E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ligjet/ Kraja: Të rritet fondi i SPAK, me 2 operacione sekuestruam 20 mln euro duke mbuluar buxhetin për 4 vite

Rritja e kapaciteteve si në punonjës dhe në fonde të SPAK dhe zgjidhja e ngërçit të proceduarave për zyrat e reja kanë qenë kërkesat e kreut të këtij institucioni, Arben Kraja në Komisionin e Ligjeve.

Gjatë raportimit për projektbuxhetin 2023, Kraja tha se SPAK në 2023 do të fillojë me kapacitet të plotë dhe për këtë ka kërkuar më shumë staf, por i janë miratuar 15 punonjës më pak. Këto punonjës sqaroi Kraja do të përdoreshin për ngritjen e një strukture për raportimin me BE dhe një tjetër strukture për të gjithë institucionin, SPAK dhe BKH.

“Kemi plotësuar dhe Byronë Kombëtare, nga pikëpamja e realizimit kemi disa mungesa në realizimin e objektivave, s’ka punonjës. Në 2023 futemi me kapacitet të plotë. Ministria e Financave është përgjigjur korrekt. Kemi kërkuar personel shtesë dhe nevojën në investime që kanë lindur gjatë rrugës. Të forcohet hetimi financiar, ekspertiza, të forcohet pjesa e raportimit me BE, kemi kërkuar numër shtesë punonjës për të krijuar sektorë të rinj dhe konsoliduar sektorët të vjetrit, na është dhënë më pak se sa kemi kërkuar, bashkë me BHK. Kërkuam 273, morëm 256, diferencë 15 punonjës. Duhet ti kemi. Një sektor të ri kemi dashur për raportimet me BE, 1 për gjithë strukturën, SPAK, BKH. Për të forcuar sektorin e Hetimi financiar, kemi 8 hetues, janë në proces vettingut. Kemi kërkuar edhe 7 të tjerë. Kemi pa asnjë praktikë pune që për nevojat e punës, kemi marrë punëtorë me kontratë të pjesshme. Të shtohen disa sektorë në byro”, tha Kraja.

Karaja ka kërkuar 6 milionë euro fond dhe për të është diçka e arritshme pasi SPAK vetëm me dy operacione ka sekuestruar 20 milionë euro që mbulojnë për 4 vite buxhetin e institucionit. Kraja foli edhe për zyrat e reja të SPAK, ku theksoi se Procedura është bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë.

“Nga pikëpamja e investimeve kemi kërkuar fond shtesë për shpenzime procedurale. Kemi kërkuar fond 6 milionë euro. Më 2 procese ne kemi nxjerrë buxhetin për 4 vite, me 20 mln euro të sekuestruara në bankë. Kështu që mendoj kemi qenë efektiv në këtë pjesë, jemi modest, kur kemi marrë buxhete kemi rritur kapacitetet, laborator. Objekt i ri për SPAK me zyra, është bllokuar procesi në Ministrinë e Drejtësisë, objekti është i ish-ujësjellësit bashkia ka dhënë ok, ka mbetur procedura në ministri të drejtësisë. Është një objekt fantastik, ngjitur. Një vendim që ti kalojë në administrim ministrisë së drejtësisë që të na e vë në dispozicion SPAK. Duhet të ketë edhe garancinë e sistemeve godina që mund të vlerësohen hap pas hapi se është nisur për tu bërë ujësjellës”, tha Kraja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›