Selimaj: Te Luftëtari u punua në një klimë të mrekullueshme
Portieri shkodran, Erind Selimaj, shpreson të jetë me ekipin gjirokastrit edhe sezonin e ardhshëm, duke mbrojtur portën e tij në Superligë
Te Luftëtari i sezonit 2011-2012 punuan 5 futbollistë shkodranë për fazën e parë dhe mbetën 4 deri në fund, sepse Florjan Pjetrani nuk gjeti vend për fazën e dytë. Erind Selimaj pati detyrën më të vështirë, atë të portierit, ndërsa të tjerët janë mbrojtësi Alis Baci, mesfushori Behar Ramadani dhe sulmuesi Jasmin Raboshta, të gjithë titullarë dhe asnjëri nuk ka mbushur 24 vjeç.
Pra, janë ende në fillimet e karrierës së tyre. Ata luftuan me përkushtim për ta nderuar fanellën e Luftëtarit, veten, shkollën shkodrane të futbollit dhe ndikuan esencialisht për kthimin e tij në Superligë pas 5 sezonesh hallakatje në monopatet e inferiores. Roli i portierit kuptohet nga thënja se aty ku shkel ai nuk mbin bar.
Selimaj vetëm në ndeshjen Gramozi-Luftëtari, 0-3, ia la vendin Gërxhollit për arsye kartonësh, kurse në të tjerat nuk ka munguar asnjë sekondë. Për sezoni e ri, të dy portierët e Luftëtarit kanë më shumë përvojë dhe kanë treguar rritje në lojë, ashtu siç Superliga ka kërkesa po në rritje. Se cilët futbollistë do të jenë në përbërje të ekipit gjirokastrit, do ta tregojnë bisedimet me drejtuesit e tij, kërkesat e trajnerit që do të caktohet për sezonin 2012-2013, si dhe ofertat që ata mund të kenë.
Selimaj Për suksesin që arriti me Luftëtarin, portieri Erind Selimaj thotë: Shpallja e Luftëtarit kampion na gëzoi pa masë, sepse u justifikua investimi dhe kujdesi që u bë nga drejtuesit e donatorët, si dhe përkrahja e publikut, veçanërisht e një grupi tifozësh, që kanë ardhur edhe në ndeshjet jashtë Gjirokastrës. Edhe pse patëm dy stafe trajnerësh, një për çdo fazë, ekipi ynë asnjëherë nuk e humbi kryesimin që nga momenti që e mori atë.
Kemi humbur 4 ndeshje në 30 dhe them se është diçka e pranueshme. Në Gjirokastër patëm vetëm fitore, të gjitha të mrekullueshme. Natyrisht që vetkënaqësia duhet luftuar gjatë kampionatit, ndërsa pas mbylljes së tij, kur arrihet suksesi, duhet festuar për aq kohë sa ka kuptim, sepse më pas duhet përsëri stërvitje, qoftë edhe individualisht.
Nga Gjirokastra largohem (tani është në Shkodër) me përshtypjet më të mira dhe me shpresën se mund të jem edhe sezonin e ri me Luftëtarin në Superligë. Sidoqoftë, nuk do ta harroj që në Gjirokastër kaluam një sezon të bukur sportiv, në harmoni me të gjithë lojtarët e tjerë, faktor që ndikoi për suksesin. Luftëtarit i uroj suksese në rifreskimin e traditave të tij. Patëm një klimë të mrekullueshme dhe ndoshta do ta kemi përsëri sezoni e ri.
12 ndeshje
pa pasuar gol për portierin shkodran, i cili në 29 nga 30 javët që kishte kampionati, duke munguar vetëm në transfertën e Ersekës, ku Luftëtari, me Gërxhollin në portë, nuk pësoi gol dhe kështu i bëhen 13 ndeshje pa gol
5 shkodranë
pati ekipi gjirokastrit gjatë sezonit që shkoi. Përveç portierit Selimaj, ishin edhe Baci, Ramadani, Raboshta dhe Pjetrani, por ky i fundit u largua pas përfundimit të fazës së parë
