E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakti me Greqinë: Dokumentacioni shtesë brenda së hënës

Partitë opozitare kanë konfirmuar se do të paraqesin dokumentacionin e kërkuar nga Gjykata brenda datës 9 Nëntor



PS, PSD, PDS, PDK, G99 dhe PLiDr duhet të paraqesin programet dhe statutet e tyre për të legjitimuar veten



Partitë opozitare që kanë ankimuar marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të vendosura ti shkojnë deri në fund transparencës së saj në Gjykatën Kushtetuese. Kur kanë mbetur më pak se dy ditë nga skadimi i afatit kohorë për dorëzimin e dokumentacionit plotësues, siç janë programet dhe statutet, 6 partitë që kanë kundërshtuar këtë marrëveshje në Gjykatë, konfirmojnë se do ta plotësojnë këtë kërkesë të Gjykatës brenda datës 9 Nëntor, për ti hapur rrugë më pas vlerësimit të tyre nga ana e trupës së gjyqtarëve në dhomën e kolegjeve treshe.



Opozita

Partia Socialiste dhe pesë aleatët e saj të vegjël, jo vetëm nga spektri i majtë por edhe ai i djathtë do të paraqesin brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të gjithë dokumentacionin plotësues që kjo e fundit ka kërkuar në bazë të së drejtës që i jep ligji i saj organik në rastin e gjykimeve të marrëveshjeve ndërkombëtare. I kontaktuar nga gazeta "Shekull", deputeti socialistë Saimiri Tahiri, i cili edhe dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese në emër të 6 subjekteve politike që kundërshtojnë termat e kësaj marrëveshje, ka siguruar dje se opozita kur ka ndërmarrë këtë hap ka qenë serioze dhe ndaj do të vërë në dispozicion trupës gjykuese të gjithë dokumentacionin që ajo kërkon.

"Do të paraqesim dokumentacion shtesë që na është kërkuar brenda afatit që Gjykata në ka lënë. Këtu konfirmoj se të njëjtën gjë përveç PS-së do e bëjnë edhe 5 partitë e tjera që ashtu si ne kanë ankimuar këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese", - u shpreh Tahiri. Ndërkohë nga burime pranë Gjykatës Kushtetuese konfirmohet se dy prej partive që kanë firmosur kërkesën, Partia Socialdemokrate dhe Partia Demokristiane kanë paraqitur dokumentacionin e kërkuar, por që sërish nuk është konsideruar i plotë nga ana e trupit gjykues.

Sipas të njëjtave burime mësohet se shkak për refuzimin e dokumentacionit të paraqitur nga PSD dhe PDK është bërë vetëm mungesa e paraqitjes edhe një herë nga secila parti e kërkesës që më parë në këtë gjykatë e dorëzoi deputeti Saimir Tahiri. Pra bëhet fjalë vetëm për një pengesë formale, që këto forca pritet ta tejkalojnë ditën e hënë deri në orën 4 kur dhe përfundon dhe orari zyrtar i punës në Gjykatën Kushtetuese.



Dokumentacioni

Gjykata Kushtetuese pasi nisi shqyrtimin e kërkesës së 6 partive politike: PS, PDS, PSD, PDK, G99 dhe PLiDr për të shpallur si antikushtetuese marrëveshjen "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare", ose siç njihet ndryshe marrëveshja që bënë ndarjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, vendosi një javë më parë që të kërkojë më parë prej tyre plotësimin e saj me një dokumentacion shtesë për të parë legjitimitetin e palës ankimuese në këtë çështje. Bëhet fjalë për statutet dhe programet e këtyre forca, mbi të cilat ato normojnë jetën e tyre politike dhe përcaktojnë parimet kryesore për realizimin dhe mbrojtjen e të cilave ato ekzistojnë.

Sipas ligjit të këtij institucioni, subjektet që kanë paraqitur kërkesën duhet të argumentojnë para gjykatës se ato kanë lidhje me objektin që trajton kjo marrëveshje dhe se në dokumentat e tyre themeltar duhet të kenë të sanksionuara mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit, një element ky për të cilin gjashtë partitë i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë në ankimimin e tyre.

