“Ligji Antimafia, 13.8 milion euro pasuri të paligjshme janë sekuestruar në 2012, në 3 vite mbi 28 milionë euro”
Katër ministri dhe SHBA, memorandum bashkëpunimi për sekuestrimin e pasurive të krimit
Bashkëpunim i të gjithë aktorëve për të sekuestruar pasuritë e ardhura nga krimi i organizuar.
Është ky apeli i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu në Tiranë gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Agjensinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ndërmjet SHBA-së, Prokurorisë dhe katër ministrive; të Drejtësisë, të Financave, të Transportit dhe të Ministrisë së Brendshme.
Ambasadori Arvizu i bëri thirrje Prokurorisë të bëjë çdo përpjekje për të sekuestruar pasuritë e ardhura nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Sipas tij konfiskimi i pasurive parandalon aktivitetet e paligjshme.
“Së pari, kriminelët nuk duhet të lejohen të përfitojnë prej krimeve të tyre. Prokurori duhet të bëjë çdo përpjekje për të sekuestruar përfitimet e fituara në mënyrë të paligjshme nga të pandehurit. Së dyti, sekuestrimi i përfitimeve prej krimit ndihmon në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme nga kriminelët. Dhe së treti, kur një qeveri është e aftë të konfiskojë pasuri, atëherë kjo në fund fare shërben për zbatimin e ligjit”, u shpreh ambasadori amerikan.
Sipas tij, ky memorandum në thelb përcakton detyrat dhe detyrimet e secilës agjenci për sekuestrimin e pasurive.
“Ky memorandum kërkon të specifikojë atë që duhet të bëjë çdo agjenci në procesin e konfiskimit. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, do doja t’iu zotohem edhe njëherë për mbështetjen tonë të vazhdueshme”, vlerësoi ai.
Ndërsa ministri i Financave Ridvan Bode në fjalën e tij theksoi se përfitimet nga konfiskimet të jenë të prekshme dhe kërkoi bashkëpunim i ngushtë mes institucioneve. “Për ne është obligimi i ri, marrje e detyrimeve të reja që çdo pasuri e sekuestruar të kalojë sa më shpejt në administrim. Përfitimet do të jenë sa më të prekshme dhe në frymën e ligjit. Lufta ndaj krimit dhe terrorizmit është e vështirë, por jo e pamundur. Shkëmbimi në kohë i informacioneve dhe bashkëpunimi, ky do të jetë objektivi ynë për ta bërë më pak të vështirë luftën ndaj krimit”, theksoi Bode.
Nga ana e tij ministri i Drejtësisë Eduard Halimi apeloi për goditje të krimit të organizuar në pasurinë e tij.
“Lufta ndaj krimit të organizuar është ndër prioritetet tona. Krimi i organizuar duhet goditur atje ku i dhemb më shumë, në pasurinë e tij. Veprimtaria e grupeve kriminale të organizuara është e rrezikshme për të gjithë shoqërinë. Pasuritë e ardhura nga krimi i organizuar do të shiten dhe shteti do të financojë mjetet për të luftuar krimin”, u shpreh Halimi.
Ndërkohë ministri i Transporteve, Sokol Olldashi vuri në dukje rëndësinë e rritjes së kulturës qytetare për refuzimin e shërbimeve që rrjedhin nga bizneset e krimit.
“Nuk ka biznese që burojnë nga krimi që nuk janë në dijeninë e qytetarëve. Përveç shërbimit që vjen nga agjencitë, do të ishte e nevojshme forcimi i kulturës së qytetarëve për refuzimin e shërbimeve që vijnë nga krimi. Ministria e Transportit është e përkushtuar për zbatimin e këtij memorandumi”, nënvizoi Olldashi.
Ndërsa ministri i Brendshëm Flamur Noka theksoi luftën pakompromis për krimin e organizuar.
“Sekuestrimi i aseteve apo fitimeve mbetet një ‘thembër akili’ për çdo grup kriminal. Kjo goditje e fortë e ligjit jo vetëm i privon nga mundësia për të gjeneruar aktivitete kriminale në vijimësi, por, paralelisht u heq mundësinë për të pastruar këtë pasuri, u heq mundësinë që ‘të rehabilitojnë’ përfitimet e tyre nga aktivitetet kriminale, duke penguar maksimalisht përpjekjet për krijimin e krimit të organizuar”, theksoi Noka, i cili përmendi edhe disa nga rezultatet në hetimin e aseteve kriminale.
Sipas tij, “Janë 13.8 milion euro pasuri të paligjshme në formë llogarish bankare, apartamentesh, makinash dhe biznesesh janë sekuestruar vetëm këtë vit nga krimi organizuar. Vetëm në tre vjet nga momenti që ka hyrë në fuqi ligji antimafia ne mundësuam sekuestrimin e mbi 28 milionë euro pasuri të vëna nga aktivitetet kriminale. Vetëm në një rast të bashkëpunimit me strukturat homologe greke kemi mundësuar të sekuestrojmë mbi 2.77 mln euro llogari bankare dhe asete që vijnë nga veprimtari kriminale”, tha ministri i Brendshëm Flamur Noka.
Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla e vuri theksin tek bashkëpunimi i institucioneve në luftën kundër krimit.
Sipas tij, njerëzit e krimit të organizuar në Shqipëri investojnë në biznese të ligjshme dhe kjo është forma me e përhapur e përdorur prej tyre për të bërë pastrimin e parave pa rënë në sy. “Prirja e personave të përfshirë në aktivitete të krimit të organizuar është përdorimi i këtyre të ardhurave në aktivitete të ligjshme duke synuar në këtë mënyrë fshehjen e prejardhjes së tyre kriminale. Shqipëria është një vend i hapur dhe mundësitë për të kryer transaksion të paligjshëm në vlera të mëdha monetare janë të shumta”, theksoi kryeprokurori Adriatik Llalla. Ai shtoi se është detyrë institucioneve që të luftojnë veprimet antiligjore.