E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogjia e modelit gjerman të zgjedhjes së presidentit

21-03-2012 / Nga Lavdrim Lita

Disa njerëz të dijes së hollë janë përpjekur të ushtrojnë këto ditë një presion pedagogjik mbi modelet morale për figurën e Presidentit të ardhshëm të vendit, në pamundësi të gjykimit mbi kandidaturat për president të Republikës. Modeli më i përdorur është zgjedhja e Joachim Gauck si presidentit të Gjermanisë. Joachim Gauck është një figurë popullore si ish-pastor protestant dhe një figurë e pastër moralisht pas dorëheqjes së vonuar të Christian Wulff, i cili është nën akuzë për abuzim me pushtetin nga drejtësia gjermane.
Mirëpo këto njerëz të dijes harrojnë të thonë se Presidenti Gauck ka qenë një emër që lakohej edhe përpara se të zgjidhe President Wulff, madje shumë. Ndonëse përzgjedhja e atëhershme ra mbi Wulff thjesht për kalkulime politike të kancelares Merkel dhe me shumë mundësi mendohej se Gauck ishte një figurë e pavend për të. Ndoshta, me shumë mundësi përzgjedhja kishte të bënte edhe më të kaluarën që Merkel dhe Gauck kishin pasur gjatë regjimit komunist të Gjermanisë Lindore. Sigurisht nuk kishte asnjë të dhënë se Wulff ishte i pandershëm megjithëse ishte një personazh pa shumë peshë, pa ndonjë të kaluar të ndritur. 
Sakaq në Gjermani presidenti nuk ka aq pushtet sa kanë presidenti amerikan apo ai francez. Dhe as që janë të barabartë me kompetencat shtetformuese që ka një president shqiptar. Gjermanët presin nga presidenti i tyre një sens të detyrës dhe të etikës publike, një sjelle përafërsisht aristokrate: që duhet të thotë – në momentet kritike – fjalë të forta dhe të vendosura. Me një llaf, një herë e për mall. Në Gjermani presidentët kanë qenë thelbësorë në vitet e pas luftës, pastaj në vitet ‘70 dhe ’90, me figura si Theodor Heuss, Gustav Heinemann, Richard Von Ueizsäcker, Roman Herzog, Johannes Rau. Kjo traditë e vyer u prish në vitin 2004, me paraardhësin e Wulff që ishte Hort Kohler. Të dy kanë qenë njerëz të kancelares Merkel, që janë detyruar të japin dorëheqjen parakohe.
Gjithashtu duhet të kujtojmë një sesi iu komunikua përzgjedhja e emrit për president të Gjermanisë zotit Joachim Gauck. Ishte ora 21. 14 të datës 19 shkurt kur kancelaria gjermane Angela Merkel, “gruaja më e fuqishme e botës” doli në një konferencë për shtyp me Gauck dhe krerët e partive të shumicës qeverisëse në Gjermani. “Kemi përzgjedhur Gauck sepse është një mjeshtër i vërtetë i demokracisë”, tha Angela Merkel. Të gjithë kishin ardhur befasisht. Më i befasuari ishte pikërisht ai, Jochim Gauck. “Isha në taksi për punë të miat kur kancelarja më telefonoi”, tha ai haptazi. “Më falni, por nuk kisha as kohë për t’u ruajtur. Mos prisni një president-supermen nga mua, do të bëj edhe gabime, por do të shërbej për vendin, për vlerat themeltare të demokracisë sonë, që është dhe forca jonë”.
Ky zbërthim i modelit të përzgjedhjes gjermane shërben për të kuptuar më shumë kulturën politike të një vendi si Gjermania, lokomotivë tërheqëse e ekonomisë europiane. Po ashtu shërben për të theksuar faktin që është kreu i shumicës së një parlamenti ai që jep modelin e saktë, edhe pse ka gabuar më parë në propozimin e emrit të presidentit. Kancelaria gjermane mund të thuhet se ka “gabuar” dy herë në përzgjedhjen e presidentit të vendit të saj. Prandaj nga pedagogjia gjermane mund të nxjerrim leksionin se njerëzit gabojmë, por mësojnë nga gabimet e mëparshme.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›