Ligjëratë e Kurtit dhe Ahmetit në universitetet Columbia dhe Cornell

Të hënën, gjatë vizitës së tyre në ShBA, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, dhe nënkryetari i saj, Shpend Ahmeti, qëndruan në New York ku mbajtën ligjëratë në Universitetin Columbia dhe në Universitetin Cornell. Në Columbia ata folën në temën "Sfidat në Kosovën e pasluftës" ndërkaq në Cornell në temën "Privatizimi në Kosovë: rënia ekonomike dhe shpërbërja shoqërore". Pas prezantimeve të Kurtit dhe Ahmetit, studentët dhe profesorët e pranishëm shtruan pyetje dhe dhanë komente të tyre për çështjet e ngritura, njofton Vetëvndosje nëpërmjet një komunikate.
Shteti i dobët i Kosovës është përfshirë në qerthuj gjeopolitikë ku Serbia po rehabilitohet pa u përballur fare me të kaluarën e vet, ndërkaq pushteti në Kosovë ka hall veçse veten e tij duke neglizhuar edhe shtetndërtimin edhe zhvillimin ekonomik. Kurti dhe Ahmeti theksuan që duhet të ndryshojë edhe qeveria e qeverisja në Kosovë, por edhe qasja e faktorëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës që ajo të mos dështojë si shtet. Në anën tjetër, në ligjëratën në Cornell ata potencuan që privatizimi në Kosovë u instalua në llogari të çfarëdo vizioni ekonomik zhvillimor dhe se kemi nevojë ta demokratizojmë ekonominë duke e vënë edhe atë edhe tregun e lirë në funksion të shoqërisë e jo anasjelltas.
Në vijim të vizitës së tyre Kurti e Ahmeti do të shkojnë në Washington D.C. për takime me senatorë e kongresmenë si dhe për një tjetër ligjëratë, kësaj radhe në John Hopkins të SAIS./Indeksonline/