Tadiç dorëhiqet: Do kandidoj sërish për president
BEOGRAD- Presidenti serb Boris Tadiç ka njoftuar zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit, ashtu siç mediat kishin paralajmëruar një ditë më parë.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale pritet të mbahen më 6 maj dhe Tadiç tha se do të jetë sërish kandidat. “Unë jam Presidenti sot dhe nesër”-tha Tadiç.
Ai njoftoi nesër do ti dërgojë letër kryetares së Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiq Dejanoviq për qëllimet e tij, në mënyrë që të fillojnë veprimet ligjore për sigurimin e procesit zgjedhor.
Tadic vendimin për dorëheqje e njoftoi mbrëmë në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokrate, me arsyetimin se shteti do të kursente mjete në rast se do të mbaheshin zgjedhjet për një herë në të gjitha nivelet, si ato lokale, parlamentare dhe presidenciale.
Analistët kanë theksuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të ndikonin që Tadic me vendimin e tij do të shtonte piket e subjektit të tij politik për zgjedhjet parlamentare, pasi PD radhitet e dyta pas Partisë Përparimtare Serbe të udhëhequr nga ish-radikalët.
Në rast se vendimi do të bëhet zyrtar, atëherë Parlamenti serb do të miratoje vendimin që në pako të përfshihen edhe zgjedhjet presidenciale, me ato lokale dhe parlamentare të caktuara për 6 maj. Mandati i rregullt presidencial i presidentit Tadic skadon në shkurt të vitit 2013. (INA)