E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji: Nëpunësit civilë, jo anëtarë të partive politike

TIRANE - Ligji i sapomiratuar “Për Nëpunësin Civil” përcakton caqe të qarta të përfshirjes së punonjësve të administratës në politikën aktive. Sipas tij, zyrtarët e administratës mund të bëhen pjesë e veprimtarive politike jashtë orarit zyrtar, por gjithsesi pa shprehur publikisht bindjet e tyre, ndërkohë që u ndalohet kategorikisht anëtarësimi në ndonjë parti. “Nëpunësi civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike jashtë orarit zyrtar. Nëpunësi civil duhet të përmbahet nga shprehja publike e bindjeve apo preferencave të tij politike. Nëpunësit civil i ndalohet të jetë anëtar i partive politike” përcaktojnë nenet e ligjit “Për Nëpunësin Civil”. Sa për zgjedhjet parlamentare a vendore, zyrtarët do mund të kandidojnë vetëm pasi të kenë kërkuar pezullimin nga postet që mbajnë. “Nëpunësi civil ka të drejtën të kandidojë dhe zgjidhet në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë apo për organet e qeverisjes vendore. Në këtë rast nëpunësi detyrohet të kërkojë pezullimin nga detyra” përcakton ligji.
Konflikti i interesit
Sipas ligjit, nëpunësi civil ka detyrimin të shmangë çdo konflikt ndërmjet interesit të tij privat dhe interesit publik në ushtrimin e detyrës në shërbimin civil. Regjimi juridik i konfliktit të interesit përcaktohet sipas ligjit të posaçëm. Përveç sa parashikohet nga ligji i posaçëm, nëpunësi civil: nuk mund të jetë anëtar i strukturave, i organeve drejtuese apo punëmarrës i një partie politike apo një organizate jofitimprurëse pa anëtarësi, të krijuar nga një parti politike. Po ashtu nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik përveç atyre të lidhura apo pjesë e ushtrimit të detyrës në shërbimin civil.
Deklarimi i pasurisë
Sipas ligjit, nëpunësi civil ka detyrimin të informojë paraprakisht eprorin e tij për çdo veprimtari me pagesë që kryen jashtë detyrës së tij në shërbimin civil dhe mund të kryejë një veprimtari të tillë vetëm me lejen me shkrim të institucionit. Nëpunësi civil ka detyrimin të informojë pa vonesë eprorin e tij, në rast dyshimi për një konflikt interesi dhe të zbatojë urdhërimet e institucionit për parandalimin e konfliktit të interesit. Po ashtu, nëpunësi civil ka detyrimin të deklarojë interesat private dhe pasurinë sipas legjislacionit në fuqi.
Transferimi, konflikt interesi
Nëse nëpunësi civil gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm, të deklaruar nga vetë ai, ose sipas rasteve të tjera të konfliktit të interesit, të parashikuara sipas ligjit në fuqi, nëpunësi transferohet në një pozicion tjetër të shërbimit civil, nëse konflikti shmanget nëpërmjet transferimit. Vendimi për transferimin merret nga njësia përgjegjëse, me kërkesë të eprorit direkt të nëpunësit civil apo të vetë nëpunësit. Në rastin e institucioneve të administratës qendrore, njësia për-gjegjëse vendos edhe me kërkesë të njësisë së burimeve njerëzore të institucionit, ku ai është i punësuar. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›