Lideri, veç fitore

Lideri i Superligë, Trepça ’89 po shkëlqen në sezonin e ri duke u renditur në krye të tabelës me 20 pikë të tubuara. ‘Xehetarët’ në tetë ndeshje kanë barazuar dy herë dhe kanë shënuar gjashtë fitore derisa ende nuk e dinë se çfarë është humbja.
Trajneri i mitrovicasve, Gani Sejdiu me djelmoshat e tij synojnë që këtë seri të rezultateve pozitive ta vazhdojnë edhe të dielën në duel me Drenicën. ‘Xehetarët’ thonë se do ta japin maksimumin për t’i fituar tri pikë të reja të dielën në stadiumin ‘Riza Lushta’, për ta përforcuar akoma më shumë pozicionin e tyre në krye të renditjes tabelore.
“Kemi respekt për Drenicën, e cila tradicionalisht na shkakton probleme, kur luan këtu në Mitrovicë, mbase bëhet fjalë për një derbi rajonal. Por, futbollistët e mi janë shumë të motivuar, andaj shpresoj ta shfrytëzojnë formën që e kanë mbërritur dhe të fitojmë sërish”, deklaroi për Express, trajneri i mitrovicasve, Gani Sejdiu.
Megjithatë, edhe pse konsiderohen favoritë, mitrovicasit nuk do ta kenë të lehtë ta arrijnë objektivin, ngase edhe Drenica me çdo kusht do të mundohet të shënojë fitore, gjë që nuk e ka bërë qe shtatë javë.
“Sa i përket ndeshjes kundër Trepçës ’89, e dimë se kemi përballë një skuadër të mirë dhe cilësore. Ne jemi në krizë momentale dhe takimi i së dielës për ne do të jetë shumë i rëndësishëm. Ne jemi të përqendruar në këtë takim dhe shpresojmë që me një lojë të mirë, nga Mitrovica do kthehemi të pamposhtur, pse jo t’i shkaktojmë edhe humbjen e parë Trepçës ‘89”, theksoi trajneri i kuqezinjve, Tahir Lushtaku.
Të dielën do të zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera, Besa do ta presë Lirinë, derisa Feronikeli do të jetë nikoqir i Llamkos Kosovës, e cila po kalon nëpër një krizë të rezultateve.
Superliga – xhiroja e 9-të
E diel
Besa – Liria 15:00
Trepça ’89 – Drenica 15:00
Ferronikeli – Ll. Kosova 15:00
E hënë
Hajvalia – Prishtina 15:00