E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mideja” mediatike e Lysjenit dhe e Becit

Nga Alfred Lleshi
Pardje, Federata Shqiptare e Futbollit tregoi se pikërisht në atë pikën, ku duhet të rezonohet me publikun, zyrën e shtypit, calon më shumë. Madje, e ka bërë baltë me veprimet ose mosveprimet e saj karshi medias sportive. Dhënia e listës së kombëtares "hajdutce", ose sipas interesave të zëdhënësit të shtypit apo ndokujt tjetër brenda selisë krah Ambasadës Amerikane në Tiranë, c'rëndësi ka, nxjerr në pah problematikën që ka FSHF-ja më së pari me veten e saj, për të mos shkuar më tej. Fundja, kush dhunon pa frikë ligjet e "klubit" të cilit i përket, mund të dhunojë edhe ligjet e futbollit, sikur të mos ketë asnjë rrezik. Kjo ndodh ngaqë është bërë e udhës që ky institucion të shohë të metat te të tjerët, por nuk vë re kurrsesi të sajat. Mospublikimi i listës së kuqezinjve anti-Slloveni për të gjitha mediat, në mënyrë zyrtare, por sipas preferencave apo "midesë" së Lysjenit apo Becit, na kujton atë shprehjen që dikur kemi thënë për këtë institucion, "bravës që gërric, i mungon një gozhdë". Natyrisht, në rastin konkret nuk është fjala për gozhdën e Nastardinit, as për gozhdën e ministrit në ikje, por për zyrën e shtypit të FSHF-së. Nuk ka justifikim për këtë, se gjoja lista ka dalë në faqen zyrtare të FSHF-së rreth orës 24.00 të ditës së hënë, kur ne e kemi "shqetësuar" Lysjenin rreth orës 23.30, por ai nuk denjoi as ta hapte celularin. Kësisoji, justifikime të këtij lloji nuk na i tret mideja, sepse, janë për të lëshuar kujën për një institucion të tillë, edhe në kushtet e shurdhërisë dhe memecërisë së zyrtarëve të lartë të saj. Me veprimin e pardjeshëm, të publikimit të listës së kombëtares sipas qejfit, zyra e shtypit në FSHF, ose sektori i ekipeve kombëtare pranë saj, treguan se përbëjnë vecse frëngji, nga të cilat qëllohet në ajër, me "një pushkë të kohës së luftës së babë Myslymit", pasi email-i, faksi apo telefoni nuk përbën kurrën e kurrën mjet pune për komunikimin e tyre me median. Gjynah për zyra kaq luksoze, si ato të FSHF-së, që të kenë të tillë zyrtarë që i shpërndajnë lajmet, si të ishin duke shkuar në gjueti me llastiqe guri. Edhe pse ndonjë mendje e mykur aty në FSHF, duke i dhënë lajmet sipas parapëlqimeve, mendon se bëhet e rëndësishme, kjo nuk na vret shumë, si gazetarë. Fundja, sjellja e tillë e zyrës së shtypit apo sektorit të ekipeve kombëtare në FSHF i prish punë vetes, pasi i ngjan asaj kotësisë që zapton herë-herë gjithë rasatin e të ngjashmëve biologjikë të Lysjenit apo Becit, që buthtojnë pameritueshëm në zyrat plot ndricim dhe ajër të kondicionuar. Ne jemi mësuar të shkojmë te lajmi dhe jo ta presim atë prej tyre. Prandaj, të tillë zyrtarë, për ne mbeten njerëz që, edhe në s'të pëlqejnë, s'ke pse t'i përbuzësh. Në sajë të frymës me të cilën e përcuan parmbrëmë listën e kombëtares kuqezi për dy ndeshjet e radhës, ata vecse kanë treguar se i ngjajnë krimbit të mëndafshit, që e mbështjell vetveten në një fshikëz. E ndërsa nga krimbi del një flutur, nga njeriu, në rastin konkret, nuk del vecse një qefin mediatik. Ky i fundit nuk na shqetëson fare, pasi motoja e punës sonë mbetet "përbindëshi gëzofbardhë i letrës", për të shkruar mbi atë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, që e gjurmojmë vetë, dhe jo për t'u marrë me të tjerët dhe ato që shkruajnë. Kurrë s'e kemi bërë këtë. Thesaret e fshehura nën gëzofin e letrës së bardhë, përsërisim letrës së bardhë dhe jo të shkruar njëherë nga dikush tjetër apo të bëra "dhuratë" nga Lysjeni a Beci, gjithnjë do të kërkojmë t'i betisim me rradhë të bardha djerse e vërtetësie. E përsërisim sërish dhe le t'u ngulet mirë në mendje të tillë zyrtarëve të FSHF-së, se motoja jonë për të shkruar mbi letrën e bardhë, mbetet dëshira e atij që mezi pret të shkelë mbi dëborën e pastër...

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›