Kryeministri Berisha: Shtetësi për qytetarët me kombësi shqiptare në Europë dhe SHBA
Duke rikthyer sërish në vëmendje çështjen e kombësisë, kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se duhet vendosur sa më shpejt për një ligj që iu njeh të drejtën e kombësisë të gjithë shqiptarëve që kanë kombësi në një nga vendet e zonës “Schengen” dhe vendeve me të cilat kjo zonë nuk ka viza. “Vendimi që duhet të marrim dhe sa më shpejt për interes kombëtar, fitojnë të drejtën e shtetësisë shqiptare të gjithë shqiptarët që kanë marrë shtetësi në vendet e zonës së ‘Schengenit’ dhe jetojnë aty dhe vende me të cilat zona ‘Schengen’ nuk ka viza. Kjo do ti jepte përgjigje këtyre njerëzve, shqiptarëve që jetojnë në të katër anët e botës me dëshirën e tyre. Kjo bëhet me aplikim dhe meqenëse jemi tek aplikimi, zoti ministër i brendshëm duhet të hyjnë në tratativa urgjentisht me kompaninë aleat që të hapi degë në Gjermani, të hapi degë në Zvicër, etj. Po ju lexoj diçka: ‘Unë thotë shkova në Milano për të marrë pasaportën biometrike dhe kur më pa polici në Mynih, dhe kur i tregova pse shkova në Milano më thotë se paske shpenzuar shumë. Unë ju përgjigja se “kjo pasaportë nuk ka të paguar, vlera e saj nuk mattë me lekë’. Ndaj dhe të jemi sa më afër qytetarëve tanë. Të shohim në Angli, në Belgjikë ne duhet tu ofrojmë qytetarëve tanë shërbimet më të lehta më të qytetëruara”, u shpreh kryeministri.
Me vendim qeverie, bazuar në ligjin nr. 8389, datë 5. 8. 1998, i ndryshuar, Për shtetësinë, neni 9 pika 7, për interesa kombëtare, shtetësia shqiptare do t’u jepet sipas dëshirës së tyre, me aplikim, të gjithë qytetarëve me origjinë ose kombësi shqiptare, me dokumente të rregullta në vendet e zonës “Schengen”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjetra me lëvizje të lirë pa viza në zonën “Schengen”.
Për qytetarët shqiptarë me banim në Kosovë, kjo çështje duhet të zgjidhet mbi bazën e marrëveshjes me qeverinë e Kosovës dhe ky proces nuk mund të cenojë apo ndërhyjë në procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës me Bashkimin Europian.
Duke qenë se Shqipëria është para zgjedhjeve dhe listat dhe infrastruktura zgjedhore për vitin 2013 tashmë janë të përfunduara, e drejta e votës për këta qytetarë do të hyjë në fuqi pas amendimit konsensual të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e tjera, pas qershorit 2013.
Komunikimi dhe transparenca me qytetarët, përparësi madhore e qeverisë/ Në kuadrin e komunikimit sa më transparent dhe të shpejtë me qytetarët, kryeministri bëri të qartë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se vendosja e antenave të kompanive celulare në prona publike do të përjashtohet nga çdo lloj takse dhe nuk do të bie më pre e veprimeve abuzive të autoriteteve vendore, të cilat në shumë raste kanë vendosur mbi këto kompani taksa të padrejta.
“Antenat e komunikimit të kompanive celulare përjashtohen në vendosjen e tyre nga çdo lloj takse. Ato e kthejnë shpërblimin e vet disa herë më të madh se sa ajo që mendohet, ndaj dhe vendosja e këtyre antenave nuk do të mund të jetë subjekt tatimi as nga ato vendore, as nga ato qendrore, në asnjë pjesë”, u shpreh kryeministri.
Gjithashtu, Berisha kërkoi nga kabineti qeveritar realizimin në një kohë sa më të shpejtë të transparencës në komunikimin me qytetarët, nëpërmjet publikimit të të dhënave si numri personal i telefonit, e-maili, në ëeb e ministrive dhe rrjetet sociale si Facebook, etj.
“Zotërinj ministra, mbledhjen e kaluar të qeverisë unë kërkova që secili prej jush së pari të krijojë linjën falas të komunikimit të qytetarëve, së dyti të afishojë numrin e vet, i cili ka ndër të tjera edhe taksat e qytetarëve. Subvencioni është taksë e qytetarëve. Ndaj edhe ai numër duhet të afishohet. Gjithashtu duhet të publikohet adresa e e-mailit në faqen zyrtare dhe në Facebook. Duhet të krijoni facebook-un të gjithë. Ende disa ministri nuk i kanë vendosur dhe kërkoj që këto të vendosen përfundimisht dhe deri ditën e shtunë të jenë funksionuese për të gjithë qytetarët shqiptarë, pa përjashtim. Këto janë linjat e transparencës së qytetarit. Këto janë avantazhet e komunikimit”, tha kryeministri.
Kurum” shoqëria fituese e privatizimit të HEC-eve/ Këshilli i Ministrave vendosi dje shpalljen e kompanisë “Kurum” si fituese për blerjen e hidrocentraleve “Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, me vlerë 52 000 000 (pesëdhjetë e dy milionë) euro. Përmes një vendimi të dytë, qeveria shpall fituese po të njëjtën shoqëri si fituese, për blerjen e hidrocentralit tjetër, Ulëz - Shkopet”, me vlerë 57 500 000 (pesëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind mijë) euro. Në total kompania Kurum privatizon 100 për qind aksionet e tre hidrocentraleve me vlerë 109 milionë euro.
Sipas vendimit të qeverisë, ngarkohet Ministria e Ekonomisë, të nënshkruajë kontratën me kompaninë fituese.
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 383, të këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informate”, të ndryshuar.
Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh se numri i pronarëve dhe trashëgimtarëve që fitojnë nga ky vendim është 4577. Sipërfaqja e shpërblyer është 643000 e 728 metër katrorë. Vlera e shpërblimit 9 miliard e 860 milion e 481 mijë e 867 lekë (të vjetra).