Ligji për dosjet, Kushtetuesja rinis shqyrtimin
Gjykata Kushtetuese ka nisur përkthimin e përgjigjes që Komisioni i Venecias i ka kthyer për ligjin "spiunëve"
Krahas marrëveshjes së përcaktimit të kufijve detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, Gjykata Kushtetuese ka nisur rishqyrtimin edhe të një kërkese tjetër, po të Partisë Socialiste (ligjin e ankimuan dhe Komiteti i Helsinkit dhe Shoqata e Prokurorëve) dhe që ka të bëjë me ligjin e shumëdebatuar të "dosjeve të spiunëve". Pas mbërritjes së përgjigjes nga ana e Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese ka nisur me përkthimin e saj në Shqip, për t'ia bashkangjitur më pas dosjes së argumentave mbi bazën e të cilave do të vendos për ligjin "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve në pushtetin vendor", i njohur ndryshe si ligji i "spiunëve". Kështu, burime pranë kësaj gjykate kanë bërë të ditur se prej disa ditësh nga ana e trupës së gjyqtarëve është vendosur që puna për shqyrtimit të kësaj çështje të vazhdojë me përkthimin e materialit voluminoz që Komisioni i Venecias si një institucion i specializuar në fushën e legjislacionit ka dhënë lidhur me Ligjin e Lustracionit.
Vetëm pas këtij procesi teknik, gjykata do të vendos për fatin e ligjit, megjithëse deri më tani është mësuar se Komisioni i Venecias e ka gjetur atë në kundërshtim me Kushtetutën. Në kushtet kur kjo përgjigje nuk është bërë ende publike në tërësinë e saj, deri më tani në rrugë jo zyrtare është mësuar se Komisioni i i Venecias e ka cilësuar në kundërshtim me Kushtetutën ligjin për "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve", i cili u miratua vetëm me votat e mazhorancës në fund të vitit të kaluar.
Sipas Komisionit të Venecias, antikushtetutshmëria e Ligjit të Lustracionit, qëndron në faktin se bëhet fjalë për një ligj të zakonshëm, që edhe pse për shkak të natyrës së tij nuk mund të ndryshojë atë ç'ka parashikohet nga Kushtetuta. Komisionit të Venecias në argumentimin që i bënë ligjit mësohet se vëren se në të modifikohen garancitë kushtetuese, të caktuara për postet më të larta të shtetit. Aktualisht në Shqipëri, Kushtetuta përcakton specifikisht procedurat kur i ndërpritet mandati i Presidentit të Republikës, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe parlamentarëve.
Nëse do të gjente zbatim, Ligji i Lustracionit do t'i jepte fund këtyre garancive të mandatit të zyrtarëve. Partia Socialiste, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë iu drejtuan Kushtetueses, duke i kërkuar pezullimin e këtij ligji, i cili u miratua Dhjetorin e kaluar, ku në sallë ishin vetëm deputetët e pozitës, me 74 vota pro dhe 2 kundër, duke u kthyer në një nga çështjet më të nxehta të asaj periudhe.
Menjëherë pas votimit në Parlament, opozita e konsideroi atë, një ligj jo në përputhje me filozofinë evropiane, ku Shqipëria synon të integrohet, duke akuzuar qeverinë se në këtë mënyrë, synon të godasë pushtetin gjyqësor. Pas çeljes së shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata Kushtetuese në fillimin e vitit të shkuar vendosi pezullimin e zbatimit të këtij ligji, duke kërkuar njëkohësisht ekspertizën e Komisionit të Venecias. Ndërkohë që mësohet se një kopje të përgjigjes lidhur me këtë ligj, Komisioni i Venecias ia ka nisur edhe Kuvendit të Shqipërisë.