E Diel, 1 Nëntor 2026

522.5 milionë lekë për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës

09-06-2011 / Gazeta 55

Qeveria miraton vendimin

Këshilli i Ministrave vendosi dje shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive  të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Unaza e Madhe e Tiranës. Sipas vendimit të miratuar nga qeveria në mbledhjen tradicionale, shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen truall 26. 864m2, me vlerë 229 milion e 78 mijë e 496 lekë, objekte me vlerë 293 milion e 519 mijë e 21 lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 522 milion e 597 mijë e 517 lekë.
Shpenzimet procedurale, në vlerën 1 milion e 491 mijë lekë, do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Ndërsa vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 522 milion e 597 mijë e 517 lekësh do të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2011, për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit. Sipas vendimit, shpronësimi do të fillojë më 15 qershor 2011 dhe do të përfundojë më 15 nëntor 2011. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›