Komenti/ PS pretendon se është distancuar nga Sekretari i saj. Por pse, si dhe kur?

Kosta Barjaba, është anëtar dhe themelues i PS, qysh më 1991 (siç shprehej në prag të fushatës elektorale të 2009-ës tek gazeta pranë Edi Ramës), u trumbetua si profesionist që po bashkohej me PS dhe doli në shumë takime politike krah në krah me Edi Ramën. Fatbadha Barjaba është zëdhënësja e grupit të këshilltarëve bashkiakë të PS në këshillin bashkiak të Tiranës. Barjaba formuan familjarisht një grup kriminal të organizuar dhe u nisën për gjah më 27 dhjetor 2012. U pikasën herën e dytë në vjedhje dhe profesionisti Barjaba iku me vrap duke lënë pas vajzën dhe gruan. Pas pak mori policinë në telefon, për të raportuar se i kanë humbur gruaja dhe vajza. Policia i arrestoi, i mbajti 24 orë në paraburgim, i nxori para gjyqtarit prej ku u liruan pasi paguan garancinë në para e u lanë për gjykim në gjendje të lirë. Më 1 janar 2013-ë, Barjaba hyn dhe redakton faqen zyrtare të PS në Facebook ku si kreu i grupit të punës vendos status e uronte anëtarësinë për ndryshimin që do vinte me vitin e ri.
Më 2 janar një gazetë lokale në Palo Alto duke ju referuar policisë lokale jep lajmin e çuditshëm se si një familje e plotë nga Shqipëria ish kapur në vjedhje. Shumë media shqiptare japin lajmin, si dhe intervistojnë Barjabën për çështjen, i cili e quan të pavërtetë dhe sulm ndaj tij se është figurë e lartë në PS. Disa nder mediat e afërta të Edi Ramës nuk e dhanë fare lajmin, ndërsa militantet e Top Kanalit dhanë diku nga fundi i lajmeve vetëm përgënjeshtrimin e Barjabës për diçka që kishin sulmuar Barjabën dhe asnjë fjalë për çfarë ishte akuzuar.
Partia Demokratike i kërkoi Ramës të dënonte xhepistin dhe të distancohej prej tij. Partia Socialiste reagoi se e kishte Edi Ramën me pushime dimërore 1 javore.
PD përsëriti thirrjen që PS të dënonte xhepistin dhe të distancohej prej tij, por Edi Rama nuk reagoi me shpresë se do harrohej apo do mbeste e paqartë si veprat e Ramës.
Vetëm kur Zëri i Amerikës në emisionin e orës 18:00 u lidh direkt me policinë e Palo Altos dhe konfirmoi që familja ish kapur në vjedhje, ish arrestuar dhe lëshuar për gjykim në gjendje të lirë pas pagesës së garancisë, vetëm atëherë rreth orës 7 të mbrëmjes PS deklaroi se po fillonte procedurë sqarimi ndaj znj. Barjabës ndërsa z. Bajraba ishte vullnetar ndaj nuk kish çfarë të thoshte për të.
Kjo ish tendencë për të mos dënuar aktin dhe mos u distancuar nga Barjaba, por Edi Rama gënjeu trashë dhe u tall sesi vullnetarisht Barjaba ishte i 7-i në listën për deputetë në Vlorë në 2009-ën, dhjetëra foto në krah të Ramës apo të drejtat e plota të Barjabës në Facebook-un zyrtar të PS.
Deri më sot, Edi Rama nuk e ka dënuar këtë akt të shëmtuar, që vjen pas njoftimit se Saimir Tahiri nuk ka paguar (pra ka vjedhur) 70,000 euro që i detyrohet shtetit, dhe tashmë i pasuar edhe nga lajmi se kreu i bashkisë së Pogradecit, është paditur për abuzime me tenderët. Edi Rama i doli haptazi në mbrojtje qoftë hajdutit Saimir Tahiri dhe qoftë kreut të bashkisë së Pogradecit që kish ndjekur shembullin e Ramës.
Ndërkaq, shihet se Kosta Barjaba qenka dekan dhe krahu i djathtë i Cac Angjelit tek universiteti i tij privat. Ndaj, Kosta nuk mund të dënohet pasi cenohet Caci që është heroi i Rilindjes së Edi Ramës dhe kreu i grupit të punës së PS për financat. As Caci nuk u ndie për veprimin e Barjabës së tij. Derisa t’i dalë pija nga pushimet Edit, dhe derisa Caci të ketë zgjedhur zëvendësuesin e Kostës, nuk do pipëtijë njeri nga PS.