Ligji Europian dhe mbështetja për hetimet e EULEX-it
Nga Shkëlzen Maliqi (Express)
EULEX, si duket, më në fund ka vendosur që ta funksionalizojë mandatin të cilin e ka në disa fusha të sundimit të ligjit në Kosovë. Për këtë mision-kompromis të Bashkimit Europian, nuk ka qenë lehtë që të arrijë deri në këtë fazë të “pjekurisë” dhe vendimmarrjeve më energjike. I ndërtuar me ngadalë dhe me hezitime, jo vetëm pse në BE nuk ka ekzistuar konsensusi i plotë rreth njohjes së pavarësisë (pesë anëtare të BE’së ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës), EULEX’i është dashur që të akomodohet edhe karshi mbeturinave të misionit të OKB’së, edhe ndaj faktorëve tjerë që kanë ndikim në arkitekturën e sigurisë të Kosovës dhe rajonit. Njëra prej konsideratave të mëdha ka qenë edhe “zbutja” graduale e Beogradit zyrtar dhe serbëve të Kosovës, që edhe pse nuk e kanë pranuar Planin e Ahtisaarit, të lejojnë instalimin e EULEX’it në kapacitetet dhe funksionet që ishin paraparë sipas këtij Plani. Sado që disa nga ndërhyrjet e EULEX’it janë dukur të paktën kontraverse dhe jo të matura mirë, si p.sh., në kryen e herës vazhdimi i procesit ndaj Albin Kurtit, të cilin e kishte trashëguar nga UNMIK-u, aksionet tjera si depërtimi në Veri të Kosovës dhe fillimi i trajtimit të korrupsionit edhe në nivelet më të larta të pushtetit, mund ta korrigjojë imazhin e EULEX-it, që kishte filluar të barazohej me atë tejet negativ të UNMIK-ut. Korrupsioni është bërë prej kohësh temë e ditës në Kosovë. Ai ka zënë vend si në raportet e progresit të organizatave ndërkombëtare, ashtu edhe në diskursin e ashpër publik të opozitës dhe të një pjese të mediave. Por, deri më sot, për korrupsionin kishim shumë zhurmë dhe spekulime e shumë pak hulumtime serioze dhe dëshmi konkrete. Dhe ka qenë vërtet momenti i fundit që EULEX-i të nis hetimet dhe procesimin e korrupsionit. Po kështu, duket se aksioni kundër korrupsionit nuk po bëhet sa për sy e faqe, por ka nisur në instancat më të larta të pushtetit. Bastisja nga Policia e EULEX-it e shtëpive të familjes së Ministrit Fatmir Limaj, si dhe të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, tregon se shënjestra e luftës kundër korrupsionit është vendosur mu atje ku edhe kanë qenë të orientuara parakallëzimet e opozitës.
Mirëpo, nuk duhet të paragjykohet fajësia e atyre që po bastisen aktualisht, e as rezultati i hetimeve që kanë filluar. është shumë mirë që Ministri Limaj ka shfaqur publikisht një qëndrim afirmativ për bastisjen dhe hetimin. Mbase edhe nga përvoja e akuzës dhe e gjykimit që e kishte disa vjet më parë në Tribunalin e Hagës, Ministri Limaj e di mirë se ky fatalitet që po e godet mu atë për së dyti, nuk është vetëm “rrugë e turpit”, por edhe mundësi që të dalë i pastër dhe i pafajshëm nga gjitha ato përfolje gjysmëpublike dhe publike, të cilat edhe pa bastisjen kishin marrë dhenë. Përndryshe, bastisje në instancat e larta kemi pasur edhe më herët, p.sh., para disa viteve, kur Policia e UNMIK-ut kishte hyrë në mesnatë në shtëpinë dhe rezidencën e ish Presidentit Ibrahim Rugova, për t’i hetuar strukturat e shërbimeve paralele informative të cilat njëfarëdore e kishin “rrethuar” dhe ngulfatur me veprimtari jolegale edhe vetë Presidentin. Kjo aferë e paprecedent nuk është sqaruar asnjëherë deri në fund, por ka pasur një rezultat të mirë, sepse pas kësaj bastisjeje Presidenti është vënë nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, dhe jo të shërbimit policor praktikisht privat të tij. Në rastin e Limajt, nuk do të ishte mirë - realisht do të ishte dështim i madh për EULEX’in - nëse rezultati i hetimeve, cilido që të jetë përfundimi, të mos bëhet transparent dhe i “qartë” për opinionin. Në komunikatën e EULEX-it që është lëshuar dje, theksohet se “në këtë fazë bastisjet janë thjesht të karakterit hetues dhe materiali i cili është duke u mbledhur do të analizohet me kujdes nga policia dhe PSRK-ja”, me çka sikur sinjalizohet se nuk ka prova ose dëshmi paraprake. Nëse më lejohet që të spekuloj paksa, edhe pse këtë e bëj me shumë rezerva, më duket shumë pak e mundshme që bastisjet të jenë bërë vetëm për të mbledhur fakte për analiza. Sidoqoftë, është mirë dhe me dobi për të gjithë që të sqarohet kjo aferë, dhe të zhvillohen hetimet edhe për rastet tjera ku dyshohet ose ka indikacione serioze për korrupsion, qoftë të pjesëtarëve të pushtetit aktual, qoftë të qeverive të mëhershme.
Deri më sot kemi pasur shumë auditime dhe raporte për abuzime me mjetet publike, por shumë pak ndjekje penale, sidomos ato të majave të pushtetit. Nëse mëngjesi paralajmëron çfarë do të jetë puna e hetuesisë së EULEX’it, nuk do të befasohemi që të dalin në dritë edhe afera të tjera. Sa i përket qeverive të mëhershme, jo një herë është thënë se ekzistojnë dosjet për korrupsion të disa ministrave që UNMIK’u i mbante në arkiv të paprocesuar. EULEX’i mbase nuk i ka hapur këto dosje për ta filluar procesin për së mbari, por tani nëse këto pohime janë të sakta, nuk ka arsye që mos fillojnë hetimet dhe të ngriten akuzat. Në këtë fazë delikate të tranzicionit dhe të ndërtimit të institucioneve, hetimi dhe ndëshkimi i korrupsionit është me rëndësi vitale për zhvillimin e Kosovës dhe ngritjen e ndërgjegjes së pushtetarëve. Mandati i EULEX’it në aspektin e luftimit të korrupsionit është shumë i qartë dhe fisnik. Ai duhet ta ketë përkrahjen e plotë të opinionit. Me institucionet e brishta që kemi, sistemin e gjyqësisë në tranzicion, pa kapacitete dhe vullnet të mjaftueshëm që të sigurojë drejtësi efikase, prokurorët dhe gjykatësit europianë, sado që shpesh ka paragjykime ndaj tyre, janë një ndihmesë e jashtëzakonshme për popullin e Kosovës, i cili ka jetuar në kushtet e humbjes së besimit në shtetin ligjor dhe drejtësinë. Një EULEX efikas dhe i drejtë është shansi ynë që ta kthejmë besimin në ligjin europian.