Axhenda e reformave dhe integrimi evropian i Shqipërisë, në fokus të diskutimeve
Ministri britanik i Shtetit për Evropën dhe NATO-n, David Lidington viziton sot Tiranën
Ministri Britanik i Shtetit për Evropën, z. David Lidington, mbërrin në Tiranë sot, me ftesë të ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto. Kjo është vizita e parë e z. Lidington për Shqipërinë që kur ai u bë Ministër në muajin maj, të vitit 2010. Ai do të takohet me Kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, Presidentin e Republikës si dhe kreun e opozitës për të diskutuar mbi gjendjen politike, axhendën e reformave të BE-së, dhe prioritetet e Mbretërisë së Bashkuar. Në bisedimet zyrtare që do të zhvillohen në ministrinë e Punëve të Jashtme, ministrat Haxhinasto dhe Lidington, do të trajtojnë çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh; të bashkëpunimit në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE si dhe mbi zhvillimet më të fundit në rajon e më gjerë. Pas takimit, të dy ministrat do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Ministri Lidington, do të bëjë gjithashtu një takim të shkurtër me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Gjatë rrugës për në Tiranë, z. Lidington ka deklaruar se “Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm për të ardhmen Evropiane”. “Ky është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë”. “Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqimisht dëshirën e Shqipërisë për t’u bashkuar me BE-në. Megjithatë, për të përparuar më tej, është me rëndësi që politikanët dhe institucionet shqiptare të demonstrojnë pjekurinë e tyre demokratike dhe kredencialet evropiane. Unë pres që të diskutoj këtë axhendë me partnerët shqiptarë në Tiranë”- ka deklaruar ministri britanik i shtetit për Evropën dhe NATO-n, David Lidington.