Canka: Triumfon Lushnja brenda 90 minutave
Sulmuesi Mikel Canka parashikon fitoren e skuadrës së tij dhe thekson se nuk do të jetë nevoja për kohë shtesë apo për
11-metërsha
Lushnjarët po e përgatisin me shumë kujdes ndeshjen e fundit të këtij sezoni, ku kanë shansin e dytë për tu ngjitur në Superligë. Futbollistët janë në gjendje mjaft të mirë dhe stafi teknik ka zhvilluar dhe një test kontrolli për të pasur një ide më të qartë se kush meriton të jetë në formacion ditën e diel ndaj Apolonisë.
Përgatitjet kanë ecur ashtu si duhet dhe ajo që pritet është fitorja, nëse luhet në kushte të barabarta për të dyja skuadrat. Djemtë e drejtuar nga trajneri Sajmir Malko premtojnë ngjitjen në Superligë, duke u shprehur se do të luajnë një ndeshje të bukur për të mbushur me emocion zemrat e tifozëve të tyre dhe për të vërtetuar se Lushnja e meriton të jetë mes më të mirëve.
Canka Stafi teknik po përgatit strategjinë për ta mposhtur Apoloninë, ndërsa futbollistët premtojnë autokritikën për tifozët e tyre. Na vjen keq, që nuk mundëm të gëzonim mbi 12 mijë lushnjarë, të cilët na mbështetën në ndeshjen me Kukësin, që tashmë e kemi hedhur pas krahëve. Ngarkesa emocionale dhe tensioni bëri që të mos dilnim në lojën tonë. Ndryshon puna për ndeshjen me Apoloninë, sepse mjafton edhe fitorja 1-0, gjë që na lehtëson jo pak.
Kemi punuar dhe po punojmë, që të mos e zhgënjejmë tifozërinë tonë dhe veten. Duam të jemi në Superligë sezonin e ardhshëm, – ka thënë golashënuesi më i mirë i Lushnjës, Mikel Canka. Ai e vlerëson Apoloninë, por beson se në fund do të triumfojë skuadra e tij: Kundërshtarin e njohim dhe e kemi vlerësuar drejt. Eshtë një finale, nga e cila varet Superliga, pra, objektivi ynë.
Apolonia ka një skuadër me të rinj dhe është shumë efikase, por mendoj se skuadra jonë është e favorizuar për të fituar. Nuk mendoj se do të ketë shtesë, sepse do të dimë ta zgjdhim këtë ndeshje brenda 90 minutave. Jam i bindur se do të ndodhë kështu, ndaj dhe i kërkoj tifozërisë sonë të mos mungojë edhe në këtë finale. Eshtë fat, që nuk do të luajmë në Shkodër, por në Durrës, shumë afër, kështu që tifozët besoj se do të jenë të shumtë, – ka përfunduar Canka.
Tifozët, gati të pushtojnë stadiumin Niko Dovana
Tifozëria lushnjare, pa dyshim edhe ajo fierake, janë mjaft të lumtura për afrimin e ndeshjes në stadiumin Niko Dovana, ku do të përcaktohet skuadra e fundit që do të jetë pjesë e Superligës sezonin e ardhshëm. Vendimi për ndryshimin e stadiumit e ka kënaqur tifozërinë e zjarrtë lushnjare, sepse Durrësi është një destinacion i arritshëm për shumicën e tyre me rreth një orë largësi nga Lushnja.
