Gramozi, sot pranë Kavajës për tu ambientuar me temperaturat
Kolonjarët do të grumbullohen sot në një hotel afër qytetit, ku do të luajnë ndeshjen me Naftëtarin për tu përshtatur me të nxehtin
Kolonjarët, edhe pse kushtet atmosferike kanë qenë të përpërshtatshme ditët e fundit, nuk i kanë ndërprerë përgatitjet për takimin përcaktues me Naftëtarin. Grupi i futbollistëve stërvitet i rrethuar çdo ditë nga një numër i madh tifozësh, të cilët mendohet ta shoqërojnë ekipin drejt Kavajës.
Tifozët kolonjarë po mundohen të organizohen sa më mirë për finalen me Naftëtarin, që vlen sa i gjithë sezoni. Në radhët e Gramozit ka besim për kalimin me sukses të kësaj ndeshjeje, edhe pse futbollistët nuk kanë shumë dëshirë të flasin për shtypin sportiv. Drejtuesit më të lartë të klubit e vlerësojnë Naftëtarin dhe mendojnë se ekipi duhet të flasë më mirë në fushë, duke treguar vlerat më të mira.
Edhe tifozët kolonjarë me banim në Tiranë po përgatiten për ta mbështetur Gramozin në stadiumin e Kavajës. Ata po mendojnë për një organizim madhështor dhe kanë përgatitur edhe një flamur të madh me mbishkrimin Gramozi dhe Taçi Oil, ndërkohë që nuk do të mungojnë fishekzjarret dhe tullumbacet me emrin e çdo futbollisti, që do të lëshohen në rast fitoreje. Madje, tifozët i kanë bërë një ftesë për në Kavajë edhe atij që e bëri me emër klubin kolonjar, z.Mustafa Taçi.
Grumbullimi Dje pasdite është zhvilluar edhe ndeshja e kontrollit, ku trajneri Ilir Qirjako ka parë gjendjen e të gjithë futbollistëve dhe tashmë e ka të qartë se cilët do të jenë titullarët. Gramozi do të lërë sot paradite qytetin e Ersekës për tu grumbulluar në Hotel Leonardo, pranë qytetit të Durrësit, aty ku ka qëndruar për të gjitha ndeshjet e luajtura jashtë. Eshtë vepruar kështu, në mënyrë që ekipi të ambientohet me temperaturat e larta, pasi dihet që në Ersekë vazhdon të jetë ende shumë freskët.
