E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI: Ekonomia pa etikë, e destinuar të dështojë

Kriza e financave botërore tregoi se një sistem ekonomik pa rregulla etike, që nxisin zhvillimin e përgjithshëm të personit e jo vetëm fitimin, është i destinuar të dështojë. Ky ishte thelbi i mesazhit të Benediktit XVI në audiencën e paradites me pjesëmarrësit e plenares së Akademisë Papnore për Shkencat Shoqërore. Ekspertëve, të mbledhur në Vatikan deri më 4 maj, për të diskutuar mbi temën “Kriza në një ekonomi globale. Riprojektimi i rrugës”, Papa u tha se solidariteti ndërmjet brezave duhet të njihet si “kriter etik themelor për gjykimin e çdo sistemi shoqëror”. Në rrënojat e qytetit të shkatërruar, theksoi Ati i Shenjtë, është e mundur të gjenden gjurmët e rrugëve të reja, në të cilat duhet të fillojë të rrjedhë jeta. Qyteti i shkatërruar, në këtë rast, është ai i financës:
“Kriza financiare botërore, siç e dimë, tregoi brishtësinë e sistemit ekonomik aktual dhe të institucioneve të lidhura me të. Përveç kësaj, ajo vuri në dukje edhe gabimin e premisës, sipas së cilës, tregu është në gjendje të vetërregullohet, pavarësisht nga ndërhyrja publike e nga vendosja e normave të brendshme”.
Kundër këtij këndvështrimi, që rrjedh nga një konceptim i varfëruar i jetës ekonomike, bazuar vetëm mbi interesat personale dhe fitimin, Papa propozoi vlerat e Doktrinës Shoqërore të Kishës, për të cilat ka shkruar edhe në Enciklikën “Caritas in Veritate”:
“Në vend të një spiraleje prodhimi e konsumi, për plotësimin e nevojave të njeriut, jeta ekonomike duhet parë si ushtrim i përgjegjësisë njerëzore, në thelb e orientuar drejt promovimit të dinjitetit të njeriut, arritjes të së mirës së përbashkët e të zhvillimit të përgjithshëm – politik, kulturor e shpirtëror – të individëve, familjeve e shoqërive”.
Rishikimi i rrugës, shtoi Papa Racinger para përfaqësuesve të Akademisë, me në krye presidenten Meri En Glendon, përfshin ndryshimin e standarteve globale dhe të objektivave, që udhëheqin e orientojnë jetën ekonomike. Parimet, sipas të cilave Zoti e ka krijuar universin e ka vendosur ligjet e tij, janë të kuptueshme për mendjen e njeriut. Mjafton të mbahen parasysh për vendimet praktike, theksoi Benedikti XVI:
“Si pjesë e pasurisë së madhe të dijes njerëzore, ligji moral natyror, të cilin Kisha e ka bërë të vetin, duke e pastruar dhe duke e zhvilluar në dritën e krishterimit, shërben si fanar udhëheqës në përpjekjet e individëve dhe të bashkësisë për të arritur të mirën e për të shmangur të keqen, ndërsa orienton impenjimin e tyre në ndërtimin e një shoqërie me të vërtetë të drejtë dhe njerëzore”.
Ndër parimet e domosdoshme për të siguruar këndvështrimin etik mbi jetën ekonomike, Papa përmendi nxitjen e së mirës së përbashkët, të rrënjosur në respektimin e dinjitetit të njeriut në të gjithë sektorët e prodhimit e të tregtisë, si edhe në institucionet politike e shoqërore, me përgjegjësi të përbashkët për brezat e rinj: “Solidariteti ndërmjet brezave, tani e tutje, duhet të njihet si kriter etik themelor për të gjykuar çdo sistem shoqëror. Këto realitete vënë në pah urgjencën për të forcuar procedurat e administrimit të ekonomisë globale, duke respektuar parimin e susidiaritetit. Por, në fund të fundit, të gjitha vendimet ekonomike e politike duhet të synojnë drejt “bamirësisë në të vërtetën”, pasi ajo e ruan të vërtetën dhe e kanalizon fuqinë çliruese të dashurisë në mesin e ngjarjeve përkatëse njerëzore dhe të strukturave”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›