Noka: Administrata tërësisht e përkushtuar në shërbim të qytetarëve
Flamur Noka kërkoi nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme të angazhohen maksimalisht për t’ju përkushtuar interesit të qytetarëve dhe zbatimit të ligjit. Ai theksoi se Ministria e Brendshme do të luajë një rol aktiv në përmbushjen e ambicjeve të qeverisë shqiptar
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka zhvilloi sot një takim prezantues me drejtues të administratës, prefektë dhe drejtues të tjerë lokal në varësi të Ministrisë së Brendshme. Noka kërkoi nga drejtuesit e MB të angazhohen maksimalisht për t’ju përkushtuar interesit të qytetarëve dhe zbatimit të ligjit. Ai theksoi se Ministria e Brendshme do të luajë një rol aktiv në përmbushjen e ambicjeve të qeverisë shqiptare për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën vendore, duke kontribuar në sistemin rrugor, atë të ujësjellës – kanalizimeve, arsim, shëndetësi apo menaxhimin e mbetjeve urbane. “Për një Shqipëri europiane, për një administratë publike totalisht të përkushtuar ndaj qytetarëve. Ju, si bërthama e këtij dikasteri, një prej institucioneve më me peshë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në mjaft aspekte, keni privilegjin dhe përgjegjësinë për qenë promotorë në implementimin e reformave kyçe për t’i bërë shqiptarët të ndihen të barabartë me qytetarët e Europës. Sot këtë privilegj e gëzoj edhe unë bashkë me ju dhe bëhem pjesë e përgjegjësive për ta ushtruar, bashkë me ju, detyrën që më është ngarkuar në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe në respektimin e shtetit ligjor. Ky fakt na vë përballë një sfide të madhe. Kërkon angazhimin dhe impenjimin tonë me seriozitet dhe me të gjitha kapacitetet për të përmbushur prioritetet e programit të Qeverisë Shqiptare në lartësinë që kërkon projekti madhor për një Shqipëri të Zhvilluar dhe pjesë e familjes së madhe europiane. Ky projekt nuk mund të konceptohet pa një administratë publike të modernizuar, e vënë tërësisht në shërbim të qytetarëve. Nuk mund të konceptohet pa garantimin e sigurisë së tyre, pa kufij të lirë e të sigurt, duke kontribuuar në këtë mënyrë që Shqipëria të zërë një vend dinjitoz në Europën e Bashkuar vetëm përmes meritave të saj. Padyshim që Ministria e Brendshme do të konsolidojë arritjet e deritanishme për patur marrëdhënie të ngushta dhe të pandikuar nga ngjyrat politike me të zgjedhurit vendorë në çdo qytet, komunë apo fshat. Ne duhet të luajmë një rol aktiv në përmbushjen e ambicjeve të qeverisë shqiptare për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën vendore, duke kontribuar në sistemin rrugor, atë të ujësjellës – kanalizimeve, arsim, shëndetësi apo menaxhimin e mbetjeve urbane. Si kryesues të Presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, ne do tregojmë dhe vërtetojmë se një demokraci e lulëzuar dhe një shoqëri e konsoliduar nuk mund të kuptohet pa një qeverisje vendore moderne, me prioritete që janë mirë të vendosura në listën e prioriteteve europiane dhe që tentojne t’i japin kësaj presidence gjallërinë dhe entuziazmin shqiptar, që ka ambicjen ta kthejë Shqipërinë në një vend të zhvilluar, paqeje e bashkëjetese”- u shpreh ministri i Brendshëm. Ai theksoi se roli i Ministrisë së Brendshme është jashtëzakonisht i rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Noka u ndal te rekomandimet 6, 9 si dhe 8, 12, përmbushja cilësore e të cilave do jetë pjesë thelbësore e suksesit. “Si Ministër i Brendshëm, si deputet, por edhe si qytetar, jam i ndërgjegjshëm se ne kemi me çfarë ta matim punën tonë. Ne duhet të përmbushim me cilësi të lartë detyrimet tona lidhur me rekomandimet për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian; veçanërisht ato 6, 9 por edhe ato 8 dhe 12. Ndihem i detyruar të nënvizoj se përmbushjen cilësore të rekomandimeve deri tani do të vazhdojmë të jemi pjesë thelbësore e suksesit si në rastin e liberalizimit të vizave, duke i dhënë Shqipërisë e shqiptarëve mundësinë e kënaqësinë e ëndrrës së plotësuar, qënien pjesë integrale e Bashkimit europian. Une jam i bindur se në kuadrin e Qeverisë Shqiptare, ne do ta përmbushim me sukses edhe këtë mision, ashtu si liberalizimin e vizave apo antarësimin në aleancën e Atlantikut të veriut. Jam i bindur që së bashku do t’ia dalim, ndaj ju uroj suksese në përmbushjen e detyrave për t’i shërbyer sa më mirë dhe me dinjitet vendit dhe qytetarëve shqiptarë!”- deklaroi ministri Noka.
