E Diel, 1 Nëntor 2026

Martesat gay, Kodi i Familjes e ndalon

Komisioni i Ekonomisë diskuton draftin për diskriminimin. Kundërshton zyra juridike e Kuvendit

TIRANË - Meshkujt apo femrat që dëshirojnë të martohen me të njëjtin seks duhet që të presin për një kohë të pacaktuar, pasi ata duhet të bindin për shumë kohë edhe shumicën e deputetëve të Kuvendit për të ndryshuar një pikë të nenit në Kodin e Familjes që e ndalon këtë gjë.

Projektligji "Për mbrojtjen nga diskriminimi", i cili ka nisur dje të diskutohet në komisionin përgjegjës atë të Shëndetësisë, nuk merr përsipër që të legalizojë një marrëdhënie të tillë aq shumë të lakuar gjatë verës që lamë pas, kur kjo nismë u lançua nga vet kryeministri Berisha gjatë një mbledhje qeverie.

Madje, iniciatorët e këtij drafti, organizatat joqeveritare, bëjnë të ditur se një gjë e tillë nuk ka qenë asnjëherë synim i tyre, pasi për të konkretizuar një zhvillim të tillë kërkohet jo vetëm angazhim prej tyre, por së pari vullnet politik për të ndryshuar Kodin e Familjes, i cili hyn tek ato ligje që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash për tu miratuar.

Martesat

Ka qenë kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj, si përfaqësuesja e një nga organizatave joqeveritare që ka kontribuar direkt në hartimin e dispozitave të këtij drafti, ajo që ka sqaruar dje se drafti që i është paraqitur Kuvendit nuk ka si qëllim të tijin të vendosë institucionin e martesës edhe për persona të së njëjtës gjini.

Duke folur për mediat, ajo ka sqaruar se që të bëhet një gjë e tillë kërkohet të ndërhyhet në një ligj të rëndësishëm siç është Kodi i Familjes që kërkon një shumicë të cilësuar votash. "Ky ligj nuk legalizon asgjë, shpjegon atë parim kushtetues të mosdiskriminimit.

Qëllimi ka qenë që shtrirja e mosdiskriminimit është në të gjitha fushat. Por, deri këtu shtrihet ligji, për sa i përket instituteve të veçanta, që ju i keni lakuar dhe mbase ka interes publik, por ato nuk gjejnë përgjigje në këtë ligj.

Për sa i përket institutit të martesës është një institut që rregullohet nga Kodi i Familjes. Kodet janë ligje të një rëndësie të veçantë, që miratohen në Kuvend, por me një mazhorancë të cilësuar. Pra, të prekësh Kodin e familjes, kodet e procedurës nuk është detyrë e këtij ligji. Është ligj i thjeshtë që ka detyrë të shpjegojë kuptimin e diskriminimit dhe t'i mbrojë qytetarët nga mosdiskriminimi", - tha Meçaj.

Madje, në rolin e propozuesit të këtij drafti, i cili është paraqitur në Kuvend me firmat e pesë deputetëve të djathtë, ajo ka sqaruar se ligjërimi i martesave të tilla nuk ka qenë asnjëherë qëllim i tyre, duke bërë të qartë kështu se deklarata e kryeministrit për këtë çështje nuk ka pasur si shtysë qëndrimin e shoqërisë civile.

Ajo ka theksuar se kjo nismë është keqinterpretuar, duke u shmangur nga qëllimi i vërtetë i saj, që është mbrojtja nga diskriminimi. "Unë nuk e di programin e qeverisë. Nëse flisni për projektligjin, ky është.

Edhe unë e kam ndjekur kryeministrin, në kohën kur ai është shprehur projektligji nuk kishte marrë formën përfundimtare dhe nuk mund të flas këtu për programet e mëtejshme të qeverisë. Në këtë projekt asnjëherë nuk është folur për martesën ose për gjëra të tjera, sepse ato janë institute që parashikohen nga ligje të tjera", - tha më tej Meçaj.

Komisioni

Komisioni parlamentar i Shëndetësisë ka nisur dje shqyrtimin e draft ligjit "Për mbrojtjen nga diskriminimi, i cili synon që të parandalojë dhe ndëshkojë të gjitha format e diskriminimit për shkaqet që kanë të bëjnë me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, orientimin seksual, besimet, etj.

Seanca e djeshme ka qenë krejt formale, pasi deputetët janë njohur vetëm me realizimin, që i ka bërë kësaj nisme një nga deputetët firmëtarë të tij, aktores Rajmonda Bulku, e cila ka bërë një prezantim të shkurtër të asaj që vjen si risi me këtë projektligj, por ku natyrisht nuk flitet për atë që kishte marrë përsipër kryeministri të ligjëronte, pra martesën e homoseksualëve.

Ndërkohë që kreu i komisionit, Tritan Shehu, nuk ka nxituar për të kaluar në diskutimin e projektligjit në brendësi të vetë, pasi siç bëri të ditur ai, një kopje e tij i është nisur të gjitha ministrive të linjës që kanë të bëjnë me problematikat që trajtohen në të. Por, pavarësisht kësaj, shumica e deputetëve anëtarë të këtij komisioni janë shprehur parimisht dakord me këtë nismë.

Ndërkohë, memoja e hartuar nga zyra juridike e Kuvendit e konsideron projektligjin si të panevojshëm në shumicën e vetë, pasi siç edhe konstatohet në të shumica e neneve të propozuara ose janë të pa aplikueshëm, ose pjesa tjetër është trajtuar edhe në ligjin "Për Barazinë Gjinore" të miratuar gati dy vjet më parë. Në përgjithësi vërej se ky projektligj ndjek të njëjtën formë dhe përmbajtje si projektligji "Për barazinë gjinore në Shqipëri", - thuhet në këtë Memo.

Por, një problem i madh sipas këtij vlerësimi lind edhe për institucionin e komisionarit që propozohet të ngrihet për ruajtjen e shtresave objekt i projektligjit nga diskriminimi, i cili rrezikon të dublojë institucionin e Avokatit të Popullit. "Në kreun V projektligji përcakton krijimin e një komisionari për mbrojtjen e barazisë.

Ky komision është shumë i ngjashëm me kompetencat që ka Avokati i Popullit dhe mendoj se me krijimin e tij në fakt ka një dualizëm në institucionet që do të trajtojnë mbrojtjen e individit nga diskriminimi. Kjo do të ngjallë debate në praktikë, pasi do të kemi përplasje kompetencash", - thotë ekspertja që ka hartuar Memon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›