E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liga e Maqedonisë/ Miha i përgatit befasi Makedonijës

Tetovë - Fituesi i Kupës së Maqedonisë, KF Makedonija nga Gjorce Petrovi sot në fushë të vet takohet me Shkëndijën e Tetovës, të cilët pësuan në takimin e dytë prej Pelisterit të Manastirit.
Timonieri i Shkëndijës, Edmond Miha tha për Albania-Sport se në këtë përballje do të luajnë për rezultat pozitiv. "Mua nuk më intereson se me cfarë grup lojtarësh do të luajmë, edhe pse brenda skuadrës ka një rënie psikologjike. Do të bëjmë një ndryshim në strategji, pasi që na mungon Festim Ademi. Gjithashtu mbrojtësi Maxhunarov ka tre kartona të verdhë dhe nuk do të aktivizohet në këtë lojë", u shpreh Miha. Ndërkohë ndaj "Luanëve" të Shkupit, Miha do të jetë i detyruar të aktivizojë Bilall Veliun dhe Mumin Sallain, të cilët edhe më tutje janë të lënduar. Në takimin e parë të zhvilluar në Kratovë përballë skuadrës së Sileksit, sipas Mihës është menduar që skuadra do të pësojë tre gola dhe do të kthehet duarthatë, por skuadra u kthye më një pikë. "Kështu të gjithë mendonin, por ndodhi e kundërta. Edhe në takimin ndaj Makedonijës rrjeta jonë nuk do të mbushet. Asnjëherë në karrierën time 20 vjecare si trajner, nuk kam pësuar me një rezultat të lartë negativ", tha trajneri kuqezi i Shkëndijës.
Ndryshe, ndeshja e parë e sezonit vjeshtor e zhvilluar në Tetovë ka përfunduar pa fitues (2-2).

Tetovë - Skuadra e Renovës sot do të përballet me Vëllazërimin e Kërcovës, skuadër kjo e renditur në pozitën e parafundit në tabelë. Kryetrajneri Vllatko Kostov ka vetëm një shqetësim, e ai është mesfushori Bllagoja Gjurcevski, i cili ka tre kartona të verdhë. "Ende s`kemi vendosur se a do të aktivizohet Gjurcevski në takimin ndaj kërcovarëve, ose në takimin e radhës", tha Kostov. "Gjipspunuesit" janë duke u stërvitur në stadiumin e Tearcës në një atmosferë të mirë para ndeshjes së tretë kampionale.
"Skuadra jonë në cdo takim do të aplikojmë lojë ofensive. Poashtu në këtë ndeshje futbolli do të luajmë me tre sulmues, si në takimin paraprak kundër Pobedës.", u shpreh Kostov.
Nga ana tjetër rreth aktivizimit të futbollistëve në formacionin e parë, trajneri tha se konkurrenca është shumë e madhe. "Cdo futbollist duhet të kuptoj se nëse është trajneri i kënaqur ose jo. Në rast se nuk është në formacionin e parë kuptohet se nuk është i kënaqur. Por ka edhe raste të tilla kur futbollisti ka luajtur mirë në ndonjë takim, mirëpo për shkak të taktikës së kundërshtarit mund të mos jetë në lojë", përfundoi Kostovi.

Kumanovë - Sot në Kumanovë, Bashkimi do të jetë nikoqir i Vardarit. Përballjet e këtyre dy skuadrave gjithmonë kanë qenë në qendër të opinionit futbolldashës në Kumanovë dhe shkallët e stadiumit të Bashkimit mbushen përplot me shikues. Stinorin vjeshtor kumanovarët e kanë filluar shumë mirë. Ata nga dy ndeshjet e zhvilluara në këtë stinor kanë arkëtuar 4 pikë, gjë e cila ka kontribuar për një atmosferë të mrekullueshme në klub. Nga ana tjetër Vardari edhe përkundër humbjes që pësoi në derbin e javës së kaluar kundër Rabotnickit, posedon një fond të madh të lojtarëve profesionistë. Ndihmëstrajneri i Bashkimit, Erkan Jusufi thotë se Bashkimi nuk do të humb në Kumanovë nga Vardari.
"Ne do të luftojmë për fitore, edhe pse Vardari është favorit në këtë ndeshje. Do të shënojmë fitoren e parë shikuesve tonë", u shpreh Jusufi.
Ai më tej shton se shtabi teknik i Bashkimi ka qenë prezent në ndeshjen Rabotnicki - Vardar, ku kuqezinjtë nga Shkupi, treguan një lojë të mrekullueshme, por fati sportiv ishte në anën e Rabotnickit.
"Jemi të vetëdijshëm se në Kumanovë vijnë për të na mposhtur. I porosis se nuk do ta kenë lehtë, sepse edhe ne i kemi llogaritë tona", tha ai
Ndryshe, në ndeshjen kundër Vardarit do të ketë vetëm një ndryshim në formacionin e Bashkimit. Në portën e kumanovarëve për shkak të tre kartonave të verdhë të Ajdinit, do të jetë Dardan Miftari.
Bashkimi: Miftari, Bishevac, Kukaj, Hoxha, Trenovski, Antonieviq, Aziri, Shabani, Tripunovski, Alimi dhe Limani.

Demiri: Kundër Bashkimit s'guxojmë të rrëshqasim
Lojtari më i mirë i Vardarit, Ertan Demiri thotë se në Kumanovë shkojmë për të fituar. "E di se do të jetë vështirë, por pikët na duhen për të mbajtur hapin me Rabotnickin. Prandaj kundër Bashkimit s'guxojmë të rrëshqasim".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›