E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidington: Palët të ushtrojnë përgjegjësitë kushtetuese

Ministri britanik i shtetit për Europën David Lidington ka mbështetur plotësisht parimin e ndjekur në Shqipëri për të numëruar çdo votë të qytetarëve ndërsa ka theksuar se në përfundim të procesit zgjedhor palët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese, institucionale dhe politike në Parlament dhe organet e tjera të zgjedhura.
Sipas faqes zyrtare të kryeministri gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha, ministri Lidington ka theksuar gjithashtu se roli i vërtetë opozitës është në institucione dhe jo në rrugë. Ai vlerësoi se bashkëpunimi me vullnet të mire brenda institucioneve, në plotësimin e detyrimeve në kuadrin e integrimit evropian është garanci për një integrim të suksesshëm të Shqipërisë në BE.
Ministri Lidington e siguroi kryeministrin se Mbretëria e Bashkuar është një mbështetëse kryesore dhe e fuqishme e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perendimor dhe në mënyrë të vecantë e antarsimit të Shqipërisë në BE. Ai theksoise plotësimi i kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian e bëjnë procesin e antarsimit të besueshëm dhe solid.
Nga ana e tij kryeministri Berisha duke nënvizuar përmirësimet e infrastrukturës zgjedhore në dy vitet e fundit i konsideori zgjedhjet e 8 majit si zgjedhjet më të mira dhe transparente të zhvilluara gjer më sot. Kryeministri u shpreh i vendosur për garantimin e barazisë së votës dhe numërimit të drejtë të çdo vote të hedhur nga qytetarët shqiptarë. Duke u ndalur tek rezultati i ngushtë me të cilin kandidati i Partisë Demokratike fitoi Bashkinë e Tiranës, ai theksoi se një rezultat i tillë ishte një test shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm për funksionimin e drejtë të procesit ligjor dhe profesionalizmin e institucioneve të mandatuara për certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve.
Duke e cilësuar integrimin në BE si projektin madhor të shqiptarëve, kryeministri Berisha garantoi se qeveria shqiptare po punon me angazhim maksimal për të përmbushur të gjitha detyrimet që Shqipëria ka në kuadrin e integrimit në BE. Ai nënvizoi që për të dhe qeverinë e tij ky proces bazohet në performancë dhe meritë.
Në përfundim kryeministri Berisha i kërkoi ministrit Lidington që ti përcjellë ftesën për një vizitë në Shqipëri kryeministrit britanik Cameron dhe ministrit të jashtëm William Hague.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›