E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e ardhshme e BE-së, Polonia, premton mbështetje për integrimin Evropian të Shqipërisë

09-06-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, takon kryetarin e parlamentit polak, Grzegorz Schetinau

Shqipëria ka marrë mbështetje të rëndësishme për integrimin në Bashkimin Europian nga presidenca e ardhshme e bllokut 27 anëtarësh, Polonia. Gjatë një vizite zyrtare në Poloni, shtet që merr dhe presidencën e radhës së BE-së më 1 korrik, kryeparlamentarja Jozefina Topalli është informuar për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian. Në takimin me kryetarin e Parlamentit polak, Grzegorz Schetinau, ky i fundit ka deklaruar se Polonia është një ndër vendet që përkrah qartazi dhe haptazi zgjerimin sepse ky është edhe qëllimi i këtij bashkimi. “Zgjerimi i BE do të jetë edhe një ndër temat kryesore gjatë presidencës sonë të BE dhe ne do t’ju mbështesim”- është shprehur kryetari i parlamentit polak, Schetina. Në këtë takim kryetarja e Kuvendit Topalli, vlerësoi këtë vizitë si edhe pritjen e palës polake në këtë moment të rëndësishëm dhe shumë impenjativ, të marrjes së presidencës së BE-së nga vendi i tyre, si një vizitë të privilegjuar. “Ne jemi shumë të kënaqur që Polonia po merr presidencën e BE, është një vend që ka punuar fort. Unë shoh me admirim zhvillimin e Polonisë, në mënyrë të veçantë si keni kapërcyer krizën dhe keni rritje ekonomike të qëndrueshme. Unë ju bëj urimet më të mira për sukses të plotë”- u shpreh kryetarja e kuvendit Topalli.
Biseda mes Schetina dhe Topallit u fokusua në marrëdhëniet politike shumë të mira midis Polonisë dhe Shqipërisë. Gjithashtu dy krerët e lartë vlerësuan raportet ekonomike midis dy vendeve dhe theksuan se ekzistojnë mundësi të mira për të intensifikuar raportet ekonomike dhe veçanërisht shkëmbimet tregtare me interes reciprok. Më tej kryeparlamentarja Topalli u shpreh se i ka kushtuar një rëndësi të veçantë diplomacisë parlamentare, dhe rolit të saj për shkëmbimin e përvojave dhe për afrimin mes parlamentarëve. Topalli po ashtu i ka bërë ftesë kryetarit të parlamentit polak që të vizitojë Shqipërinë dhe të njihet me përpjekjet titanike për reforma të shqiptarëve, falë të cilave ata kërkojnë përshpejtimin e proceseve integruese. Kërkesës së kryeparlamentares Topalli për mbështetje ndaj Shqipërisë, kryetari i parlamentit të Polonisë, Schetina iu përgjigj se Polonia është një ndër vendet e BE-së, që përkrah qartazi dhe haptazi zgjerimin e BE-së, sepse ky është edhe qëllimi i këtij bashkimi. Ai mirëpriti ftesën e Kryetares se Kuvendit për të vizituar Shqipërinë. “Do të vij me kënaqësi sepse më kanë treguar që vendi juaj Shqipëria është një vend i bukur dhe miqësor”. Me tej, në vijim të këtij takimi të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se ka vend për të shtuar bashkëpunimin dhe kontaktet të çdo niveli parlamentar. Po ashtu ata u shprehen të interesuar që të ketë shkëmbime mes deputetëve, komisioneve parlamentare dhe grupeve të miqësisë. “Shqipëria është vend i NATO-s, sot shqiptarët lëvizin të lirë si gjithë qytetarët e Evropës. Ata ndihen evropianë për orientim dhe vokacion, e konsiderojnë veten si një ndër popujt më të vjetër evropianë në këtë pjesë të botës”- u shpreh më tej kryetarja e kuvendit Topalli.
Kreu i senatit polak, Boruseviç: Opozita s’mund të bëjë lojëra me votat e shqiptarëve/Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është pritur në Poloni në një takim nga kryetari i senatit polak, Bogdan Boruseviç. Kryetari i Senatit polak, Boruseviç duke i shprehur miqësinë për Shqipërinë dhe shqiptarët tha se ishte i lumtur për vizitën e saj në Varshavë. Kjo vizitë vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Poloninë e cila merr presidencën e BE-së. Ai i tha se ishte i ndërgjegjshëm se kjo vizitë zhvillohet në një moment shumë të rëndësishëm edhe për Shqipërinë, për arritjet dhe ambiciet e saj. Gjatë këtij takimi kryeparlamentarja Topalli dhe homologu i saj Boruseviç u ndalën edhe në situatën pas zgjedhore në Shqipëri. “Më 8 maj në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet lokale, ku shqiptarët votuan me një pjesëmarrje shumë të madhe, me  shumë qytetari e në qetësi. Këto ishin zgjedhje shumë kompetitive dhe transparente, në fakt ato ishin zgjedhje të drejta e të ndershme. Koalicioni i mazhorancës mori 17 % vota më shumë se opozita në nivel kombëtar. Kjo ishte fitorja më e thellë që nga zgjedhjet të 1992” - u shpreh kryeparlamentarja Topalli. Ndërsa Boruseviç u shpreh se, në zgjedhje dikush fiton dhe dikush humb. Sipas tij, opozita mund të bëjë lojërat e saj, por nuk duhet të dëmtojë vendin. Ai tha se edhe opozita në Poloni ka kërcënuar me bojkot, por nuk e bëri kurrë atë. Sipas tij, bojkoti është si të kesh një armë që e kthen nga vetja. “Është e rëndësishme që opozita të kthehet në përgjegjësitë e saj. Ju i keni fituar zgjedhjet dhe ju takon të drejtoni”- theksoi në fjalën e tij kryetari i Senatit polak, Boruseviç.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›