E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej miratimit të tri akteve juridike

Deri para pak ditësh, kur ende po diskutohej nëse brenda kësaj legjislature do të miratoheshin dhe si do të miratoheshin ligji mbi Gjykatën e Lartë, ligji mbi Nëpunësin Civil dhe Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë, shumëkush shprehej se me këtë arritje, që mund të përmbushte listën e objektivave të përcaktuara nga Komisioni Europian, tashmë mund t'i ofrohemi Brukselit, duke iu paraqitur si të gatshëm për të marrë statusin e shtetit kandidat për në BE. Dhe, më së fundmi, pas ca lëkundjesh dhe dilemash, miratimi i këtyre akteve u bë në një seancë parlamentare të jashtëzakonshme, tek sapo kishte nisur formalisht fushata elektorale për zgjedhjet e pritshme të 23 qershorit dhe me një tregues të plotë konsensusi midis forcave politike kundërshtare.
Pas këtij zhvillimi të ri, pyetja që shtrohet është: a do të nxitojë Brukseli për të na akorduar në vjeshtë të këtij viti atë që na e ka refuzuar për tri vite rresht? Për këtë refuzim të deritashëm, mazhoranca qeverisëse ia hedh fajin opozitës politike, duke shtuar tonalitetet e akuzave ndaj saj dhe, njëherësh, duke justifikuar dështimet në menaxhimin e jetës së vendit, me synimin për t'i bërë gjoja më të besueshme premtimet e reja me kërcime pindarike. Nga ana tjetër, zëra brenda opozitës dhe veçse te një pjesë e saj nguten gjatë takimeve me elektoratin të thonë, se sivjet do ta marrim doemos statusin, meqë iu diktua mazhorancës kushti i pranuar që tri aktet e mësipërme duhet të hyjnë në fuqi më 1 tetor.
Mirëpo, problemi i statusit duket që nuk është aq i thjeshtë. Ngado që ta zësh dhe kudo që ta lësh atë, të tjera të panjohura e vështirësojnë zgjidhjen. Një ndër to paraqet mbrojtja e së drejtës së pronës mbi një koncept ligjor të gjerë, që mbulon një gamë jo të vogël interesash ekonomike për individët e kësaj shoqërie. Dhe në këtë drejtim, pavarësisht legjislacionit dhe masave qeveritare të vonshme, tabloja ende është mjaft e turbullt; ajo përmban njolla të murrme të privimit nga e drejta e pronësisë, në sajë të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta apo të tërthorta të autoriteteve shtetërore në përmbajtjen e së drejtës së pronës, si edhe nëpërmjet veprimeve apo mosveprimeve arbitrare, që kanë si qëllim zhvlerësimin dhe mohimin në thelb të pasurisë.
Gjithashtu, ende shqetësuese është shkalla e krimit të organizuar, që shqyrtuar në raport me numrin e popullsisë, nuk mund të mohohet që është më e larta në të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kompleksiteti i këtij kriminaliteti të sofistikuar dhe tepër të dëmshëm ka ndikuar drejtpërdrejt për të frenuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmbushur interesat legjitime të kategorive më të shumta të shoqërisë shqiptare. Ndërkohë që përkrah kësaj tabloje qëndron e paprekur dhe e varur mbi shpinën e pothuajse të gjithë individëve tanë dukuria e korrupsionit, ajo që ngërthen veprimtarinë e institucioneve shtetërore të të gjitha instancave. Pa përjashtuar këtu, sigurisht, edhe atë të organeve gjyqësore, ku qytetari është i detyruar ta blejë të drejtën e tij me para të thata.
Tri ndër kriteret që përmendëm më lart kanë qenë të renditura shprehimisht në Progres-Raportin e Komisionit Europian të tetorit të vitit të kaluar. Por ato nuk janë trajtuar me kujdesin e duhur nga autoritetet shqiptare, ato vetëm sa janë prekur në sipërfaqe, apo në mënyrën relativisht më të keqe. Pra, edhe me kaq sa u tha, mund të bjerë poshtë pretendimi, se me miratimin së fundmi të tri akteve të mbetura, Shqipërisë i takon të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat për në BE. Mund të bjerë poshtë, edhe sepse ka një kriter tjetër, vërtet jo i shprehur ekskluzivisht në tekstin e marrëveshjes midis Tiranës zyrtare dhe Komisionit Europian, por që është i kuptuar si bazik për të gjitha objektivat eksplicite: është mënyra dhe koha e zbatimit të tyre, është mënyra dhe koha e përmbushjes praktike të objektivave të përcaktuara nga Brukseli, për të përjetësuar gjithnjë e më mirë vlerat europiane si një ndjenjë komuniteti.