Në kuadër të procesit të decentralizimit ministri i Brendshëm, Flamur Noka ka siguruar se do të vijojë praktika bashkëpunuese me të gjitha njësitë vendore pavarësisht ngjyrës politike që kanë të zgjedhurit vendor. “Në themel të arritjeve të mëdha që ka njohur vendi ynë qëndron një marrëdhënie intensive me të zgjedhurit vendorë. Ky fakt na vendos përpara një detyrimi të pashmangshëm për të insistuar në harmonizimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve institucionale për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë. Na mundëson të shohim me kujdes përdorimin e parasë publike në funksion të komunitetit, mbledhjen dhe menaxhimin e taksave, performacën e bashkive e komunave, modernizimin dhe dixhitalizimin e shërbimeve administrative dhe rritjen e transparencës së qytetarëve në vendimmarrje. Në këtë frymë, për të përmbushur angazhimin tonë të panegociueshëm për të përmirësuar jetën e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, trajtimi i çdo të zgjedhuri vendor, pavarësisht përkatësisë partiake, do të jetë vetëm i barabartë dhe jo ndryshe! Si një ish – i zgjedhur nga qytetarët, unë i garantoj të zgjedhurit vendorë se respektimi i parimeve gjerësisht të pranuara dhe të sanksionuara në Kartën Europiane te Autonomise Lokale e Rajonale, ështëkusht i panegociueshëm i marrëdhënieve tona të përbashkëta. Bashkepunimi dhe konsultimi me të zgjedhurit vendorë, respektimi i parimeve të ushtrimit të lirë të mandatit dhe zbatimi rigoroz i ligjit do të jenë busulla e drejtimit të këtij dikasteri. Garantimi i kushteve juridike, administrative e financiare për ushtrimin e mandatit të të zgjedhurve vendorë, do të vazhdojnë të respektohen me rigorozitetin maksimal nga qeveria shqiptare dhe unë personalisht”- tha ai. Noka garantoi gjithashtu angazhimin e Ministrisë së Brendshme për zgjedhje me cilësi dhe standarde demokratike. “Ne krijuam në një kohë rekord Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, një prej sistemeve më modernë të dokumentave të identitetit, si pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet elektronike. Dhe ne do të vijojmë punën për konsolidimin e këtyre sukseseve, për krijimin e platformave të integruara dixhitale që lidhin dokumentat e identitetit dhe të dhënat biometrike me shërbimet jetike si: sigurimet shoqërore e shëndetësore, tatimet dhe postën. Këta dokumenta janë gjithashtu baza e garancia për të patur zgjedhje me cilësinë dhe standardet më të larta, të lira e demokratike. Është koha që të garantojmë më mirë se asnjëherë tjetër cilësinë më të lartë të mundshme në plotësimin e infrastrukturës zgjedhore në listat e zgjedhësve. Ne do të garantojmë ruajtjen e rendit publik dhe standarde të larta gjatë zhvillimit të proceseve zgjedhore. Detyra jonë është të japim një mesazh të qartë, se cilësia e lartë dhe transparenca absolute, zbatimi rigoroz i ligjit dhe krijimi i të gjitha kushteve, do ta bëjnë Ministrinë e Brendshme dhe Qeverinë Shqiptare të qëndrojë në avangardë të plotësimit të standardeve zgjedhore nga institucionet shqiptare”- tha më tej ai.