E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligj dhe vetërregullim

Gazetarët më të njohur në vend nënshkruan dje pasdite një peticion, ku kërkojnë që në vend të nisë një aksion i përbashkët për vendosjen e standardeve të reja për lirinë e shtypit. 135 firmëtarët reaguan kështu pas sulmit të dhunshëm mbi Mero Bazen, duke e cilësuar si mjaft të rëndë situatën, ku ndodhet liria e medies.
Gazetarët kanë dënuar qëndrimin e mbajtur nga eksponentë të medies në mbështetje të dhunimit të gazetarit Baze. Ata kanë kërkuar që në vend të ketë një ligj perëndimor për shtypin, që organet e hetimit të marrin përsipër barrën e provës, kur gazetarët akuzohen, si dhe të ketë një sistem vetërregullues të institucioneve të medies.
Gazetarët i kanë bërë thirrje qeverisë që të reflektojë në kursin e saj negativ ndaj lirisë së medias në vend.

****

Ne, gazetarët shqiptarë, të poshtëshënuar;
- të shqetësuar nga përkeqësimi në rritje i klimës për lirinë e shtypit në vendin tonë,
të alarmuar nga thirrjet publike të përfaqësuesve të shumicës në pushtet pro dhunës ndaj medies,
- të shokuar nga thirrje të pronarëve të medieve proqeveritare për dhunim të gazetarëve,
të indinjuar nga indiferenca e policisë në mosarrestimin e dhunuesve të gazetarit Mero Baze,
- dhe të ndjerë të injoruar nga qeveria shqiptare në përpjekjet tona për të shkuar drejt të vërtetave me interes publik,
Bashkohemi në këtë thirrje publike që synon nisjen e një aksioni të përbashkët për të vendosur standarde të reja për lirinë e shtypit në Shqipëri.

Nisur nga fakti që Shqipëria tani është vend anëtar i NATO-s dhe ka aplikuar për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ne gazetarët shqiptarë shprehim angazhimin tonë për të rritur presionin mbi qeverinë, parlamentin dhe opinion publik, lidhur me standardet e ulëta të lirisë së shtypit në vendin tonë. Shqipëria ka bërë hapa të theksuara mbrapa në klasifikimin botëror të lirisë së shtypit gjatë vitit që shkoi, ndërkohë që ngjarje të reja e bëjnë dhe më pesimiste të ardhmen e lirisë së shtypit.

Gazetarët shqiptarë po ndeshen përditë me një regjim politiko-mediatik, ku mbizotëron përpjekja për të mbajtur nën kontroll me të gjitha mjetet fjalën e lirë dhe gazetarinë kritike e investigative. Gazetarët shqiptarë janë ndeshur gjatë kohëve të fundit me dhunë fizike, me presione për ndryshim të politikës editoriale përmes paralajmërimeve apo dorëheqjeve të detyruara të gazetarëve të njohur, me qëndrime selektive të qeverisë në orientimin e tregut të reklamave për operatorët televizivë dhe shtypin e shkruar, dhe me një inkurajim të dukshëm të shumicës në pushtet për gjuhën e urrejtjes ndaj gazetarëve kritikë apo dhe dhunën fizike ndaj tyre. Në shumicën e rasteve këto fushata janë udhëhequr nga vetë kryeministri Berisha, i cili ka agresuar me emër dhe ka fyer gazetarë të njohur të medies shqiptare për shkak të qëndrime të tyre editoriale. Qëndrime të tilla ne i kemi parë si inkurajim dhe për akte të tjera të dhunës mbi gazetarët, të cilat qeveria ka bërë përpjekje t'i justifikojë duke fajësuar medien.
Po ashtu, shqetësuese kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë presionet mbi bizneset e medies kritike me qeverinë, të cilat janë shfaqur në formën e prishjes së kontratave afatgjata të investimeve, zhvendosjes së dhunshme të selive të redaksive dhe studiove televizive kritike me qeverinë, si dhe prishjes arbitrare të antenave të televizioneve që nuk konsiderohen nën kontroll të qeverisë.

Ne kërkojmë sa më shpejt të jetë e mundur të fillojë procesi i hartimit të një ligji perëndimor për shtypin, sipas gjithë standardeve të Bashkimit Evropian, ku të garantohet statusi i gazetarit dhe t'i garantohet atij e drejta për informim dhe akses të pakushtëzuar në informacionin zyrtar. Në kushtet e një shoqërie me probleme të forta të lidhjes së politikës me krimin dhe nivelit të lartë të korrupsionit, ne inkurajojmë një ligj, i cili në rastet e ballafaqimit të gazetarëve me personat e prekur, të kalojë barrën e provës tek organet e hetimit, të cilat duhet të provojnë përmes mekanizmave të hetimit të vërtetë mbi problemet e ngritura nga media. Kjo do t'i jepte fund instalimit të një sistemi vetëgjyqësie që qeveria duket se po inkurajon përmes shmangies së kuadrit ligjor për medien dhe mbylljen e çdo aksesi për informacion zyrtar te media.
Ne, gazetarët shqiptarë, angazhohemi për ndërtimin sa më të shpejtë të një sistemi vetërregullues të institucioneve të medies, duke inkurajuar krijimin e një organizate ombrellë që të përfaqësojë gazetarët shqiptarë në debatin e tyre publik për lirinë e medies dhe vendosjen e standardeve të denja për një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ky sistem nuk do të vetëkufizohet vetëm në organizata sindikaliste, por mbi të gjitha, në një organizatë që mbron parimet e lirisë së shtypit dhe standardet e etikën e një shtypi perëndimor
Ne, gazetarët shqiptarë, angazhohemi se do të vazhdojmë të luftojmë për një cilësi të re të shtypit në Shqipëri dhe lirisë së fjalës, e cila po vihet në rrezik nga këta hapa të dukshëm mbrapa që po bën liria e shtypit në këtë vend.

Ne, gazetarët shqiptarë, kërkojmë mbështetje të organizmave ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, OSBE, Departamenti amerikan i Shtetit, si dhe institucioneve prestigjioze ndërkombëtare për lirinë e medies si Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve, Organizatës Reporterë pa Kufij, për të na mbështetur dhe ndihmuar në përpjekjet tona për mbrojtjen e lirisë së shtypit në Shqipëri dhe arritjen e standardeve perëndimore.

Ne, gazetarët shqiptarë, i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë në kursin e saj negativ ndaj lirisë së medies dhe në imitimin e keq të standardeve të republikave ish-sovjetike për një vend që kërkon t'i bashkohet Perëndimit.

Mbetemi të vendosur deri në fund në betejën tonë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›