E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligj për mbështetjen e emigrantëve shqiptarë të rikthyer në atdhe

TIRANË- Kuvendi po shqyrton disa ndryshime në ligjin "Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi", që synon mbështetjen e emigrantëve të kthyer dhe ofrimin ndaj tyre të shërbimeve riintegruese.
Sipas deputetit të PD-së, Tritan Shehu, p/ligji, që është i një rëndësie të veçantë, ndihmon emigrantët e kthyer të mobilizojnë kapacitetet e tyre në shërbim të interesave individuale, por dhe ekonomisë së vendit. Por, deputete te opozites theksuan se ky ligj qe ne miratimin e tij nuk ka funksionuar asnjehere dhe behet edhe me pak shpresedhenes megjtihe ndyrshimet qe i behen tani.

Subjekte të këtij ligji, që i kontribuon Strategjisë për Riintegrimin të Shtetasve Shqiptarë të Kthyer në Vend
(2010-2015), janë të gjithë ata shtetas, të cilët janë rikthyer vullnetarisht ose me detyrim në Republikën e Shqipërisë nga shteti pritës, për shkak se kanë qënë pa dokumentacionin përkatës ose në një situatë të parregullt, në zbatim të marrëveshjeve të ripranimit, të nënshkruara ndërmjet shtetit tonë, vendeve pritëse dhe të tranzitit, si dhe të marrëveshjes së ripranimit me Komunitetit Europian.

Në p/ligj parashikohet dhe "Regjistri për emigrantët", pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, i cili bën të mundur krijimin e një banke të dhënash për shtetasit shqiptarë të kthyer dhe të regjistruar pranë sporteleve të migracionit.
Këto ndryshime, gjithashtu, do të bëjnë të mundur lidhjen e proçesit të regjistrimit të shtetasve shqiptarë të kthyer në drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore të punësimit me shërbimet e informimit dhe referimit që ata do të marrin në sportelet e migracionit.

Sportelet e migracionit do të shërbejnë si pike kyçe, në nivel vendor, për të kryer vlerësimin e nevojave të personave të kthyer, për t'u dhënë atyre informacionin që u nevojitet, si dhe për t'i referuar këta persona në institucione që japin shërbimet përkatëse.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›