Primaret e Berishës për Tiranën, pas Këlliçit zyrtarizon kandidaturën edhe Gert Bogdani

Në garë zyrtarisht për primaret e PD që do të zhvillohen për zgjedhjen e kandidatit për Bashkinë Tiranë, pas Belind Këlliçit do të jetë edhe Gert Bogdani. Ish-deputeti demokrat do të garojë në primaret që do të zhvillojë Sali Berisha.
Primaret do të zgjedhin mes kandidaturave, kandidatin që më pas do i përfaqësojë në zgjedhjet vendore të 2023 për Bashkinë e Tiranës.
Nga selia blu ku konfirmoi dhe kandidimin e tij, Bogdani tha se ka ardhur koha që qytetarët të marrin ën dorë fatet e tyre dhe ta kthejnë qytetin në shërbim të tyre dhe jo në shërbim të pushtetarëve.
“Tirana quhet sot kryeqyteti i rinisë për vitin 2022, por të rinjtë e Tiranës nuk kanë ujë të lahen; nuk gjejnë shpresë në një qytet që nuk ka asnjë hapësirë publike për ta e që nuk i jep mundësi të ndërtojnë një të ardhme, sepse në Tiranë ndërtohet vetëm për oligarkët! Ndaj ka ardhur koha që këto probleme të zgjidhen! Prej kohësh, gjatë takimeve dhe diskutimeve me qytetarë të Tiranës kam gjetur thirrjen dhe mbështetjen për ta sjellë këtë ndryshim. Kam marrë vendimin për të kandiduar për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, sepse kam bindjen e plotë se Tirana ka ende mundësinë të jetë një qytet në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetarëve . Ky është një moment vendimtar për të marrë në dorë fatet tona dhe për të bërë ndryshimin, të gjithë bashkë, pa dallim! Tirana sot ka nevojë për alternativë, për shpresë, ka nevojë për vëmendje dhe respekt ndaj qytetarëve”, tha Bogdani
Kushdo kandidat që do të zgjidhet nga PD do të garojë përballë Erion Veliajt, i cili është zyrtarizuar nga PS për në mandat të tretë në krye të Bashkisë Tiranës.
Pak ditë më parë edhe deputeti i PD-së, Belind Këlliçi zyrtarizoi kandidaturën e tij në primare, për të garuar për kreun e Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet vendore të 14 majit. Këlliçi argumentoi nevojën për ndryshim të kryeqytetit pasi sipas tij është shfrytëzuar nga kryebashkiaku aktual Erion Veliaj.
/rtsh.al/