Lideri testohet në Merdarë
Java 30-të e Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll do të sjellë përballje mjaft interesante, pasi në Merdarë takohen kampioni Hysi dhe lideri i tabelës Prishtina.
Skuadra kryeqytetase në tri ndeshjet e fundit ka shënuar nga pesë gola, por kundër Hysit do të jetë shumë e vështirë, pasi skuadra llapjane në shtëpi është skuadër shumë e fortë.
Pavarësisht kësaj, mesfushori i Prishtinës, Qëndrim Sejdiu është shprehur optimist për këtë duel dhe ka thënë se vetëm fitorja është e rëndësishme, nëse dëshirojnë të ruajnë hapin për titull.
“Ne në Merdarë shkojmë për fitore, pasi vetëm fitorja është e rëndësishme në këtë fazë të kampionatit”, tha mesfushori bardhekaltër për Express.
Në anën tjetër, Yll Hoxha ka pranuar se tashmë i kanë humbur gjasat për titull, por se kundër Prishtinës do të luajnë lojën e tyre dhe do të shpresojnë në një rezultat pozitiv.
“Ne, edhe pse i kemi humbur gjasat për titull, kundër Prishtinës do të luajmë lojën tonë dhe do të shpresojmë për një rezultat pozitiv”, tha mesfushori i Hysit.
Po në këtë xhiro do të ketë edhe dy ndeshje shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë, pasi do të takohen Gjilani – Trepça dhe KEK-u - Lepenci.
Superliga – Xhiroja e 30-të
E shtunë
Hysi – Prishtina 15:15
KEK-u – Lepenci 16:00
Gjilani – Trepça 16:00
E diel
Drita – Vëllaznimi 15:15
Besa – Liria 16:00
Trepça ’89 – Drenica 16:00