E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: “Greva nuk do të ndalet. Barrikadë e gjerë njerëzore”

Autori i Lajmit: Lorena Killo
Opozita vijoi edhe dje protestën para kryeministrisë. 22 deputetë të PS-së dhe 180 mbështetës, të cilët një ditë më parë hynë në grevë urie kanë kaluar edhe mbrëmë në çadrat e ngritura në bulevard, pas fjalimeve në nisje të protestës. Qindra qytetarë janë bashkuar dje që në orët e para të mëngjesit protestës së PS-së në bulevardin "Deshmoret e Kombit”. Gjatë pasdites së djeshme Policia e Tiranes u kërkoi organizatorëve të grevës së urisë në sheshin para Kryeministrise të zhbllokojnë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në mënyrë që të lëvizin lirisht mjetet e transportit.

22 deputetët kalojnë natën e dytë, ndërlikohet situata

Njëzet e dy deputetë të PS dhe 180 mbështetës opozitarë kanë hyrë në grevë urie pa afat. Greva po zhvillohet qe prej orëve të mbrëmjes së të premtes në çadrat e ngritura para kryeministrisë. Grupi parlamentar i PS-së vendosi të marrë këtë vendim, më të ashprin deri më tani, për ti imponuar qeverisë hapjen e kutive të votimit dhe zgjidhjen e krizës politike. Të kryesuar nga deputeti Fatmir Xhafaj, deputetët janë sistemuar në çadrat e ngritura në bulevard, pas fjalimeve në nisje të protestës. Rezistenca e socialistëve, sipas Xhafës, ka nisur pikërisht në bulevardin që mban emrin “Dëshmorët e Kombit”. Deputetët në grevë janë Besnik Baraj, Ledi Shamku, Arta Gaçi, Ermonela Felaj, Blendi Klosi, Gazmir Bizhga,Shegush Ligori, Taulant Balla, Agim Leka,Skënder Hasa, Armando Subashi,Piro Lutaj, Ervin Koçi, Fatos Tushe, Arben Ahmetaj, Olta Xhaçka, Asllan Dogjani,Gjovalin Kadeli, Ilir Bejtaj, Eltar Deda, Arben Malaj, Fatmir Xhafaj. Ndërsa opozita do të vijojë protestën e saj para Kryeministrisë, maxhoranca festoi në sheshin “Nënë Tereza”. Megjithëse opozita ka deklaruar se do të jetë paqësore dhe maxhoranca njëherësh ka thënë se nuk do të ketë provokime, asnjëra prej tyre nuk ka garantuar përjashtimin e ndonjë incidenti spontan mes mbështetësve të secilës palë. Protestuesit e opozitës dhe ata që festuan pranë e pranë disa momente por që pa incidente.

Grevistët konsumojnë vetëm ujë

Grevistët që qëndrojnë në çadrat e ngritura para selisë së qeverisë. Burime brenda deputetëve të Partisë Socialiste bënë të ditur se grevistët gjatë gjithë kësaj kohe konsumojnë vetëm ujë dhe asnjë produkt tjetër. Shumë nga grevistët kanë zgjedhur mënyra të ndryshme për të kaluar kohën, ku një është dhe loja me domino. Grevistët ndodhen në ditën e dytë, ndërsa mësohet se aleatet e PS-së e kanë mbështetur këtë grevë, por pa marrë pjesë në të. Mësohet se Erjon Veliaj i G99 ka shfaqur vullnetin për të hyrë në grevë dhe pritet nga çasti në çast një konkretizim i këtij vendimi.
Ky lajm është publikuar: 02/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›