PS, asnjë mundësi ligjore për të kërkuar pavlefshmërinë”
Flet anëtari i Komisionit të Ligjeve, Enkelejd Alibeaj
Si nga ana proceduriale ashtu edhe ajo ligjore, Partia Socialiste ka humbur shansin e saj për pavlefshmëri të procesit, që kur ajo zgjodhi të ankimojë rezultatin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli në 23 maj, duke mos pretenduar kështu pavlefshmëri të procesit. Ky është mendimi i anëtarit demokrat të komisionit të ligjeve Enkelejd Alibeaj, i cili teksa thekson se është qëndrim personal, sjell në vëmendje se Kolegji Zgjedho i Apelit ka legjitimuar si të vlefshëm procesin e numërimit të 117 kutive.
“Kodi Zgjedhor parashikon që, ky afat ka një pikënisje ka dhe një kohë zgjatje. Ky afat ishte i vlefshëm për të bërë ankim kushdo; ose për pavlefshmëri ose për të atakuar rezultatin. Këto janë dy kërkesa të cilat janë të kithëta me njëra tjetrën, nuk kanë përputhje me njëra-tjetrën. Nëse pranon t’i bindesh, madje ushtron të drejtën e ankimit për pavlefshmëri, do të thotë që, rezultati nuk të intereson aspak, por nëse atakon rezultatin siç ndodhi me Partinë Socialiste që bëri një kërkesë për rezultatin pranë KQZ dhe më pas Kolegjit Zgjedhor, do të thotë se, pranuan në heshtje që, cilësia e procesi zgjedhor në Tiranë ishte i tillë që prodhonte një rezultat të vlefshëm, rezultat i cili mund të atakohej për shkak të mos përputhjes ose pretendimit të mos përputhjes së numërimit aritmetikor”, u shpreh Alibeaj.
Ai vë në dukje se Kolegji në këtë rast urdhëroi KQZ-në të ndiqte parimi kushtetues të barazisë së votës në të gjitha qendrat e mbetura, ku fletët e hedhura në kutitë jo respektive, nuk ishin numëruar, proces i cili që tashmë është kryer nga KQZ.
“Prodhimi i rezultatit është i vlefshëm që do të thotë se procesi zgjedhor ka qenë i tillë, pra i standardeve dhe i aftë të prodhonte një rezultat veçse kishte një mangësi që, nuk do duhej të dilte një rezultat i tillë për 117 kuti, por për të gjitha kutitë. Zhbërja e këtij vendimi nuk rikthen palët edhe njëherë në datën 23 maj, nuk i rikthen palët në të drejtat për t’i rikthyer ato në pavlefshmëri apo qoftë edhe në një atakim përsëri të rezultatit. Ndryshe do të binim në një cikët të pafund ankesash dhe kërkesash”, tha Alibeaj. Deputeti demokrat thekson se Kodi Zgjedhor i miratuar unanimisht nga të dyja palët, përjashton mundësinë e ankimimit fillimisht të rezultatit dhe në rast dështimi të kërkohet edhe pavlefshmëria e procesit. Kjo pasi në këtë Kod u mor parasysh ky rekomandim i OSBE/ODIHR-it, i cili parashikon të shmangë nga procesi strategjinë politike të zvarritjes së tij. “Urdhëronte, këshillonte dhe orientonte legjislatorin shqiptar që të eliminonte çfarë do lloj mundësie ligjore, për të zvarritur procesin nëpërmjet bërjes së ankimeve fillimisht për rezultatin dhe teksa dilje i pakënaqur nga rezultati të bëje një kërkesë edhe për pavlefshmëri. Kjo ka qenë një lojë strategjike e avokatëve, e bërë kohë më parë, por me ndryshimin ligjor të vitit 2008, është anashkaluar plotësisht”, deklaroi më tej deputeti demokrat dhe anëtari i komisionit parlamentar të ligjeve, Enkelejd Alibeaj.