Protestë për mësuesen, policia përdor dhunë
SARANDË - Është shoqëruar me incidente protesta e sotme në shkollën e "Shefqet Sulejmani" në periferi të Sarandës. Nxënësit kishin dalë në mbështetje të mësueses së tyre, Dafina Allkushi që me vendim të Drejtorisë Arsimore u transferua në një shkollë 20 km larg nga Saranda. Në momentin kur gjithë nxënësit e shkollës dolën në oborrin e shkollës me thirrjet 'Mësuese mos ik', u duk fugoni i Grupit të gatshëm. Një prej uniformave blu ka kërkuar që protesta të shpërbëhet me urgjencë. Kundërshtimit të prindërve që shoqëronin fëmijët, polici i është përgjigjur me grushte. Për pasojë shtetasja Rezina Lagji ka pasur gjendje të fikëti dhe është dërguar me urgjencë në spital. Ajo shprehet se "ka qenë në oborrin e shkollës kur është shtyrë nga punonjësi i policisë dhe është përplasur për tokë". Mësohet se 42 vjeçaria do të denoncojë në polici dhunën e ushtruar ndaj saj.
Protesta e sotme mori shkak nga largimi i mësueses së matematikës. Ajo u transferua dje nga Drejtoria Arsimore e Sarandës për në Shkollën e Bashkuar të Lukovës që gjendet 20 km larg fshatin Gjashtë, ku jepte mësim deri tani. Por është edhe banore e këtij fshati. Dafina Allkushi thotë se "ky është një transferim politik, pasi u angazhova në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, në krah të kandidates së PS-së Luiza Xhuvani".
"Largimi i mësuese Dafinës është thjesht politik sepse ajo është një grua e guximshme, është anëtare e Këshillit Bashkiak të Sarandës, e zgjedhur me votë të lirë nga banorët e Gjashtës dhe të Metoqit", thonë kolegët e saj. Ndër të tjera ata thonë se, edhe për nga gjendja shoqërore, mësuese Dafina nuk duhet të transferohet, pasi është nënë e dy fëmijëve, njëri prej tyre i sëmurë. Drejtoria Arsimore nuk ka pranuar të reagojë për protestën e sotme në shkollë, ndërsa për transferimin e mësueses thotë se është bërë në bazë të ligjit dhe rregullave të arsimit.