Lieberman në Tiranë, kërkon mbështetje kundër Palestinës

Faqja zyrtare e internetit e gazetës "Jeruzalem Post", bën me dije se Ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman, është nisur në një turne gjatë të cilit do të vizitojë edhe Shqipërinë. Ky tur, po sipas së njëjtit burim, ka si qëllim sigurimin e mbështetjes nga Tirana zyrtare për moslejimin e krijimit të një shteti palestinez. Siç raporton e përditshmja “Jeruzalem Post”, shefi i diplomacisë izraelite, Avigdor Lieberman do të shkojë në Kroaci, Shqipëri e Austri në përpjekje për t`i bindur këto vende që të mos i japin mbështetje kërkesës palestineze për shtetësi në OKB në muajin shtator. Vizita e Liberman në vendin tonë pritet të shënojë dhe vizitën e parë të një ministri të Jashtëm izraelit pas 17 vitesh. Sipas “Jerusalem Post”, ai do të marrë pjesë në një forum ekonomik ku do të jetë i shoqëruar edhe nga përfaqësues të 16 firmave apo kompanive izraelite. Udhëtimi i Lieberman, vjen një javë pas atij të kryeministrit Benjamin Netanjahu, i cili vizitoi Rumaninë dhe Bullgarinë me po të njëjtin mesazh. Pas dy javësh Netanjahu do të udhëtojë edhe në Poloni e Hungari për t`i bindur edhe këto vende të mos mbështesin lëvizjen palestineze. Përpjekja intensive diplomatike vjen në një kohë kur Izraeli po tenton të bindë sa me shume vende që të deklarohen publikisht kundër kësaj lëvizjeje. Deri tani SHBA, Gjermania, Italia dhe Hollanda kanë shprehur rezervat e tyre.