i tyre nga një shtet i vetë-interesuar.
Dëshmia se rusët janë thjesht si ne erdhi me rënien e komunizmit në vitin 1991, kur një bum i fuqishëm kulturor “falas për të gjithë” shpërtheu në boshllëkun e lënë nga censura e nisur me ngut. Një dëshirë e ndrydhur për “xhingla” perëndimore, të mohuara për një kohë të gjatë rreptësisht nga Kremlini, u ngop me shije. Letërsia arti dhe muzika u kthyen në të parëndësishme, sensacionale dhe ofensive. Rrejshmëria (fiction) ra në nivelin e kulturës masive perëndimore, për të mos thënë më poshtë akoma; pornografia pushtoi raftet dhe kinematë ndërsa televizionet u mbushën me telenovela të parëndësishme.
Në vitet e fundit ka pasur një modelim tjetër. Magjepsja me të gjitha gjërat perëndimore, kryesisht amerikane, është minimizuar dhe shkrimtarë seriozë vendas kanë dalë sërish në sipërfaqe. Shumë prej tyre janë më pak të entuziazmuar me realitetin modern rus, i cili natyrisht ngjall dyshimin se lista e Putinit mund të jetë një mjet për të devijuar vëmendjen drejt veprave më patriotike. Shpjegimi i Putinit për këtë ide ka më shumë tone të nacionalizmit të Rusisë së Madhe dhe tregon një refuzim të kultit "Perëndimorë" tek individët. Një "terapi e mprehtë kulturore", shkruan ai, formëson "një set mendimesh që lidh kombin së bashku", duke rrënjosur "patriotizmin qytetar" dhe duke i bindur njerëzit që të krenohemi me të qenit qytetarë të Rusisë.
Pra, a ka vend për alarm (panik)? Vladimir Putin nuk është një njeri i pazhvilluar. Pas njeriut të fortë të KGB-së fshihet dikush që e njeh poezinë e vendit të tij dhe e shijon duke e cituar atë. Ai recitoi rreshta nga Pushkini për të vënë poshtë Presidentin e Gjeorgjisë Mikheil Saakashvilin dhe me këtë mënyrë të zgjuar paralajmëroi oligarkët disa vite më parë se në qoftë se ata nuk viheshin në një linjë me Kremlinin, ata do të përfundonin si karakteret e "Eugene Onegin" - "disa të vdekur, dhe pjesa tjetër larg që andej ".
Por roli i vetëshpallur i Putinit si arbitër i shijes kulturore ka prodhuar momente shqetësuese. Vitin e kaluar ai mori përsipër të vendosë për të ardhmen e teatrit rus dhe arkitekturës publike në një prononcim si ato të Kryetarit Mao ("Ne kemi nevojë për teatro që do t’i shërbejnë popullit dhe më tej edukimit të kombit. Ndërtime arkitekturore nuk duhet të jenë të mëdha .. .. Ata duhet të prodhojnë pamje moderne që të jenë të kuptueshme për njerëzit modernë"). Dhe pasi shkoi me gruan e tij në një teatër të Moskës, ai thirri drejtorin për të diskutuar rrugën e drejtë për të prodhuar një dramë ("Pse tregohet në pjesë një hero që qan? Heroi është një person i fortë .... Ju nuk duhet ta tregoni atë duke u qurravitur"), një mësim për gjithë diturinë presidenciale të cilës drejtori i saktë iu përgjigj: "Ju keni absolutisht të drejtë".
Për disa rusë kjo të kujton një paraardhës të shkëlqyeshëm kategorik. Stalini, gjithashtu, pati një interes personal në çështjet kulturore, shpesh duke u thënë autorëve, kompozitorëve dhe drejtorëve si të bëjnë punën e tyre. Fati i shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj do të vendosej nga një goditje e stilolapsit lakonik të udhëheqësit në margjinat e dosjeve të tyre policore. Isaak Babel, Osip Mandelstam dhe Vsevolod Meyerhold, të gjithë morën një OK fatale me kokë poshtë, ndërsa Boris Pasternak ("Lëreni atë banor resh në paqe") dhe Mikhail Bulgakov për fat të mirë i shpëtuan telefonatave të mesnatës nga njeriu që kolegët e tij e përshkruanin si "Xhengis Khani me një telefon", që i merrte ata në pyetje mbi domethënien e artit.
Putin nuk është fare në atë fazë, ende. Dhe nuk ka pasur deri tani asnjë shenjë se cilët do të jenë këto 100 libra që do të marrin vulën e miratimit të presidentit. Por ekziston frika se ditët e vjetra të seleksionimit nga shteti do të vijnë përsëri. Pas një lulëzimi të shkurtër në vitet 1990, botuesit e pavarur të Rusisë kanë rënë në kohë të vështira. Falimentimet kanë reduktuar numrin e tyre, libraritë janë mbyllur dhe publikimet në Internet janë ende në foshnjërinë e tyre. Me shtetin që është i vetmi që posedon burimet, rikthimi i ditëve të letërsisë zyrtare mund të jenë më pranë se ç’ne dyshonim.