Këtë ide e ka shtjelluar qartë edhe Komisioneri për Zgjerimin e BE, Shtefan Fyle, i cili menjëherë pas publikimit në tetorin e kaluar të Progres-Raportit për Shqipërinë, në dukje vuri rëndësinë e zbatimit të arritjeve formalisht të renditura, ndër të cilat hynte edhe miratimi i tri akteve të përmendura. Dhe le të kujtojmë se (për ilustrim të kësaj ideje), ai u ndal te zbatimi praktik i Kodit Zgjedhor, ndryshimet dhe plotësimet e të cilit u aprovuan korrikun e 2012-s në Kuvendin e Shqipërisë me frymë konsensuale. Si do ta shoqëronte kjo frymë marrjen e masave me bazë ligjore për organizimin dhe zhvillimin e procesit elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 2013-s? Te përgjigja e drejtë, korrekte dhe konkrete e kësaj pyetje, Fyle dhe të tjerë funksionarë të Bashkimit Europian e vështronin atëherë, e vështrojnë edhe tani, nisjen e zhbllokimi të akordimit Shqipërisë të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
Mirëpo, situata e krijuar gjatë zhvillimit të këtij procesi, sidomos me ngërçin e krijuar nga mazhoranca qeverisëse në mënyrë antiligjore, pra artificialisht, në komponentin kryesor të tij - Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, seriozisht e vë në rrezik zgjidhjen e një problemi madhor për Shqipërinë, të atij problemi të shtruar tashmë për të katërtin vit radhazi. Madje, edhe nëse më së fundmi opozita do të detyrohet t'i nënshtrohet arrogancës qeveritare, duke plotësuar thjesht numerikisht tri vendet e mbetura në strukturën e KQZ-së, për t'u bërë i mundur certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të pritshme, vështirë t'i kthehet këtij organi legjitimiteti i nevojshëm, si edhe shqyrtimi i drejtë i ankimeve të bëra para Kolegjit Zgjedhor.
Pikëpyetje të tilla do të komprometonin rëndë tërë procesin elektoral, duke nxitur madje edhe përdorim të dhunës. Kështu, pa dyshim, do të shkaktoheshin përplasje të forta midis qeverisë shqiptare dhe organeve të Bashkimit Europian, ashtu sikurse midis asaj dhe shteteve të veçanta, anëtare të këtij Unioni. Pa folur pastaj edhe për keqësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që në hartën gjeopolitike të botës shënohen si aleati më i fuqishëm i BE-së. Sigurisht, kjo gjendje nuk mund të zgjaste shumë. Dhe këtë konstatim, më mirë sesa njerëzit e thjeshtë do të mund ta parakuptonte vetë Kryeministri i Shqipërisë, background-it në këtë fushë të të cilit nuk i mungojnë precedentë të rrezikshëm, që në kohën e sotme do t'ia ndërprisnin përfundimisht udhët në politikë.
Sidoqoftë, çdo vonesë në rrugën e integrimit euroatlantik ka kosto të lartë për të gjithë popullin shqiptar, një kosto që ky vetë mund ta lehtësojë disi me pjesëmarrje të gjerë në votimin e 23 qershorit. Përballë një pjesëmarrjeje të tillë, asnjë organ shtetëror nuk mund ta deformojë votën aq sa të delegjitimonte rezultanten e saj. Sikurse asnjë lider pushtetar nuk mund t'u hyjë aventurave donkishoteske, kur edhe Sanço Panço-t e tij t'ia kthejnë kurrizin. Sepse, veç të tjerash, Bashkimi Europian pret nga shtetet që duan të jenë pjesë e të drejtave të këtij Unioni, që vullneti për të hyrë në të të pasqyrohet në ndërmarrjen e të ashtuquajturave "Kritere të Kopenhagenit". Dhe këto kritere kërkojnë si kusht paraprak për integrimin "një stabilitet institucional, si garanci për rendin demokratik dhe ligjor", i cili nuk mund të arrihet sot për nesër. Është pikërisht zbatimi i këtij kushti, në mënyrë që shteti dhe sistemi politik i brendshëm të dëshmojnë një masë të fortë legjitimiteti dhe, me këtë, edhe besim te qytetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›