Pse Clintonët janë politikanët më të preferuar të amerikanëve
Një anketim i fundit ka treguar se Hillary dhe Bill Clinton janë politikanët më popullorë në Amerikë. Si ia ka arritur çifti më i njohur i politikës amerikane të ketë një mbështetje kaq të lartë?
Megjithëse kthimi i sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Rodham Clinton, gjatë javës së ardhshme në punë do të jetë i shkurtër, duke marrë parasysh nominimin e John Kerryt nga presidenti Barack Obama për ta zëvendësuar atë në postin e sekretares, kjo po ndodh në kohën kur ajo po shënon kulmin e popullaritetit, respektit, madje mahnitjes. Një anketim i kryer nga “NBC News/Wall Street Journal” në muajin dhjetor ka treguar se sekretarja Clinton dhe burri i saj, ish-presidenti Bill Clinton, janë dy politikanët më popullorë. Në të njëjtën kohë, një anketim i “Bloomberg” tregon se 70 për qind e amerikanëve kanë mendim pozitiv për sekretaren Clinton – një shifër e jashtëzakonshme duke marrë parasysh polarizimin e skajshëm të dy kampeve kryesore politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çka mund të shpjegojë përkrahjen e madhe të amerikanëve për Billin dhe Hillin, siç kanë filluar t’i quajnë kolumnistët më të njohur të Washingtonit? Disa prej analistëve mendojnë se “delegimi” i sekretares Clinton ka qenë më i lehtë në skenën ndërkombëtare për shkak se nuk kishte çështje kundërthënëse që do ta vinin në sprovë të njëmendtë autoritetin e saj diplomatik. Ata mendojnë se kjo ka bërë që shefja e diplomacisë të fitojë mbështetje të republikanëve dhe demokratëve. Ka të tjerë që mendojnë se kjo ndodh thjesht për faktin se Clintonët janë të gjithëpranishëm, me sekretaren Clinton që fluturon si një stuhi duke përfaqësuar Amerikën në skenë botërore dhe zotin Clinton që kishte mbajtur një qëndrim të matur gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale - së pari në Konventën Kombëtare Demokrate - duke përkrahur presidentin Obama. Por sikur ka shkruar së fundi edhe “Washington Post”, Clintonët kanë gëzuar një “vit të mbarë”: “Të qenët i gjithëpranishëm zakonisht sjell një zbehje të imazhit në publik, e jo më shumë mahnitje”.
Ani pse atëherë amerikanët nuk qenkan lodhur prej Clintonëve? Në rastin e sekretares Clinton, amerikanët duket se admirojnë etikën e punës së saj dhe aftësinë e saj për të dalë gjithnjë me diçka të re - dhe këtë jo vetëm sa për sy e faqe, por duke rimarrë skenën. Duke bërë të ditur kthimin e shpejtë të sekretares Clinton pasi ishte hospitalizuar për shkak të një tromboze në tru, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, ka thënë se sekretarja po e mbaron detyrën me një shkëlqim. Kjo mund të duket si një lavdërim i tepruar, ama shkëlqimi është i vërtetë. Kushdo që ka shikuar nga afër kalendarin e angazhimeve të saj gjatë punës katërvjeçare, nuk ka pse të mendojë dy herë, por do ta besojë. Gjithashtu tingëlloi mirë kur zonja Nuland shtoi se Clinton vazhdon të jetë e “përkushtuar për të dëshmuar” para Kongresit në lidhje me sulmin në Benghazi, që kishte ndodhur gjatë kohës së menaxhimit të diplomacisë prej saj dhe kishte kushtuar me katër jetë amerikanësh, përfshirë edhe ambasadorin amerikan në Libi, Christopher Stevens.
Dhe ja tani i vjen radha çështjes së risisë personale. Kur sekretarja Clinton doli të mërkurën nga spitali njujorkez, me burrin dhe të bijën Chelsea në krah, ajo fali një buzëqeshje prapa syzeve të saj të zeza - të njëjtat syze të zeza, duket, që i kishte mbajtur në një fotografi të famshme në një aeroplan ushtarak derisa po shikonte në “BlackBerryn” e saj. Ky ishte një shenjë kujtimi i distancës së madhe të kaluar prej saj në fluturimet e shumta në garën e saj të pasuksesshme presidenciale të vitit 2008, që ndryshon shumë krahasuar me “Hillarin cool” të shfaqur përpara një mjeti interneti në vitin 2012. Më thelbësor është fakti sesi ajo ia kishte dalë ta merrte veten pas humbjes së vitit 2008 dhe me efikasitet - dhe me shumë dashamirësi - e vuri veten në shërbim të burrit që ia shkatërroi ëndrrën, në rolin e diplomates kryesore të kombit. Derisa po vizitonte (dhe në disa raste rivizitonte) demokracitë në shpërthim, Clinton duhet ta ketë treguar me mijëra herë rrëfimin sesi pasi kishte nisur dhe pastaj humbur betejën ndaj atëherë senatorit Obama, ajo tani punon me të - dhe sesi kapërcimi i rivaliteteve politike për të mirën e kombit ishte një element kryesor për një demokraci të suksesshme. Kjo aftësi për ta shndërruar humbjen e saj më të madhe në një aset, mbase ka qenë virtyti kryesor me të cilin mahniti sekretarja Clinton.