Zhega: Ekipi kombëtar është plakur

Që kombëtarja shqiptare ka nevojë për rinovim, kjo tashmë nuk do më koment pasi shumë aktorë dhe faktorë të futbollit e kanë mbështetur faktin që rifreskimi i kuqezinjve duhet të ndodhë sa më shpejt. Rinovimin e ekipit tonë përfaqësues e kanë mbështetur edhe një pjesë e mirë e ish-trajnerëve të kombëtares, të cilët shumë prej lojtarëve që ende akrivizohen me kuqezinjtë i kanë stërvitur vetë. Një prej tyre është edhe ish-tekniku i përfaqësueses shqiptare, Medin Zhega, i cili është plotësisht dakord që ekipi kuqezi të rinovohet pasi sipas tij kjo është mëse e domosdoshme duke qenë se mosha mesatare ka shkuar 32-vjec.Ish-trajneri kuqezi e quan ekipin kombëtar të plakur. Gjithashtu ai flet edhe për ecurinë e ekipit tonë deri më tani dhe për cështjen e shumë diskutuar "Tare". "Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që nuk është një ecuri e mirë e kombëtares tonë. Për vetë faktin që ne humbëm edhe në shtëpi kundër Rumanisë dhe në tabelën e klasifikimit ne kemi lënë mbarapa vetëm një skuadër që nuk është e zonja të marrë asnjë pikë sic është Luksemburgu. Në këtë kontekst duke parë edhe klasifikimin duhet që ne të mos pretendojmë pasi e kemi shumë të vështirë që të kualifkikohemi në Kampionatin Europian. Por të paktën të krijojmë një ekip të ri në moshë, i cili do të na japë mundësi dhe premisë që ekipi ynë kombëtar krahas teknikës që ai e ka, të kompesojë edhe në drejtim të anës fizike" shprehet Zhega, që duhet thënë se është ish-trajneri i kombëtares i riktheu kuqezinjve një kupë pas rreth 40 vjetësh teksa fitoi kupën "Rothmans" në turneun e Maltës. "Ju e dinë që ekipet kombëtare në Botëror kishin një moshë mesatare 28 vjec dhe mos harroni që në ndeshjen e fundit të përfaqësueses, atë kundër Maqedonisë, në formacionin e ekipit tonë përfaqësues ishin plot 7 lojtarë në 11-shen e parë që ishin mbi 32 vjec. Pra patëm vetëm tre futbollistë të rinj në formacion. Ishte Armend Dallku, Dabatik Curri, të cilin e kam stërvitur vetë në kohën kur drejtoja Prishtinën. Gjithashtu ishte edhe fytyra e re e Besart Berishës që është një futbollist i mirë, i cili luan me Hamburgun në kampionatin gjerman. Pra kjo do të thotë që nga viti 2000, 7 futbollistë ndodhen ende në kombëtare dhe ishin të plejadës time. Duke nisur që nga portiri Beqaj, Nevil Dede, Devi Muka, Altin Haxhi, Igli Tare dhe Erjon Bogdani. Të gjithë këta bënin pjesë në ekipin e vitit 2000 kur unë isha edhe trajner. Janë futbolistë që i kam seleksionuar unë. Megjithëse flitet për rinovim ne ende nuk kemi një rinovim të theksuar dhe të domsdoshëm për ekipin tonë kombëtar. Unë jam pro rinovimit. Nuk kemi se cfarë të bëjmë më pasi në ekipet e tjera të Botërorit mosha mesatare ishte 28 vjec në nj kohë që në ekipn tonë mosha mesatare është 32 vjec". Më pas, Zhega ka folur edhe për punën e tekniku, Baric: "Deri tani nuk mund të them që puna e Baricit duhet lavdëruar, por në deklaratat që zoti Baric jep, unë shpresoj për një punë më të mirë pasi ai gjithmonë po flet që Shqipëria ka nevojë ta rinovojë dhe ta rifreskojë ekipin tonë kombëtar dhe mesa po shohim ai po i përmbahet kësaj fjale". Gjithashtu, ish-tekniku kuqezi ka folur edhe për cështjen e shumëpërfolur "Tare". "Unë po flas për rifreskimin e ekipit kombëtar, por të them të drejtën ky rifreskim duhet të bëhet me mend. Nëse nuk kemi një Tare tjetër që ta zëvendësojë, një apo dy nga lojtarët që kanë dhënë për ekipin dhe që mund të jenë me moshë të madhe duhet ti pranojmë në ekip tonë kombëtar. Megjithatë kjo është detyrë e trajnerit, është mendimi i tij, ai ka stafin teknik, pyet dhe verpon" përfundoi prononcimin e tij për gazetën, ish-tekniku i kombëtares, Medin Zhega.
Botuar ne gazeten "Sot"