Për plotësimin e këtij dokumentacioni gjykata i ka lënë këtyre forcave afat deri në datën 9 Nëntor. Në këtë mënyrë këto forca brenda afatit të vënë në dispozicion nga Gjykata Kushtetuese do të duhet që në mënyrë të veçuar të paraqesin në rrugë zyrtare pranë saj statutet dhe programet e tyre, si dhe kërkesën ku japin argumentat e tyre kundër kësaj marrëveshje. Pas paraqitjes së këtij dokumentacioni gjykata do të nisë edhe një herë shqyrtimin e ligjshmërisë së këtyre forcave në goditjen e kësaj marrëveshje dhe më pas juridiksionin e saj në gjykimin e kësaj çështje.

Vetëm pas këtyre dy hapave gjykata do të vendos nëse do ta kaloj ose jo çështjen për shqyrtim në seancë plenare, ndërkohë që vendimi përfundimtar mbi pretendimet e opozitës duhet të jepet brenda datës 20 Nëntor.



Pika të kërkesës së opozitës

Mungesa e plotë e transparencës që ka shoqëruar përgatitjen, negocimin dhe firmosjen e kësaj marrëveshjeje nga Këshilli i Ministrave

Moskonsiderimi i fakteve historike lidhur me kufirin shqiptaro - grek.

Mungesa e hartës shoqëruese që përcakton qartë dhe dukshëm vijat e përcaktimit të kufirit dhe të ndarjes së hapësirës detare (delimitimit) ndërmjet palëve nënshkruese

Mungesa e ushtrimit të kujdesit të domosdoshëm nga ana e autoriteteve shqiptare në përcaktimin e koordinatave të delimitimit të hapësirës detare, duke mos shfrytëzuar siç duhet parashikimet në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Të Drejtën e Detit (UNCLOS)

Neglizhenca e qeverisë ndaj reagimit të opinionit publik, ekspertëve të fushave të ndryshme të cilët pretendojnë për mungesë konsultimi publik, si dhe refuzimin për të shfrytëzuar ekspertizën më të mirë të vendit në përcaktimin e kushteve të kësaj marrëveshje me interesa madhore, si dhe ngutja për negocim të kësaj marrëveshjeje, kur çështje të tilla marrin shumë vite kohë negocimesh mes palësh



Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë vjen në kundërshtim dhe në shkelje të hapur me kufirin detar ekzistues ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë siç është përcaktuar nga të gjitha hartat e kohës që nga viti 1925 deri në ditët e sotme.



Konventa e të Drejtës së Detit (Konventa e Montego Bay, UNCLOS 1982), nuk ka gjetur zbatimin e duhur, madje është zbatuar në dëm të interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe tërësisë territoriale të vendit tonë.



Marrëveshja ka konsideruar tërësinë ishullore të Arkipelagut të Korfuzit dhe secilin prej ishujve si pika skajore për ndarjen dhe përcaktimin e kufijve detarë dhe Shtratdetit (Shelfit Kontinental). Ky fakt i ka shkaktuar dëm interesave kombëtare dhe tërësisë territoriale të vendit, veçanërisht përgjatë pikave 125 dhe 137 të marrëveshjes.



Në marrëveshje nuk janë marrë parasysh kushtet që parashikohen në UNCLOS për shtetet që ndodhen përkundruall. Në këtë rast, Ngushtica e Otrantos i përket vetëm dy shteteve, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, fakt ky që nuk është mbajtur parasysh nga marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.



Në vijën hyrëse detare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë dhe veçanërisht në ngushticën veriore të Korfuzit, nuk është mbajtur parasysh përcaktimi i Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë (1913, Miratuar me Aktin Final të Parisit, 1926).



Duke u nisur nga përcaktimi i njohur ndërkombëtar, sipas së cilit "Vija ndarëse ujore detare në Kanalin e Korfuzit kalon mespërmes tij...", shkëmbi "Barketa" ndodhet 60 metra në Lindje të vijës së mesme. Sipas këtij përcaktimi ky shkëmb i takon Republikës së Shqipërisë. Në marrëveshjen e nënshkruar nga RSH dhe RG, "Shkëmbi Barketa" është konsideruar si pikë skajore e Arkipelagut të Korfuzit prej të cilës është matur vija e re e mesme. Kjo ka cenuar tërësinë territoriale të RSH me një dëm prej 1.5 kilometrash.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›