Ligjet me 3/5, Halimi: PS të dëshmojë përgjegjshmëri në miratimin e tyre
Sesioni parlamentar pritet mbyllet në fund të këtij muaji, por qeveria po tenton të shfrytëzojë çdo ditë të tij për të çuar para reformat, dhe pikërisht ato që kërkojnë dhe pëlqimin e opozitës. Në Parlament mbërritën pas vendimeve të fundit të qeverisë dy ligje që i japin një tjetër hov reformës në drejtësi. I pari është ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Konferencës së Gjyqësorit. Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi sqaron detajet që e bëjnë këtë ligj si një nyje e rëndësishme në gjyqësorin shqiptar, veçanërisht në raport me KLD-në, ku anëtarët gjyqtarë zgjidhen nga Konferenca e Gjyqësorit.
Ligji për Konferencën e Gjyqësorit, por edhe ndryshimet në Ligjin për Gjykatën e Lartë, ministri Halimi thekson se janë gjerësisht të konsultuara dhe të udhëhequra nga misioni europian që asiston drejtësinë shqipare, Euralius. Opozita gjithashtu ka shfaqur vullnet pozitiv në drejtim të këtyre ligjeve, vullnet që Halimi uron që të vijojë në komsione dhe me votë në seancë plenare.
Kjo në vijim të frymës së konsensusit që përmbylli muajt e parë të vitit të gjithë paketën e ligjeve me 3/5-at, si ai për Gjykatën Administrative, i cili është një ndër motivet e ndryshimit të Ligjit për Gjykatën e Lartë. Kjo gjykatë do të ketë 19 anëtarë, e do të duhet të japë drejtësi përmes tre kolegjeve
Por me ndryshimet e ligjit për Gjykatën e Lartë saktësohen dhe kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të saj, ku mazhoranca u jep rëndësi jo vetëm atyre profesionale, por dhe të meritës. Veçori tjetër është garantimi me ligj i karrierës gjyqësore, kulmi i së cilës natyrshëm arrin duke u bërë anëtar i saj i shkallës së tretë të gjyqësorit
Hapa të rëndësishëm janë hedhur në kuadër të reformës në drejtësi, por kreu i këtij dikasteri si përfaqësues i ekzekutivit ka të reja: një ndër to është mekanizimi ligjor që do të shmangë zvarritjen pa fund të proceseve gjyqësore për shkak të mospjesmarrjes së avokatëve
Në prag të përfundimit është dhe dixhitalizimi i plotë i sistemit gjyqësor. Hapi final është Fletorja Zyrtare Elektronike. Po ashtu ministri Halimi zbulon se së shpejti pritet të përurohet portali që lidh gjykatat në funksion të një veprimtarie informuese e transparente të pushtetit gjyqësor në vend.