Shpëtoni jetën e Agron Aliajt!

Agron Aliaj
NESTOR KRAJA
LETER E HAPUR
Ministrit të Shëndetësisë, z. Petrit Vasili.
Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi.
Për dijeni, Kryeministrit të vendit, z. Sali Berisha.
Artisti i Popullit, Agron Aliaj, koreografi i mirënjohur, krijuesi i shumë baleteve nacionale dhe njëkohësisht një nga njerëzit e mirënjohur për kulturën dhe talentin e tij, ndodhet i aksidentuar nga një autoveturë në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje të rëndë. Me shtyllën kurrizore të dëmtuar, me duar të paralizuara e me brinjë të thyer, ai kaloi sonte në mbrëmje, si shenjë e komplikacioneve, edhe një bllokim të frymëmarrjes. Ky artist dhe personalitet me aktivitet dhe njohje të mbarë shoqërisë jo vetëm shqiptare, ka tashmë shumë ditë që pret të operohet për tu shëruar. Sipas mjekëve që e ndjekin, Agroni duhet të operohet në ndonjë klinikë të specializuar jashtë vendit, por deri më sot, pas dy javësh, nuk ka asnjë lajm konkret mbi kohën dhe vendin e kryerjes së operacionit. Agroni dhe ne të gjithë po presim burokracinë shqiptare ti risjellë atij lëvizjen dhe jetën me të cilën u mor gjatë gjithë karrierës së tij. Tani në fund të jetës ai po pret atë mirënjohje jetike për punën dhe veprën titanike dhe të mrekullueshme që u dhuroi njerëzve dhe vendit të tij.
Në emër të të gjithë artistëve shqiptarë që kam takuar dhe kontaktuar gjatë gjithë këtyre ditëve dhe në emrin tim personal, u kërkoj të gjitha organeve shtetërore të lëvizin dhe të bëjnë çështë e mundur që koreografit të njohur Agron Aliaj ti bëhen të gjitha shërbimet e nevojshme për ta çuar sa më parë në një spital të specializuar, i cili do të marrë përsipër ta operoje e ta risjellë atë në gjendje normale.
Me nderime
Nestor Kraja
Kompozitor
Pedagog në Universitetin
e Arteve Tiranë